Pjesëmarrja në Big Brother i kushton me divorc

Nusja e familjes kavajase, ishte bërë pjesë e aplikimit në emisionin Big Brother pa dijeninë e pjesëtarëve tjerë te familjes së bashkëshortit. Madje, sipas babait të Agronit, as bashkëshorti i saj nuk dinte gjë për aplikimin.
"Ajo e ka bërë çdo gjë në kokën e saj pa na pyetur fare. Të them të drejtën ne si familje na ka vrarë shumë opinioni publik, pasi Kavaja është vend i vogël”, thotë babai i Agronit, ish-vjehrri i Adelajdes, Azemi.
"Edhe nëse ajo do të na kishte treguar që dëshiron të marrë pjesë në një emision të tillë, përsëri ne nuk do të ishim dakord, por do t'i thoshim që nuk është gjë e mirë pjesëmarrja në atë emision dhe se këtë duhet ta vendosë me burrin e saj që është edhe djali ynë", shton Azemi.
Babai i Agronit, më tutje tregon se si rrodhën ngjarjet që prej ditës kur djali i tij mori vesh që nusja ka aplikuar në Big Brother.
"Kishim vënë re që djali nuk ndjehej fare mirë, rrinte gjithë kohës i mërzitur, por nuk shprehej se ku qëndronte problemi. Një ditë erdhi dhe më takoi në qendër të qytetit dhe më tregoi gjithçka. Të them të drejtën u zhgënjeva shumë nga sjellja e nuses, por prapë mendova që kjo do të kalonte. Kur kjo u shtrua për diskutim në familje dhe morëm një përgjigje negative nga Adelajdia, atëherë e pamë që ishte një situatë që po e çonte martesën e tyre drejt dështimit".
"Na ka trishtuar së tepërmi kjo histori, pasi unë një djalë të vetëm kam dhe të vijë nusja e të na bëjë qendër të vëmendjes së botës për keq, kjo nuk është e drejtë."
Kështu e quan Azemi gjendjen e krijuar që kur nisi diskutimi brenda familjes e deri kur kjo u bë publike dhe e morën vesh të gjithë njerëzit.
Kur familja Lushkja e pa të pamundur që ta bindë Adelajden për të mos marrë pjesë në Big Brother, atëherë Agroni filloi ta ndjekë këtë çështje në rrugë ligjore, duke kërkuar divorcin.




























































