Lajmi publikohet nga media shtetërore koreano-jugore e cila saktëson se presidenti Myung-bak për këtë plan ka propozuar edhe një taksë të re, fondet e së cilës do të mbulojnë shpenzimet e bashkimit me Korenë e Veriut.

“Sot marrëdhëniet mes popullit korean kërkojnë plan të ri veprimi. Të dyja vendet duhet të formojnë një komunitet paqeje dhe të thellojnë punën për çarmatosjen bërthamore të Koresë së Veriut, ndërsa paratë e mbledhura nga taksa e re do të përdoren për të ringritur ekonominë koreano-veriore”, deklaroi presidenti Myung-bak gjatë fjalimit të tij me rastin e 65 vjetorit të çlirimit nga kolonizatorët japonezë.


Gadishulli korean është i ndarë në dy shtete që pas Luftës së Dytë Botërore, pas përcaktimit të zonave të influencës mes SHBA-ve dhe ish-Bashkimit Sovjetik. /Telegrafi/