LAJMI I FUNDIT:

Përplasjet LVV-LDK shpërfaqin vullnetin dhe drojën për bashkëqeverisje

Përplasjet LVV-LDK shpërfaqin vullnetin dhe drojën për bashkëqeverisje

Përplasjet përmes deklaratave, kryesisht përmes rrjeteve sociale, të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpërfaqin vullnetin, por edhe drojën për bashkëpunimin ndërmjet këtyre dy partive për formimin e qeverisë së re të vendit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Të dy këto parti, të cilat, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit kanë marrë shumicën e votave të qytetarëve –Lëvizja Vetëvendosje e para dhe pas saj Lidhja Demokratike e Kosovës –ndonëse thonë së janë duke punuar për përafrimin e qëndrimeve mbi parimet e qeverisjes së ardhshme, zyrtarët e këtyre partive në disa raste kanë shkëmbyer polemika.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tre ditë më parë, në rrjetin social Facebook, ka thënë se “asnjë parti s’mund ta formojë qeverinë e vetme” dhe se “ajo që është e qartë, është se emri i kryeministrit kalon nëpër zyre të LDK-së”.


Ndaj kësaj deklarate, të njëjtën ditë ka reaguar, po ashtu, përmes rrjetit social Facebook, Albulena Haxhiu, nënkryetare e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se “emri i kryeministrit është vendosur më 6 tetor”, duke aluduar në liderin e partisë së saj, Albin Kurtin.

Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, që polemika të ngjashme ndërmjet eksponentët e të dy partitë janë parë edhe gjatë fushatës zgjedhore. Por, sipas tij, pesha politike, e cila ka rënë mbi këto dy parti për ta krijuar një qeveri, duket se nuk është duke u kuptuar mirë nga eksponentë të caktuar nga të dy partitë.

Analistët: Mosmarrëveshjet LVV e LDK t'i thonë në takime, të ndalet kjo fushatë në rrjete sociale
Lexo po ashtu Analistët: Mosmarrëveshjet LVV e LDK t'i thonë në takime, të ndalet kjo fushatë në rrjete sociale

“Në vend se ta orientojnë energjinë e tyre bashkëpunuese drejt gjetjes së zgjidhjeve për çështjet që i dallojnë, ata janë duke humbur kohë dhe janë duke e cenuar këtë atmosferë të mirë, e cila u krijua pas 6 tetorit, me deklarata krejtësisht të kota dhe të cilat vetëm sa e dëmtojnë procesin e bashkëpunimit. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, domosdo duhet ta kenë të qartë se duhet të bëjnë kompromise të konsiderueshme në qoftë se dëshirojnë që të qeverisin bashkë”, tha Muhaxhiri.

Njohësi tjetër i zhvillimeve politike, Armend Muja, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë fituar votat me premtimin se do të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Por, siç thotë ai, karshi forcimit të këtij bashkëpunimi, ekzistojnë disa pengesa.

Sipas tij, te LDK-ja ekziston droja se ajo mund të përfundojë me influencë të zbehur në një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, droja se në qeverisjen e përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje do të humbin disa krahë të LDK-së, si dhe droja se në qeverisjen e përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje, kjo e fundit mund të monopolizojë pushtetin. Gjithashtu, sipas tij, problem shtesë ndërmjet dy partive do të jetë edhe ndarja e posteve. Megjithatë, siç thotë Muja, problemi kryesor ndërmjet dy partive, do të jetë posti i presidentit të vendit, pas përfundimit të mandatit të presidentit aktual, Hashim Thaçi.

“LDK-ja insiston që të ketë tash një sqarim se çka do të ndodhë me presidentin, kurse nga Vetëvendosje kemi parë deklarata që thonë se diskutimet për presidentin duhet të bëhen në prill të vitit 2021, atëherë kur edhe i del mandati presidentit Thaçi dhe që të jetë e hapur mundësia edhe për kandidatët e shoqërisë civile. Unë mendoj që të gjitha diskutimet që kanë shkuar deri më tash, kanë shkuar sipas qasjes ‘ejani të diskutojmë për gjërat që pajtohemi’ dhe unë besoj që ato kanë shkuar mirë. Mirëpo, gjërat e ndërlikuara i kanë lënë për fund dhe unë mendoj që në dy javët në vazhdim, do të ketë diskutime goxha të vështira ndërmjet dy partive”, theksoi Muja.

