Më 2 tetor u dha lajmi se Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk do të vazhdojë të jetë pjesë e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA). Ky vendim i Asociacionit që synon krijimin e një hapësire cilësore të arsimit të lartë, është një tjetër ngjarje e zezë për gjendjen edhe ashtu të mbrapshtë të arsimit në Kosovë. Por, kjo nuk lë shumë përshtypje te “truri” i kombit. Sepse, më 3 tetor u morën me zgjedhjen e Mehmet Krajës për kryetar të ri të Akademisë së Shkencave të Kosovës (ASHAK), nga ku nuk doli asnjë reagim për rastin ENQA, thua se arsimi i lartë është çështje e ultë për pjesën më të madhe të “gjenive” të shtetit më të ri në Evropë.
Në këto dy data, pra më 2 dhe 3 tetor, kudo në media u publikuan emrat e shkrimtarëve pretendentë për çmimin Nobel për Letërsi – për vitet 2018 dhe 2019. Në listë figuronte edhe emri i austriakut famëkeq Peter Handke. Por, institucioni që te popujt e shtetet normalë simbolizon vlerën dhe dijen, e që u prin e paraprin proceseve, te ne e vazhdonte gjumin e arushës.
Në fakt, ka vite që ASHAK-u ka degraduar nga ky gjumë. Ky degradim rritet me çlirimin e Kosovës, në qershor 1999, kur shumë anëtarë të këtij institucioni heshtën ndaj të keqes që po bëhej prej shqiptarëve – komandantëve “të fortë”. Jo vetëm që heshtën, por u bënë servilë. Kjo u pa ashiqare me inaugurimin e ndërtesës së re të Akademisë, në janar 2010, kur në hyrje u vendos një pllakë me këtë “proverb” të Hashim Thaçit: “Tempujt e dijes dhe të shkencës janë rreze drite për kombin dhe njerëzimin”! Vetëm kur mediat kritikuan, foli kryetari i atëhershëm i ASHAK-ut, Besim Bokshi: “Nuk na ka pyetur njeri për të. Atë ditë kur është prerë shiriti e kemi parë për herë të parë”. Heshtje kishte edhe kur akademik bëhej një autor komentesh gazetash, një skulptor diletant, një historian i dobët, një përkthyes mesatar… Shumë nga ta heshtën edhe kur u rrah kolegu i tyre, kryeakademiku i tashëm Kraja, sepse nuk donin të rrezikonin interesat që kishin ndaj një botuesi.
Por, Kraja “i zhurmshëm” është ai që hesht më shumë. Në ditët kur pritej lajmi për fituesit e Nobelit për Letërsi, pretendenti për këtë çmim, shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, ballafaqohet sërish me akuzat për “paqen” dhe “harmoninë” e tij me sistemin e tmerrshëm komunist të Enver Hoxhës. Kadare – ndër të tjera anëtar i jashtëm i ASHAK-ut dhe anëtar i Akademisë franceze të Shkencave Morale dhe Politikës – nuk heziton të japë përgjigje ndaj këtyre akuzave, qofshin të thëna kot ose të bazuara në fakte. Por, Kraja, “kryetari” i Kadaresë në Kosovë, kurrë nuk ka reaguar e nuk jep sqarime kur kontestohet dhe diskreditohet emri dhe biografia e tij.
Ndër të tjera, kur më 2016 Kraja e publikoi një letër ku fyente besimtarët myslimanë, gazetari Besnik Krasniqi ia dërgon disa pyetje në formë të letrës së hapur. Në atë letër ai pyeste se si akademiku Kraja, pa magjistraturë e pa doktoratë, u bë “ligjërues” – titull që ia ka përshkruar vetes në biografinë e prezantuar në ueb-faqen e ASHAK-ut, e të cilin nuk e njeh Statuti i Universitetit të Prishtinës. Këtë letër Krasniqi e riktheu po më 3 tetor 2019. Por, Kraja prapë nuk përgjigjet. Ai mbase nuk jep përgjigje as nëse pyetet se pse në biografinë e tij në ASHAK nuk figuron viti i diplomimit të tij në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Por, reagon kur i preket egoja. Reagon dhe fyen p.sh. kur kritikohet i ashtuquajturi “Fjalori Enciklopedik i Kosovës”, kryeredaktor i së cilës ishte. Reagon kur një poet thotë se “pikiata më e tmerrshme e degradimit shënohet mu mbi kupolën e AShAK-ut”. Reagon kur botohet raporti “Kriza në Akademi”…
E, kur është fjala për temat që prekin interesat e Kosovës, reagon gjithmonë me vonesë. Kalkulon e me siguri nuk dëshiron të jetë pjesë e debatit ku përfshihen shumë emra. Kështu, gjithmonë ia del të jetë në qendër të vëmendjes. I “pagabuar” (si kryetari i mëparshëm i Akademisë, Nexhat Daci). Të jetë vet lajm. Njëshi. Ylli… Se, aktualiteti nuk ka rëndësi!
