Një aksident trafiku ka ndodhur sot në rrugën nacionale Mitrovicë–Leposaviq, në fshatin Rudar, ku janë përfshirë dy automjete, një civil dhe një zyrtar i Policisë së Kosovës.

Policia bën të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:23. Në vendin e aksidentit kanë intervenuar njësitë policore, zjarrfikësit dhe stafi mjekësor emergjent, përcjell Telegrafi.


Pesë persona kanë pësuar lëndime, tre nga automjeti civil dhe dy policë, të cilët janë duke marrë trajtim mjekësor.

“Rasti është duke u hetuar nga njësitë kompetente për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Lidhur me ngjarjen është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës”, bëhet e ditur në raportin e policisë.

Autoritetet policore apelojnë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar gjatë ngasjes dhe të respektojnë rregullat e trafikut për parandalimin e aksidenteve. /Telegrafi/