LAJMI I FUNDIT:

Pingpongistët me shumë vështirësi ia dalin të shfaqin flamurin në Rusi

Pingpongistët me shumë vështirësi ia dalin të shfaqin flamurin në Rusi

Pingpongistët kosovarë nuk kanë arritur asnjë fitore në kampionatin evropian që po mbahet në Ekaterinburg të Rusisë.

Por ata kanë arritur një fitore që nga Federata e Pingpongut e Kosovës dhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës po vlerësohet si fitore e madhe diplomatike.

Si gjithnjë kur ngjarjet mbahen në Rusi, sportistët kosovarë përballen me telashe. Edhe këtë herë në sallën ku po mbahet evropiani nuk është paraqitur flamuri i Kosovës krahas flamujve të vendeve të tjera pjesëmarrëse. Po ashtu, fillimisht flamuri i Kosovës nuk është paraqitur në ekranet e vendosura në sallë, kur kanë luajtur pingpongistët kosovarë.

Flamujt shtetërorë paraqiten në ato ekrane sa herë që garojnë pingpongistët e ndonjë vendi. Drejtuesit e FPPK-së, përkatësisht kryetari Nehat Çitaku, ia ka dalë që të detyrojë organizatorët rusë të evropianit që flamurin e Kosovës ta shfaqin në ekrane sa herë që garojnë pingpongistët nga Kosova. Ndërkohë flamuri i Kosovës nuk është vendosur në sallë. Në vend të tij është vendosur vetëm flamuri i Komitetit Olimpik të Kosovës, transmeton koha.net.


Në këtë çështje, që ka nisur të premten kur edhe nisi evropiani, mësohet se janë përfshirë Federata Evropiane dhe ajo Ndërkombëtare e Pingpongut, Komiteti Olimpik i Kosovës, ai Evropian dhe ai Ndërkombëtar, si edhe institucione të shumta sportive e politike ruse. Në fakt, delegacioni kosovar qysh të enjten kishte kuptuar se flamuri i Kosovës nuk ishte vendosur në sallë.

Por pas lutjeve të shumta delegacioni kosovar pranoi që të niste garimin, me shpresë se flamuri do të vendosej ndërkohë. Kur nisi garën, flamuri nuk u shfaq as në ekrane. Kështu të premten u zhvilluan tri meçet e para. Pasi gjendja nuk ndryshoi, Kosova të shtunën në ditën e dytë të garave i bojkotoi dy meçet e para. Pas bojkotimit çështja u bë e madhe dhe autoritetet ruse pranuan që flamuri i Kosovës të shfaqej në ekrane. Por nuk pranuan të vendosnin flamurin në sallë, duke thënë që është çështje politike dhe që nuk guxojnë të marrin vendim të tillë. U arrit kompromisi që gara të vazhdohet nga Kosova dhe që në vend të flamurit të Kosovës të vendosej flamuri i KOKut. Pas arritjes së këtij kompromisi, Kosova të shtunën mbrëma zhvilloi një meç dhe vazhdoi garimin normal të dielën. Kryetari i FPPK-së, Nehat Çitaku, ka njoftuar se telashet kanë nisur shumë më parë, kur vetëm pas shumë përpjekjeve u siguruan vizat për hyrje në Rusi. Ai ka treguar se fillimisht zyrtarë të Federatës Evropiane të Pingpongut i kanë thënë se rusët nuk po e vendosin flamurin e Kosovës në sallë me gjithë kërkesën e tyre.

“Kur i bojkotuam ndeshjet, po ashtu kam kërkuar që të na ofrohet siguri fizike dhe të na garantohet largimi nga Rusia. Kur e panë se e kemi seriozisht dhe se jemi këmbëngulës, autoritetet ruse u pajtuan që të vendosej flamuri i Komiteti Olimpik të Kosovës. Po ashtu kam kërkuar që të na shkruhet një letër që ky është incidenti i fundit i kësaj natyre për sportistët kosovarë dhe që Komiteti Olimpik i Rusisë të na garantojë se sportistët kosovarë në të gjitha ngjarjet që mbahen në këtë vend do të trajtohen në mënyrë të barabartë. Më është premtuar se një letër të tillë do të marrim dhe jemi ende në pritje”, ka thënë Çitaku për gazetën, transmeton koha.net.

Ai ka treguar se ka marrë përgëzime të shumta nga përfaqësues të Federatës Evropiane dhe të federatave nacionale.

“Përmes kryetarit të KOK-ut, Besim Hasani, me të cilin isha në komunikim të vazhdueshëm, janë përfshirë në çështje edhe Komiteti Olimpik Evropian dhe ai Ndërkombëtar. Është vlerësim i përgjithshëm se kemi nxjerrë maksimumin, duke ditur se Rusia shpesh nuk përfill rregulloret, sidomos të federatave evropiane”, ka shtuar Çitaku, që ka bojkotuar ceremoninë hapëse të evropianit.

Federata e Pingpongut e Kosovës prej vitit 2003 është e pranuar në Federatën Ndërkombëtare dhe atë Evropiane të këtij sporti. Është federata e parë kosovare e ndërkombëtarizuar. Me telashe të kësaj natyre është përballur më herët edhe për një ngjarje në Kinë dhe një tjetër në Serbi. Rusia vazhdimisht nuk trajton si të barabarta delegacionet e Kosovës. Kosova herë paraqitet me fusnotë, herë pa flamur e shumë rrallë si e barabartë me vendet e tjera, në ngjarjet që mbahen në Rusi. Majlinda Kelmendit nuk i ishte lejuar të garonte me flamur të Kosovës kur fitoi titullin e botës në xhudo, në Rusi, vitin e kaluar. Pingpongistët janë të njohur për fitore politike. Fitoret në tavolinë po iu mungojnë ende. Në tri ditët e para të evropianit si pingpongistët ashtu edhe pingpongistet kanë njohur vetëm humbje.