Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është përgjigjur në pyetjet e Telegrafit në lidhje me Ligjin për Sponsorizim dhe licencimin apo mos licencimin e federatave sportive të Kosovës, ku përveç Federatës së Futbollit (FFK), edhe 16 Federata tjera janë në proces të licencimit.
Ditëve të fundit është diskutuar shumë rreth ndaljes së Ligjit së Sponsorizimit në Sport dhe mos licencimin e disa federatave sportive, ndëro to edhe FFK.
Për të pasur një ide më të qartë në lidhje me thashethemet e fundit dhe situatën momentale rreth licencimit, Telegrafi ka kontaktuar MKRS-në.
Divizioni për Komunikim Publik në kuadër të MKRS-së nuk ka hezituar t’i kthejë të gjitha përgjigjet e pyetjeve të Telegrafit në lidhje me situatën rreth procesit të licencimit të Federatave, ku plot 17 federata janë ende në proces.
“Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ashtu sikur edhe 16 federata tjera sportive (Federata e Golfit të Kosovës, Federata e Boksit të Kosovës, Federata e Shahut të Kosovës, Federata e Badmintonit të Kosovës, Federata e Kajakimit të Kosovës, Federata e Auto Sporteve të Kosovës, Federata e Sportit për të Verbërit, Federata e Tenisit të Kosovës, Federata e Skijimit të Kosovës, Federata e Shenjëtarisë së Kosovës, Federata e Karatesë së Kosovës, Federata e Çiklizmit të Kosovës, Federata e Ragbit të Kosovës, Federata e Gjimnastikës së Kosovës, Federata e Muai Thai e Kosovës, dhe Federata e Veteranëve të Edukimit Fizik) janë në proces të licencimit në MKRS”, ka thënë fillimisht MKRS për Telegrafin.
“Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive (KVLFS) ka shqyrtuar aplikimin e FFK-së sikur edhe të federatave tjera sportive, dhe ka kthyer komentet me dokumentin përkatës në të cilin janë evidentuar në hollësi të gjitha kërkesat e komisionit për plotësim-ndryshimin e dokumentacionit aplikues nga federata në përputhje me kushtet dhe kriteret e parapara në Udhëzimin Administrativ Nr.01/2022 për Kushtet, Kriteret dhe Procedurat e Themelimit, Licencimit dhe Ri-vlerësimit të Federatave dhe Organizatave Sportive”.
“Andaj, deri më tani, KVLFS, ashtu si për FFK-në as edhe për një federatë tjetër nuk ka lëshuar asnjë rekomandim tek Ministri Çeku për refuzim të dhënies së licencës për federatat sportive. KVLFS me të gjitha kapacitetet e tyre janë të hapur për bashkëpunim reciprok në këtë proces që është tërësisht dhe vetëm ligjor. Përveç takimeve të organizuara me të gjitha federatat sportive në fillim të hapjes së aplikimit për licencim, takime të cilat kanë pasur për qëllim informimin e detajizuar të palëve për procesin e licencimit, në të gjitha rastet, pa përjashtim, federatat sportive janë përkrahur sa herë është kërkuar për sqarime shtesë në funksion të licencimit të tyre”.
“Në procesin e licencimit të të gjitha federatave sportive të cilat kanë aplikuar për licencim si dhe për ato të cilat do të aplikojnë në të ardhmen janë duke u aplikuar të gjitha kriteret ligjore që janë aplikuar tek 9 federatat sportive të cilat tashmë janë licencuar nga MKRS”.
“Me marrjen e licencës në MKRS, federatat sportive dhe të gjithë anëtarët e tyre fitojnë të drejtën e përfitimeve dhe bartjen e obligimeve të cilat burojnë nga Ligji për Sport, Ligji për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Tjera Negative në Sport, Ligji për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe nga të gjitha ligjet tjera të cilat janë në fuqi në Republikën e Kosovës”, përfundon përgjigja e MKRS-së. /Telegrafi/