Megjithatë, të dy njohësit e zhvillimeve politike, përjashtojnë mundësinë që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të hyjnë në mospajtime të thella dhe për pasojë të mos mund të formojnë koalicionin qeverisës.

Muhaxhiri thotë se të dy partitë nuk do të mund t’i shmangen presionit të votuesve të tyre për të formuar së bashku qeverinë.

“Prandaj, këtyre dy partive u është imponuar krijimi i qeverisë, në mënyrë që ta mishërojnë ndryshimin konceptor, i cili ndodhi më 6 tetor. Në fakt, gjithmonë ekziston mundësia e moskrijimit të qeverisë, por unë mendoj që në momentin aktual, kjo nuk mund të ndodhë, sepse do të ishte vrastare në aspektin politik, qoftë për Vetëvendosjen, qoftë për LDK-në”, u shpreh Muhaxhiri.

Ndërkaq, Muja vlerëson se është me përfitim për të dy partitë që të formojnë koalicionin qeverisë dhe po ashtu, mandatin e kanë fituar duke premtuar se do të hyjnë në një. Për më shumë, sipas tij, në Kosovë, tashmë ka ndryshuar fryma politike dhe ajo e kërkon një koalicion të tillë.

“Të gjitha rrethanat, përfshirë edhe faktorin ndërkombëtar, do të kushtëzohen që të ndihmojnë për mbështetjen e formimit të një qeverie të re ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, e sidomos kur kihet parasysh që po vjen janari dhe kërkohet miratimi i Ligjit të buxhetit. Pastaj, pritet edhe fillimi i dialogut me Serbinë, dhe kështu me radhë. Mendoj që të gjitha rrethanat çojnë drejt një koalicioni ndërmjet këtyre dy partive. Por, megjithatë, nuk e përjashtoj mundësinë që këto dy parti do të kenë vështirësi në ndarjen e posteve dhe do të lypset ndërhyrja e palëve të treta ose nga faktori ndërkombëtar, për të lehtësuar një marrëveshje”, theksoi Muja.

Sidoqoftë, të hënën, grupet punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë takuar për herë të pestë për të harmonizuar qëndrimet mbi parimet e qeverisjes së përbashkët në të ardhmen. Zyrtarët e këtyre partive, kanë theksuar se polemikat ndërmjet oponentëve të të dy partive, nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e punës së këtyre grupeve. Gjithashtu, ata kanë paralajmëruar se brenda dhjetë ditësh do të përfundojnë negociatat për formimin e qeverisë së re. /REL/

Në trend Lajme

Më shumë
Arrestimi i të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it, Elshani: Nuk do të ndalemi

Arrestimi i të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it, Elshani: Nuk do të ndalemi

Drejtësi
Vëllau i Liridona Ademajt: Fëmijët janë të brengosur nga fakti që e panë se si babai i tyre e shtrëngoi për krahu nënën e tyre që të kryhet më lehtë vrasja

Vëllau i Liridona Ademajt: Fëmijët janë të brengosur nga fakti që e panë se si babai i tyre e shtrëngoi për krahu nënën e tyre që të kryhet më lehtë vrasja

Lajme
Policia e Kosovës pajiset me automjete të reja, për mbështetje të Njësive speciale-policore gjatë operacioneve dhe aksioneve të veçanta

Policia e Kosovës pajiset me automjete të reja, për mbështetje të Njësive speciale-policore gjatë operacioneve dhe aksioneve të veçanta

Siguri
Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e tre personave për shpërdorim të pasurisë

Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e tre personave për shpërdorim të pasurisë

Kronika e Zezë
Abazoviq: Në katër vitet e fundit në Ballkan nuk janë kryer punë, me Trump do të ndryshojë situata

Abazoviq: Në katër vitet e fundit në Ballkan nuk janë kryer punë, me Trump do të ndryshojë situata

Lajme
Ekspertët e çështjeve të drejtësisë: Zhbërja e Speciales mision i pamundur

Ekspertët e çështjeve të drejtësisë: Zhbërja e Speciales mision i pamundur

Lajme
Kalo në kategori