Nga: Neil Postman (ligjëratë e mbajtur në Denver, Kolorado, më 28 mars 1998)
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

... Dyshoj se shekulli XXI do të na paraqesë probleme më tronditëse, më çorientuese ose më komplekse se ato me të cilat u përballëm në këtë shekull, ose në të nëntëmbëdhjetin, të tetëmbëdhjetin, të shtatëmbëdhjetin, apo, për këtë çështje, në shumë prej shekujve para tyre. Por, për ata që janë tepër nevrikë për mijëvjeçarin e ri, mund të jap që në fillim disa këshilla të mira se si ta përballim atë ... Ja çfarë na tha Henry David Thoreau: “Të gjitha shpikjet tona janë vetëm mjete të përmirësuara për një qëllim të papërmirësuar.” Ja çfarë tha Goethe: “Njeriu duhet, çdo ditë, të përpiqet të dëgjojë një këngë të shkurt, të lexojë një poezi të mirë, të shohë një pikturë të bukur dhe, nëse është e mundur, të thotë disa fjalë të arsyeshme.” Sokrati na tha: “Jeta e pashqyrtuar nuk ia vlen të jetohet.” Rabini Hillel tha: “Ajo që është e urryer për ty, mos ia bëj tjetrit.” Dhe, ja çfarë thotë profeti Mikea: “Çfarë kërkon Zoti prej teje, veçse të bësh drejtësi, të duash mëshirën dhe të ecësh i përulur me Perëndinë tënde.” Dhe, do të mund të thosha, po të kishim kohë (edhe pse ju e dini mjaft mirë), se çfarë na kanë thënë Jezusi, Isaia, Muhamedi, Spinoza dhe Shakespearei. Është gjithmonë e njëjta gjë: nuk ka shpëtim nga vetja jonë. Dilema njerëzore është ajo që ka qenë gjithmonë, dhe është një mashtrim të besosh se ndryshimet teknologjike të epokës sonë e kanë bërë të pavlefshme urtësinë e epokave dhe të urtakëve.


Megjithatë, pasi them këtë, e di shumë mirë se për shkak se jetojmë në një epokë teknologjike, kemi disa probleme të veçanta për të cilat Jezusi, Hilleli, Sokrati dhe Mikea nuk folën dhe as nuk mund të flisnin. Nuk kam urtësinë për të thënë se çfarë duhet të bëjmë për probleme të tilla, prandaj kontributi im duhet të kufizohet në disa gjëra që duhet t’i dimë për të trajtuar këto probleme. E quaj ligjëratën time Pesë gjëra që duhet të dimë për ndryshimin teknologjik. Këto ide i mbështes në tridhjetë vjet studim të historisë së ndryshimit teknologjik, por nuk mendoj se janë ide akademike apo ezoterike. Ato janë nga ato gjëra që duhet t’i dijë kushdo që shqetësohet për stabilitetin dhe ekuilibrin kulturor dhe jua ofroj me shpresën se do t’ju duken të dobishme për të menduar për ndikimin e teknologjisë mbi besimin fetar.

Lexo po ashtu:
- Arti i humbur i leximit të një libri të vërtetë
- Libra dhe ekrane
- Vdekja e kulturës: Orwell, Huxley dhe shqiptarët që fluturojnë në qiell!
- Babai i fshatit global

Ideja e parë

Ideja e parë është se çdo ndryshim teknologjik është një shkëmbim. Më pëlqen ta quaj ujdi faustiane. Teknologjia jep dhe teknologjia merr. Kjo do të thotë se për çdo përparësi që ofron një teknologji e re, ekziston gjithmonë një mangësi përkatëse. Mangësia mund të tejkalojë përparësinë,për nga rëndësia, ose kostoja ia vlen për përparësinë. Tani, kjo mund të duket si një ide mjaft e qartë, por do të habiteshit se sa shumë njerëz besojnë se teknologjitë e reja janë përparësi të padiskutueshme. Mjafton të mendoni për entuziazmin me të cilin shumica e njerëzve i qasen kuptimit të tyre për kompjuterët. Pyetni këdo që di të flasë diçka për kompjuterët dhe do të shihni se ata, pa turp dhe pa pushim, do të lartësojnë mrekullitë e kompjuterëve. Do të vini re gjithashtu se në shumicën e rasteve ata do të neglizhojnë plotësisht të përmendin ndonjë nga të metat e kompjuterëve. Ky është një çekuilibër i rrezikshëm, sepse sa më të mëdha të jenë mrekullitë e një teknologjie, aq më të mëdha do të jenë pasojat e saj negative.

Mendoni për automobilin i cili, marrë parasysh të gjitha përparësitë e tij të dukshme, ka helmuar ajrin tonë, ka bllokuar qytetet tona dhe ka degraduar bukurinë e peizazhit tonë natyror. Ose mund të reflektoni mbi paradoksin e teknologjisë mjekësore që sjell kura të mrekullueshme, por është, në të njëjtën kohë, një shkak i dëshmueshëm i disa sëmundjeve dhe paaftësive, dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në zvogëlimin e aftësive diagnostikuese të mjekëve. Është gjithashtu mirë të kujtojmë se, për të gjitha përfitimet intelektuale dhe shoqërore që solli shtypshkronja, kostot e saj ishin po aq monumentale. Shtypshkronja i dha botës perëndimore prozën, por e bëri poezinë një formë ekzotike dhe elitiste komunikimi. Ajo na dha shkencën induktive, por e reduktoi ndjeshmërinë fetare në një formë supersticioni fantazues. Shtypi na dha konceptin modern të kombit, por duke e bërë këtë e shndërroi patriotizmin në një emocion të ndyrë, në mos vdekjeprurës. Mund të themi madje se shtypja e Biblës në gjuhët e popullit krijoi përshtypjen se Zoti ishte anglez, ose gjerman, ose francez - domethënë, shtypi e reduktoi Zotin në përmasat e një sundimtari lokal.

Ndoshta mënyra më e mirë për ta shprehur këtë ide është të them se pyetja “Çfarë do të bëjë teknologjia e re?” nuk është më e rëndësishme se pyetja “Çfarë do të zhbëjë teknologjia e re?” Në të vërtetë, pyetja e dytë është më e rëndësishme, pikërisht sepse shtrohet kaq rrallë. Atëherë mund të thuhet se perspektiva e sofistikuar mbi ndryshimin teknologjik përfshin të qenit skeptik ndaj vizioneve utopike dhe mesianike të paraqitura nga ata që nuk kanë asnjë ndjesi për historinë ose ekuilibrat e brishtë mbi të cilët mbështetet kultura. Në fakt, po të varej nga unë, do t’ia ndaloja kujtdo të fliste për teknologjitë e reja të informacionit nëse ai ose ajo nuk mund të tregojë se di diçka për efektet shoqërore dhe psikike të alfabetit, të orës mekanike, të shtypshkronjës dhe të telegrafit. Me fjalë të tjera, të dijë diçka për kostot e teknologjive të mëdha.

Pra, ideja e parë është se kultura gjithmonë e paguan një çmim për teknologjinë.

Ideja e dytë

Kjo na çon tek ideja e dytë, e cila është se përparësitë dhe mangësitë e teknologjive të reja nuk shpërndahen kurrë në mënyrë të barabartë në popull. Kjo do të thotë se çdo teknologji e re u sjell dobi disa njerëzve dhe dëmton të tjerët. Ka madje edhe disa që nuk preken fare nga kjo. Merrni përsëri shembullin e shtypshkronjës në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, për të cilën Martin Luteri tha se ishte “veprimi më i lartë dhe më i skajshëm i hirit të Zotit, me anë të të cilit çështja e ungjillit shtyhet përpara.” Duke vendosur fjalën e Zotit në tryezën e kuzhinës së çdo të krishteri, libri i prodhuar në masë minoi autoritetin e hierarkisë së kishës dhe përshpejtoi shpërbërjen e Selisë së Shenjtë të Romës. Protestantët e asaj kohe e mirëpritën këtë zhvillim. Katolikët u zemëruan dhe u tronditën. Meqë unë jam hebre, po të kisha jetuar në atë kohë, ndoshta nuk do të më kishte interesuar fare njëra apo tjetra, sepse nuk do të përbënte ndonjë ndryshim nëse një pogrom do të frymëzohej nga Martin Luteri apo nga Papa Leoni X. Disa fitojnë, disa humbin, dhe disa mbeten ashtu siç ishin.