Më 10 tetor pra u dha lajmi se polakja Olga Tokarczuk dhe austriaku Peter Handke janë fitues të Çmimit Nobel për Letërsi. Akademia Suedeze e Shkencave shpërbleu romancierin dhe dramaturgun Handke për vitin 2019, ndërsa polakes Tokarczuk i takoi çmimi për vitin e kaluar. Pas publikimit të lajmeve, në rrjetet sociale nisën reagimet për Handken – për njeriun që mbështeste kriminelët serbë me në krye Sllobodan Millosheviqin, ata që bënin kërdi në luftërat në Kroaci, në Bosnje e në Kosovë. Pas reagimeve të “vdekatarëve të rëndomtë” në internet, reagoi edhe ASHAK-u (një ditë më vonë edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ku kryetar është një sharlatan si Skënder Gjinushi). Gjithmonë me vonesë e keq – mbi një javë pra pasi dalin “bastet” për fituesin.
Çmimi Nobel për Letërsi ka vite që përshkruhet nga kontroversat, qëkur p.sh. këtë çmim nuk e fituan Tolstoy, Ibseni, Zola, Chekhovi… Atë e fitoi më 1920 norvegjezi Knut Hamsun, i cili më 1945 do të arrestohej nën akuzat për tradhti, meqë mbështeste Hitlerin. Më 1961 e fitoi njeriu që përpilonte plane për zhbërjen e shqiptarëve, Ivo Andriq. Në ato vite nuk kishte ASHAK. Por, kishte më 2005 kur këtë çmim e fitoi një tjetër pro-serb, Harold Pinter. Por… si gjithmonë… heshtje!
Ndaj, çka është sot më e rrezikshme për Kosovën: Indiferenca e shqiptarit apo deklarata e një të huaji? Inferioriteti i shqiptarit apo bindja e të huajit? Serviliteti i shqiptarit apo konsistenca e të huajit? Një institucion i rëndësishëm i brendshëm me plot të këqija apo një i keq i jashtëm?
Rasti Handke njihet qëmoti. Njihen deklaratat e tij antishqiptare. Por, veprat e tij shqiptarët i kanë botuar. Ata e citojnë Andriqin. Edhe Pinterin. Jo pse e njohin vlerën e letërsisë së tyre, por sepse duan të duken më “modernë” te serbët. Dhe, nëse akuzohen nga “vdekatarët e rëndomtë”, e shpallin veten kozmopolitë të rrezikuar e do të përfitojnë fonde shtesë si masë “mbrojtjeje”. Prandaj, Handke i keq shpejt do të harrohet, siç u harrua provokimi i tij midis Kosove më 2009. Ai madje mund të vijë sërish, i nderuar si nobelist e njeri i madh. Gjithçka është e mundur, përderisa “Akademia është ashtu si Kosova” – siç thotë pa e vrarë ndërgjegjja, akademiku Ali Aliu, ai i cili akademikët mediokër të emëruar më 2016 i cilësonte “të rinj me perspektivë”.
Në popull flitet për një shqiptar që shkon në haxhillëk. Në Mina – vendin ku shtatë herë shejtani gjuhet me gurë – ai godet veten. Kur të tjerët reagojnë se nuk duhet veten, shqiptari thotë: “Probleme kam me shejtanin tim, me të huajin leht ia bëj”.
Zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Kosovë po komentohen si një shkëndijë se populli e kërkon ndryshimin. Por, ndryshimi real duhet të nisë te secili – nga vetvetja. Sot, më shumë se me Handken, Kosova ka probleme me shejtanin e brendshëm, me injorancën, duke u nisur me ASHAK-un e pjesën më të madhe të akademikëve aty. Sepse, siç thotë artisti i fotografisë, Fahredin Spahija: “Kur një intelektual del në anën e së keqes, duhet me u dënu ma shumë se një analfabet!”
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrestimin e Netanyahut
NASA publikoi foto të reja mahnitëse të Jupiterit
Pas tërheqjes së Gaetzit, Trump emëron një grua për Prokurore të Përgjithshme
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje