LAJMI I FUNDIT:

Policia e Kosovës konfiskoi mbi 50 kg drogë dhe arrestoi pesë persona

Policia e Kosovës konfiskoi mbi 50 kg drogë dhe arrestoi pesë persona

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN) e Policisë së Kosovës, në dy operacione të ndara ka konfiskuar mbi 50 kg marihuanë dhe me këtë rast ka prangosur katër persona, dy shtetas të Kosovës dhe dy shtetas tjerë nga Shqipëria.

Në magjistralen Prishtinë–Podujevë, gjatë realizimit të një operacioni policor, me 21.04.2017, DHTN-ja ka arrestuar katër të dyshuar, pasi janë zënë në flagrancë duke bërë shitblerjen e substancave narkotike.

Në këtë operacion janë konfiskuar rreth 31 kg lëndë narkotike të llojit marihuanë, dy vetura (njëra me targa të Shqipërisë kurse njëra me targa të Zvicrës) dhe 6 telefona mobil.


Katër të dyshuarit e arrestuar në këtë rast janë: A.J. lindur me 1974, mashkull, shtetas i Shqipërisë, E.T. lindur me 1969, mashkull, shtetas i Shqipërisë,

Z.E. lindur me 1987, mashkull, shtetas i Kosovës dhe A.E. lindur me 1996, mashkull, shtetas i Kosovës.

Lidhur me këto veprime është njoftuar Prokurori i Shtetit në Prishtinë dhe me vendim të Prokurorit të dyshuarit e lartcekur janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes prej 48 orë.

Policia po ashtu njofton se dje rreth orës 15:25, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN)-Njësia në Prizren, nga burime të besuara ka pranuar informacione se në një mjet transportues (kamion), me targa vendore, pronë e një kompanie transportuese nga Vitia, në mallrat (mobilet) që po transportonte për në Zvicër, kishte të fshehura një sasi të konsiderueshme të substancave narkotike të llojit marihuanë.

Në Terminalin Doganor në Prizren, DHTN së bashku me Njësinë Policore K9 dhe Doganat e Kosovës ka kontrolluar kamionin e lartcekur. Gjatë kontrollimit, të fshehura në mobile, janë gjetur 34 paketime plastike në të cilat gjendej një substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë: 19 kg e 305 gram.

Me aktvendim të Prokurorisë Themelore në Prizren të dyshuarit A. B, lindur me 1995 m/k/sh, i është caktuar masa ndalimit policor për 48 orë. /Telegrafi/