Le të marrim si shembull tjetër televizionin, megjithëse këtu duhet të shtoj menjëherë se në rastin e televizionit ka shumë pak njerëz që në fakt nuk preken në një mënyrë ose në një tjetër. Në Amerikë, ku televizioni ka bazë më thellë se kudo tjetër, ka shumë njerëz që e konsiderojnë atë një bekim, jo më pak ata që kanë arritur karriera të paguara mirë dhe të kënaqshme në televizion si drejtues, teknikë, regjisorë, spikerë lajmesh dhe zbavitës. Nga ana tjetër, dhe në planin afatgjatë, televizioni mund t’ia japë fundin karrierave të mësuesve të shkollës, sepse shkolla ishte një shpikje e shtypshkronjës dhe duhet të qëndrojë ose të bjerë në varësi të rëndësisë që fjala e shtypur do të ketë në të ardhmen. Natyrisht, nuk ka asnjë mundësi që televizioni të zhduket, por mësuesit e shkollës të cilët janë entuziastë për praninë e tij, gjithmonë më sjellin në mendje një imazh të një farkëtari të fillimit të shekullit që jo vetëm çmon lavdet e automobilit, por gjithashtu beson se biznesi i tij do të përmirësohet prej tij. Ne tani e dimë se biznesi i tij nuk u përmirësua prej tij; ai u bë i vjetruar prej tij, siç ndoshta një farkëtar i zgjuar do ta kishte ditur.

Pyetjet, atëherë, që nuk janë kurrë larg nga mendja e një personi që ka njohuri për ndryshimin teknologjik, janë këto: Kush përfiton në mënyrë specifike nga zhvillimi i një teknologjie të re? Cilat grupe, cili tip personi, cilat lloj të industrisë do të favorizohen? Dhe, sigurisht, cilat grupe njerëzish do të dëmtohen si pasojë?

Këto pyetje duhet të jenë sigurisht në mendjen tonë kur mendojmë për teknologjinë e kompjuterit. Nuk ka dyshim se kompjuteri ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë i favorshëm për organizata në shkallë të gjerë - si ushtria ose kompanitë ajrore ose bankat ose institucionet e mbledhjes së taksave. Dhe, është po aq e qartë se kompjuteri tani është i domosdoshëm për studiuesit e nivelit të lartë në fizikë dhe në shkencat e tjera natyrore. Por, deri në çfarë mase teknologjia e kompjuterit ka qenë përparësi për masat e njerëzve? Për punëtorët e çelikut, pemëshitësit, mekanikët e automobilave, muzikantët, bukëpjekësit, muratorët, dentistët dhe, po, për teologët dhe shumicën e të tjerëve në jetën e të cilëve kompjuteri tani ndërhyn? Këta njerëz i kanë bërë çështjet e tyre private më të arritshme për institucionet e fuqishme. Ata ndiqen dhe kontrollohen më lehtë; u nënshtrohen më shumë ekzaminimeve dhe janë gjithnjë e më të hutuar nga vendimet që merren për ta. Ata janë më shumë se kurrë të reduktuar në objekte thjesht numerike. Ata po mbulohen nga imejlat e padëshiruar. Ata janë caqe të lehta për agjencitë e reklamave dhe institucionet politike.

