Polemikat mes Qeverisë dhe Presidencës janë thelluar pas publikimit të një videoje nga kabineti i presidentes Vjosa Osmani, ku shfaqet ministri i Financave Hekuran Murati duke folur për afatin e zgjedhjes së presidentit dhe mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit.

Në deklaratën e shpërndarë të shtunën nga këshilltarët e presidentes, përfshirë Donika Kadaj dhe Egnesa Vitia, Murati dëgjohet duke thënë se nëse deri më 4 mars nuk zgjidhet presidenti ose presidentja e re, atëherë duhet të shpërndahet Kuvendi. Publikimin e ka shpërndarë edhe shefja e stafit të presidentes, Learta Hollaj.




Pas publikimit të videos, Murati ka reaguar duke sqaruar se deklarata e tij i referohej situatës kur procesi i zgjedhjes së presidentit kalon nëpër tri raunde votimi dhe asnjëri kandidat nuk arrin t’i marrë 61 votat e nevojshme në Kuvend.

Ai theksoi se dekreti i fundit për shpërndarjen e Kuvendit nuk është marrë në bazë të nenit 86 (6) të Kushtetutës, por mbi bazën e nenit 82 (1.3), i cili sipas tij parasheh një afat prej 60 ditësh nga nisja e procesit të zgjedhjes së presidentit para se të mund të shpërndahet Kuvendi.

“Prandaj në mënyrë që dekreti të qëndronte, nuk do të duhej të merrej në ditën e dytë, por vetëm pasi të ishin konsumuar 60 ditë, siç e përcakton Kushtetuta. Kësisoj, dekreti është në shkelje të Kushtetutës”, ka shkruar Murati./Telegrafi/