Përmbytjet në Kosovë në sy të mediave botërore

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të Kosovës gjatë kësaj jave, duke detyruar shërbimet emergjente të ndërhyjnë në incidente të shumta në mbarë vendin, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters.
Sipas Reuters, pamje nga qyteti i Kuzminit tregojnë vetura të zhytura nën ujë, shtëpi të përmbytura dhe zjarrfikës që evakuojnë banorë të mbetur të bllokuar si pasojë e rritjes së nivelit të ujit.
Autoritetet lokale kanë angazhuar ekipet e emergjencës për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur, ndërsa situata mbetet e vështirë në disa zona për shkak të reshjeve të vazhdueshme dhe dëmeve në infrastrukturë.
Reuters raporton se përmbytjet kanë shkaktuar gjithashtu probleme në furnizimin me energji elektrike, duke lënë pa rrymë disa vendbanime, ndërkohë që autoritetet po punojnë për normalizimin e gjendjes.
Po ashtu edhe Sky News edhe Al Jazeera kanë raportuar për gjendjen e rëndë si pasojë e vërshimeve./Telegrafi.
















