Me një fjalë, këta njerëz janë humbës në revolucionin e madh të kompjuterit. Fituesit, që përfshijnë ndër të tjerë kompanitë e kompjuterëve, korporatat shumëkombëshe dhe shtetin kombëtar, natyrisht do t’i inkurajojnë humbësit të jenë entuziastë për teknologjinë e kompjuterit. Kjo është mënyra e fituesve, dhe kështu në fillim ata u thanë humbësve se me kompjuterët personalë njeriu mesatar mund të balancojë më mirë një bllok të çekëve, të mbajë më mirë shënime për recetat dhe të bëjë lista më logjike blerjesh. Pastaj u thanë se kompjuterët do ta bëjnë të mundur të votohet nga shtëpia, të bëhen blerje nga shtëpia, të merret i gjithë argëtimi që dëshirohet në shtëpi, dhe kështu ta bëjnë jetën komunitare të panevojshme. Dhe, tani, sigurisht, fituesit flasin vazhdimisht për Epokën e Informacionit, gjithmonë duke lënë të kuptohet se sa më shumë informacion të kemi, aq më mirë do të jemi në zgjidhjen e problemeve të rëndësishme - jo vetëm atyre personale, por edhe problemeve shoqërore në shkallë të gjerë. Por, sa e vërtetë është kjo?

Nëse ka fëmijë që vdesin nga uria në botë - dhe ka - kjo nuk është për shkak të mungesës së informacionit. Ne e dimë prej kohësh si të prodhojmë mjaft ushqim për të ushqyer çdo fëmijë në planet. Si është e mundur që lejojmë kaq shumë prej tyre të vdesin nga uria? Nëse ka dhunë në rrugët tona, kjo nuk është sepse kemi informacion të pamjaftueshëm. Nëse gratë abuzohen, nëse divorci dhe pornografia dhe sëmundjet mendore po rriten, asnjëra prej këtyre nuk ka të bëjë me mungesën e informacionit. Do të guxoja të thosha se kjo ndodh sepse diçka tjetër mungon, dhe nuk mendoj se kam nevojë t’i them këtij auditori se çfarë është ajo. Kush e di? Kjo epokë e informacionit mund të dalë të jetë mallkim nëse ne verbohemi prej saj në mënyrë që të mos mund të shohim vërtet se ku qëndrojnë problemet tona. Kjo është arsyeja se pse është gjithmonë e nevojshme që ne t’ua bëjmë këtë pyetje atyre që flasin me entuziazëm për teknologjinë e kompjuterit: Pse e bëni këtë? Çfarë interesash përfaqësoni? Kujt shpresoni t’i jepni pushtet? Nga kush do ta mbani larg pushtetin?

Nuk dua t’ia atribuoj askujt motivet e pahijshme, e aq më pak të errëta. Unë them vetëm se, meqë teknologjia favorizon disa njerëz dhe dëmton të tjerët, këto janë disa pyetje që duhet të bëhen gjithmonë. Dhe, kështu, ideja e dytë është që gjithmonë ka fitues dhe humbës në ndryshimin teknologjik.

Ideja e tretë

Ja e treta. Ka një ide të fuqishme të ngulitur në çdo teknologji, e ndonjëherë dy ose tri ide të fuqishme. Këto ide shpesh janë të fshehura nga pamja jonë sepse kanë një natyrë disi abstrakte. Por, kjo nuk nënkupton se ato nuk kanë pasoja praktike.

