Po i lani çorapet gabim prej vitesh dhe kjo është e rrezikshme - mësoni si t’i pastroni siç duhet

Zbuloni pse larja e çorapeve në temperatura të ulëta mund të shkaktojë infeksione dhe si t’i mbani këmbët të shëndetshme
Nëse nuk i përmbaheni disa këshillave të thjeshta, mund të shkaktoni probleme serioze shëndetësore të lidhura me infeksione të lëkurës.
Këmbët janë të mbushura me baktere dhe kërpudha që grumbullohen në çorape, gjë që mund të shkaktojë erë të pakëndshme dhe infeksione. Larja e çorapeve në temperatura të larta dhe higjiena e rregullt janë thelbësore për shëndetin e këmbëve.
Në ritmin e shpejtë të jetës së përditshme, shpesh harrojmë të lajmë çorapet në mënyrë të duhur, por shkencëtarët paralajmërojnë se pasojat mund të jenë më serioze sesa një erë e pakëndshme e këmbëve.
Dr. Primrose Freestone, mikrobiologe në Universitetin e Leicester-it, shpjegon: "Këmbët tona janë si një xhungël e vogël e baktereve dhe kërpudhave, të ngrohta, të lagështa dhe të errëta, me miliona mikroorganizma për centimetër katror të lëkurës."
Ajo shton se ky ambient është ideal për zhvillimin e mikrobeve, dhe problemi rëndohet nga çorapet që gjatë ditës thithin papastërti, baktere dhe spore kërpudhore nga dyshemeja, pluhuri dhe burime të tjera, transmeton Telegrafi.

Këta mikroorganizma nuk mund të hiqen lehtësisht me larje në temperatura të ulëta. Prandaj, Dr. Freestone thekson rëndësinë e larjes në temperatura të larta:
"Përdorni ujë me temperaturë së paku 60°C dhe detergjent me enzima. Enzimat ndihmojnë në ndarjen e baktereve nga fijet, ndërsa temperatura e lartë i shkatërron ato. Kjo kombinim është efektiv në eliminimin e mikrobeve që shkaktojnë erëra të këqija dhe infeksione si ‘këmbët e atletit’ apo lythat.”
Nëse makina larëse nuk arrin temperaturën e duhur, një alternativë është hekurosja me hekur të nxehtë, sidomos me avull. Nxehtësia që depërton thellë në fije ndihmon në shkatërrimin e mikrobeve dhe ul rrezikun e përhapjes së infeksioneve.
Ndërrimi i rregullt i çorapeve dhe larja e tyre në mënyrë të duhur janë çelësi për shëndetin e këmbëve dhe higjienën e këpucëve.
"Unë i laj çorapet në temperatura të larta me detergjent antibakterial dhe më pas i hekuros – prandaj ato, ashtu si edhe këmbët e mia, janë të pastra në mënyrë të përsosur", thotë Dr. Freestone.
Zbatimi i këtyre këshillave të thjeshta mund të parandalojë aromat e pakëndshme dhe problemet serioze të lëkurës, duke e bërë ecjen më të shëndetshme dhe më të rehatshme. /Telegrafi/


















































