Po pozonte pranë një zonë piktoreske në Egjipt, turisten kineze e godasin valët e detit dhe e përplasin për shkëmbinj – shpëton mrekullisht

Një turiste i shpëtoi më të keqes pasi u përplas në shkëmbinj nga një valë, ndërsa po pozonte për një fotografi në një prag të rrezikshëm në një atraksion bregdetar egjiptian.
Gruaja, nga Kina, po vizitonte zonën piktoreske Matrouh Eye në qytetin Mersa Matruh, kur ndodhi incidenti i tmerrshëm, transmeton Telegrafi.
Pamjet e momentit, të shpërndara në mediat sociale, tregojnë gruan me një fustan portokalli veror të ulur në cep të një pragu pranë ujit, ndërsa një valë ngrihet pas saj.
Vala e shkumëzuar mund të shihet më pas duke u përplasur drejt saj dhe përfundimisht mbi të, ndërsa e rrëzon dhe e tërheq në det të hapur.
Pas kësaj përvoje, ajo u tha mediave lokale se pësoi gërvishtje të shumta në trup dhe e përshkroi përvojën si 'shumë të frikshme'.
Ajo tha se ishte me fat që nuk u lëndua rëndë dhe do të ishte më e kujdesshme kur të udhëtonte në të ardhmen.
Gruaja shtoi se kishte arritur mrekullisht të kthehej në breg duke u mbajtur pas një litari sigurie në vend. /Telegrafi/

















































