LAJMI I FUNDIT:

BE: Po punojmë për gjetjen e një zgjidhjeje për targat

BE: Po punojmë për gjetjen e një zgjidhjeje për targat

Bashkimi Evropian edhe një herë ka përsëritur thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë që në ditët në vijim të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të çojnë deri te përshkallëzimi i situatës dhe se blloku evropian me partnerët po vazhdon intensivisht punën për të gjetur një zgjidhje për çështjen e targave.

Kështu deklaroi për mediat Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë.

“Disa herë në të kaluarën kemi thënë se është me rëndësi të jashtëzakonshme që të parandalohet çfarëdo tensionimi, i cili mund të çojë deri te përshkallëzimi i situatës. Ajo për të cilën më së paku kanë nevojë Serbia e Kosova në këtë moment është të ketë më shumë tensione. Ato kanë nevojë për më shumë progres në mënyrë që ta çojnë dialogun përpara. Siç kemi thënë, [ato] duhet të punojnë drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse në dialog për normalizimin e raporteve. Ne po punojmë me partnerët tanë, jo vetëm ne si BE, por edhe partnerët tjerë, si dhe me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të parandalohet çfarëdo shkëndije e përshkallëzimit të situatës”, tha Stano më 27 tetor.


Ky qëndrim i BE-së vjen disa orë pasi nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – dhe Serbia paralajmëruan për vendosjen e barrikadave, nëse Kosova, pas 31 tetorit do të konfiskojë targat apo makinat e serbëve.

Qeveria e Kosovës ka thënë se nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët serbë që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia – që Prishtina i konsideron ilegale – duhet ‘i konvertojnë në RKS- Republika e Kosovës.

Pas 31 tetorit, Kosova ka deklaruar se këto makina – që vlerësohet se janë afër 10.000 – nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e shtetit, e as të kalojnë kufirin.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 27 tetor se kur bëhet fjalë për targat, Kosova po respekton ligjin dhe Serbia po kërcënon me mjete antiligjore.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Stano, tensionet do të ishin në kundërshtim me interesat e njerëzve dhe të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë.

“Ato kanë shprehur si prioritet afrimin me BE-në dhe me krijimin e tensioneve, me pamundësinë për t’i zgjidhur çështjet, duke mos folur me njëra-tjetrën, duke mos pasur gatishmëri për kompromis, ju nuk i arrini këto qëllime dhe e dëmtoni popullin tuaj. Pra, mesazhi ynë është i njëjti, duhet të jemi konstruktivë dhe të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura dhe të përmbahemi nga veprimet e njëanshme që çojnë deri te përshkallëzimi. Kemi nevojë për të kundërtën, për ulje të tensioneve dhe progres”, është shprehur zëdhënësi i Bashkimit Evropian.

Duke u përgjigjur në pyetjen se a është pajtuar tashmë BE-ja se nuk do të ketë shtyrje të afatit për zëvendësimin e targave, ky zëdhënës ka thënë se BE-ja po vazhdon të punojë në këtë drejtim dhe se kanë mbetur akoma edhe disa ditë për këtë gjë.

“Ne nuk dorëzohemi dhe gjithmonë jemi të angazhuar në emër të njerëzve në terren. BE-ja mbetet e angazhuar dhe ky është roli i përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell dhe ai i të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Ata janë të angazhuar intensivisht në kërkim të zgjidhjes për çështje, për të cilën nuk ka pasur zgjidhje deri tash. Por, kemi akoma edhe disa ditë deri më 31 tetor. Ne po punojmë me partnerët tanë për të gjetur zgjidhje dhe për të parandaluar situatën, në të cilën do të kishim eskalim të panevojshëm të ri, apo, Zoti mos e dhëntë, shpërthim të situatës”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

BE-ja edhe të enjten ka përsëritur qëndrimin rreth targave duke thënë në një anë se Kosova ka të drejtë legjitime për vendimin e saj për t’i ndërruar ato, por edhe duke kërkuar shtyrjen e afatit për dhjetë muaj shtesë.

“Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë i qartë. Vendimi i Kosovës për të ndërruar tabelat e regjistrimit është legjitim. Megjithatë, sipas marrëveshjes nga dialogu që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, të arritur më 2011 dhe 2016, është me rëndësi që të sigurohet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani, dhe që ai të përgatitet dhe zbatohet në konsultime të afërta me qytetarët, ndaj të cilëve ka ndikim, dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane”, ka theksuar Stano.

“Konkluzat për lirinë e lëvizjes nga viti 2016 përfshin një afat kohor për riregjistrim, i cili duhet të ketë edhe udhëzime. Prandaj ne, në bazë të këtij procesi i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një afat kohor prej 12 muajsh për riregjistrim. Sipas të njëjtës logjikë, tash kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të shtyjë afatin e tashëm edhe për 10 muaj”, thuhet në përgjigjen e Bashkimit Evropian.

Sipas zëdhënësit të BE-së, një shtyrje e tillë do të mundësonte një fushatë informimi më përfshirëse dhe konsultime me qytetarët përkatës. Kjo do t’i mundësonte Kosovës që t’ua lehtësojë serbëve të Kosovës në veri marrjen e kartave të identitetit dhe patentë-shoferëve të Kosovës.

“Çfarëdo përshkallëzimi i tensioneve dhe dhune potenciale në veri të Kosovë duhet të evitohet. Kjo ka rëndësi të veçantë në kontekstin momental gjeopolitik, në kontekstin e ruajtjes së stabilitetit në rajon”, thuhet nga BE-ja.

BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova që të shtyjë afatin për riregjistrim. I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar më 26 tetor se Prishtina ende nuk i është përgjigjur kësaj kërkese./REL/

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Kalo në kategori