Ndoshta jeni të njohur me thënien e vjetër që thotë: Për një njeri me çekiç, çdo gjë duket gozhdë. Mund ta zgjerojmë këtë të vërtetë: Për një person me laps, çdo gjë duket fjali. Për një person me një kamerë televizive, çdo gjë duket imazh. Për një person me kompjuter, çdo gjë duket si e dhënë. Nuk mendoj se duhet t’i marrim këto aforizma fjalë për fjalë. Por, ajo që na tërheq vëmendjen është se çdo teknologji ka një paragjykim. Ashtu si vetë gjuha, ajo na parapërgatit të favorizojmë dhe të vlerësojmë perspektiva dhe arritje të caktuara. Në një kulturë pa shkrim, kujtesa njerëzore ka rëndësinë më të madhe, ashtu si proverbat, thëniet dhe këngët që përmbajnë urtësinë gojore të grumbulluar ndër shekuj. Kjo është arsyeja pse Solomoni mendohej të ishte më urtaku mes njerëzve. Në Librin e Parë të Mbretërve na thuhet se ai njihte tre mijë proverba. Por, në një kulturë me shkrim, arritjet e tilla të kujtesës konsiderohen humbje kohe dhe proverbat janë thjesht fantazi të parëndësishme. Njeriu i shkrimit favorizon organizimin logjik dhe analizën sistematike, jo proverbat. Njeriu i telegrafit vlerëson shpejtësinë, jo introspeksionin. Njeriu i televizionit vlerëson rëndësinë e menjëhershme, jo historinë. Dhe, njerëzit e kompjuterit, çfarë do të themi për ta? Ndoshta mund të themi se njeriu i kompjuterit vlerëson informacionin, jo njohurinë, dhe sigurisht jo urtësinë. Në të vërtetë, në epokën e kompjuterit, koncepti i urtësisë mund të zhduket krejtësisht.

Pra, ideja e tretë është se çdo teknologji ka një filozofi që shprehet në mënyrën se si teknologjia i bën njerëzit të përdorin mendjen e tyre, në atë që na bën të bëjmë me trupat tanë, në mënyrën se si e kodifikon botën, në atë se cilat nga shqisat tona i përforcon, në atë se cilat nga prirjet tona emocionale dhe intelektuale i shpërfill. Kjo ide është përmbledhja dhe thelbi i asaj që profeti i madh katolik Marshall McLuhan kishte parasysh kur shpiku fjalinë e famshme: “Mediumi është mesazhi.”

Ideja e katërt

Ja ideja e katërt: Ndryshimi teknologjik nuk është aditiv; është ekologjik. Këtë mund ta shpjegoj më mirë me një analogji. Çfarë ndodh nëse vendosim një pikë të ngjyrës së kuqe në një enë me ujë të pastër? A kemi ujë të pastër plus një pikë ngjyrë të kuqe? Natyrisht që jo. Kemi një ngjyrim të ri në çdo molekulë të ujit. Kjo është ajo që dua të them me ndryshim ekologjik. Mediumi i ri nuk shton diçka; ai ndryshon gjithçka. Në vitin 1500, pasi u shpik shtypshkronja, nuk kishit Evropën e vjetër plus shtypshkronjën. Kishit një Evropë tjetër. Pas televizionit, Amerika nuk ishte Amerika plus televizioni. Televizioni i dha një ngjyrim të ri çdo fushate politike, çdo shtëpie, çdo shkolle, çdo kishe, çdo industrie dhe kështu me radhë.

Kjo është arsyeja pse duhet të jemi të kujdesshëm ndaj risive teknologjike. Pasojat e ndryshimit teknologjik janë gjithmonë të mëdha, shpesh të paparashikueshme dhe kryesisht të pakthyeshme. Kjo është gjithashtu arsyeja pse duhet të jemi dyshues ndaj kapitalistëve. Kapitalistët, sipas përkufizimit, nuk janë vetëm njerëz që marrin rreziqe personale, por, më saktë, njerëz që marrin rreziqe kulturore. Më krijuesit dhe më të guximshmit ndër ta shpresojnë të shfrytëzojnë teknologjitë e reja deri në fund dhe nuk shqetësohen shumë se cilat tradita përmbysen gjatë procesit apo nëse një kulturë është e përgatitur të funksionojë pa tradita të tilla. Kapitalistët janë, me një fjalë, radikalë. Në Amerikë, radikalët tanë më të rëndësishëm kanë qenë gjithmonë kapitalistë - njerëz si Bell, Edison, Ford, Carnegie, Sarnoff, Goldwyn. Këta njerëz e shkatërruan shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe krijuan të njëzetin, prandaj për mua është mister të mendohet se kapitalistët janë konservatorë. Ndoshta sepse kanë prirje të veshin kostume të errëta dhe kravatë gri.

Besoj se e kuptoni se, duke thënë gjithë këtë, nuk po bëj asnjë argument në favor të socializmit. Unë vetëm them se kapitalistët duhet të vëzhgohen me kujdes dhe të disiplinohen. Është e vërtetë se ata flasin për familjen, martesën, devotshmërinë dhe nderin, por nëse u lejohet të shfrytëzojnë teknologjinë e re deri në potencialin e saj të plotë ekonomik, ata mund të zhbëjnë institucionet që i bëjnë të mundshme idetë e tilla. Dhe, këtu mund të jap vetëm dy shembuj të kësaj, marrë nga përballja amerikane me teknologjinë. I pari ka të bëjë me arsimin. Kush, mund të pyesim, ka pasur ndikimin më të madh në arsimin amerikan në këtë shekull? Nëse mendoni John Dewey ose ndonjë filozof tjetër i arsimit, duhet të them se e keni krejtësisht gabim. Ndikimin më të madh e kanë pasur burrat e qetë me kostume gri në një periferi të qytetit të Nju-Jorkut të quajtur Prinston, Nju-Xhersi. Atje ata zhvilluan dhe promovuan teknologjinë e njohur si testi i standardizuar, siç janë testet e IQ-së [Koeficienti i Inteligjencës], SAT-et [Testi i Vlerësimit Shkollor] dhe GRE-të [Testi i Pranimit në Studimet Pasuniversitare]. Testet e tyre ripërcaktuan atë që ne kuptojmë me të mësuarit dhe kanë rezultuar në riorganizimin e kurrikulës për t’iu përshtatur testeve.

Një shembull i dytë ka të bëjë me politikën tonë. Tashmë është e qartë se njerëzit që kanë pasur efektin më radikal në politikën amerikane, në kohën tonë, nuk janë ideologë politikë ose studentë protestues me flokë të gjatë dhe kopje të Karl Marxit nën krah. Radikalët që kanë ndryshuar natyrën e politikës në Amerikë janë sipërmarrës me kostume të errëta dhe kravatë gri që drejtojnë industrinë e madhe televizive në Amerikë. Ata nuk kishin ndërmend ta kthenin diskursin politik në një formë argëtimi. Ata nuk kishin ndërmend ta bënin të pamundur që një person me mbipeshë të kandidonte për një post të lartë politik. Ata nuk kishin ndërmend ta reduktonin fushatën politike në një reklamë televizive prej 30 sekondash. Gjithçka që përpiqeshin të bënin ishte ta kthenin televizionin në një makinë të madhe dhe të palodhur për të bërë para. Se gjatë këtij procesi shkatërruan diskursin politik substancial, kjo nuk i shqetëson.

Ideja e pestë

Arrij tani tek ideja e pestë dhe e fundit, e cila është se mediumet priren të bëhen mitike. E përdor këtë fjalë në kuptimin në të cilin u përdor nga kritiku letrar francez Roland Barthes. Ai e përdori fjalën “mit” për t’iu referuar një prirjeje të zakonshme për të menduar për krijimet tona teknologjike sikur të ishin dhënë nga Zoti, sikur të ishin pjesë e rendit natyror të gjërave. Herë pas here ua kam shtruar studentëve të mi pyetjen nëse dinë kur u shpik alfabeti. Pyetja i habit. Është sikur t’i pyesja kur u shpikën retë dhe pemët. Alfabeti, ata besojnë, nuk është diçka që është shpikur. Ai thjesht është. Kështu ndodh me shumë produkte të kulturës njerëzore, por me asnjërën më vazhdimisht se me teknologjinë. Makinat, aeroplanët, televizioni, filmat, gazetat - ato kanë arritur status mitik sepse perceptohen si dhurata të natyrës, jo si artefakte të prodhuara në një kontekst të caktuar politik dhe historik.

Kur një teknologji bëhet mitike, ajo është gjithmonë e rrezikshme, sepse atëherë pranohet ashtu siç është dhe për këtë arsye nuk është lehtë e ndryshueshme ose e kontrollueshme. Nëse do t’i propozonit amerikanit mesatar që transmetimi televiziv të mos fillojë deri në orën pesë pasdite dhe të ndalojë në orën njëmbëdhjetë të mbrëmjes, ose do të propozonit që të mos ketë reklama televizive, ai do ta mendonte këtë ide si qesharake. Por, jo sepse nuk pajtohet me agjendën tuaj kulturore. Ai do ta mendojë si qesharake sepse supozon se ju po propozoni që diçka në natyrë të ndryshohet; sikur sugjeroni që dielli duhet të lindë në orën dhjetë të mëngjesit në vend të orës gjashtë.

Sa herë mendoj për aftësinë e teknologjisë për t’u bërë mitike, më vjen në mendje një vërejtje e bërë nga Papa Gjon Pali II. Ai tha: “Shkenca mund ta pastrojë fenë nga gabimi dhe supersticioni. Feja mund ta pastrojë shkencën nga idhujtaria dhe absolutet e rreme.”

Ajo që po them është se entuziazmi ynë për teknologjinë mund të shndërrohet në një formë idhujtarie dhe besimi ynë në dobinë e saj mund të jetë një absolut i rremë. Mënyra më e mirë për ta parë teknologjinë është si një ndërhyrës i çuditshëm, duke kujtuar se teknologjia nuk është pjesë e planit të Zotit, por një produkt i krijimtarisë dhe arrogancës njerëzore dhe se aftësia e saj për të bërë mirë ose keq varet plotësisht nga vetëdija njerëzore për atë që ajo bën për ne dhe ndaj nesh.

Përfundim

Dhe, kështu, këto janë pesë idetë e mia për ndryshimin teknologjik. Së pari, ajo që ne gjithmonë paguajmë një çmim për teknologjinë; sa më e madhe teknologjia, aq më i madh çmimi. Së dyti, ajo që gjithmonë ka fitues dhe humbës, dhe që fituesit gjithmonë përpiqen t’i bindin humbësit se ata në të vërtetë janë fitues. Së treti, se në çdo teknologji të madhe është e ngulitur një paragjykim epistemologjik, politik ose shoqëror. Ndonjëherë ky paragjykim është goxha në avantazhin tonë. Ndonjëherë nuk është. Shtypshkronja e asgjësoi traditën gojore; telegrafi e asgjësoi hapësirën; televizioni e ka poshtëruar fjalën; kompjuteri, ndoshta, do ta degradojë jetën komunitare. E kështu me radhë. Së katërti, ndryshimi teknologjik nuk është aditiv; është ekologjik, që do të thotë se ai ndryshon gjithçka dhe për këtë arsye është tepër i rëndësishëm për t’u lënë plotësisht në duart e Bill Gatesit. Dhe, së pesti, teknologjia priret të bëhet mitike; domethënë perceptohet si pjesë e rendit natyror të gjërave dhe për këtë arsye priret të kontrollojë më shumë jetën tonë sesa që bën mirë për ne.

Po të kishim më shumë kohë, do të mund të ofroja disa gjëra të tjera të rëndësishme për ndryshimin teknologjik, por për momentin do të qëndroj te këto dhe do ta mbyll me këtë mendim. Në të kaluarën, ne e kemi përjetuar ndryshimin teknologjik në mënyrën e somnambulëve. Slogani ynë i pashprehur ka qenë “teknologjia mbi gjithçka”, dhe ne kemi qenë të gatshëm të skalisim jetën tonë për t’iu përshtatur kërkesave të teknologjisë, jo kërkesave të kulturës. Kjo është një formë marrëzie, veçanërisht në epokën e ndryshimit të madh teknologjik. Duhet të vazhdojmë me sytë hapur që të mund ta përdorim teknologjinë në vend që të përdoremi prej saj. /Telegrafi/