Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL), në bashkëpunim me British Council, ka organizuar në Prishtinë eventin përmbyllës rajonal të projektit “Bridging Creatives: Partneriteti Kosovë – Shqipëri – Mbretëri e Bashkuar për Rritje Kreative”, një iniciativë e mbështetur nga programi Western Balkans – UK Creative Skills Development Fund, ku u certifikuan pjesëmarrësit që morën pjesë në trajnimet e zhvilluara gjatë projektit.

Projekti kishte për qëllim zhvillimin e aftësive profesionale në sektorin kreativ, me fokus të veçantë në funksionimin dhe menaxhimin e galerive komerciale, si dhe në promovimin ndërkombëtar të artistëve nga Kosova dhe Shqipëria.




Gazmend Ejupi, një nga trajnerët theksoi se ky projekt është i veçantë pasi për herë të parë është ofruar një trajnim i strukturuar për mënyrën se si funksionojnë galeritë komerciale dhe për mundësitë që ato krijojnë për artistët.

Gazmend Ejupi Foto: Ridvan Slivova

“Projekti ka shku shumë interesant, se për herë të parë është bo një projekt, me të cilin janë mbajtë trajnime se si funksionon një galeri komerciale”, u shpreh ai.

Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria kanë potencial të madh për zhvillimin e tregut të artit, sidomos duke marrë parasysh rritjen e turizmit dhe interesimin e koleksionistëve për artin në rajon.

“Për momentin, Kosova dhe Shqipëria kanë një potencial shumë të madh për shkak të turizmit. Kërkesat janë shumë të mëdha… mirëpo targeti i projektit është me pasë shumë më shumë ndërkombëtarë, me promovu kulturat dhe artistët tonë të ri nëpërmes galerive komerciale”, theksoi ai.

Naim Spahiu, përfaqësues i galerisë “Open Art” i cili është një nga pjesëmarrësit e këtij trajnimi tha se programi ka ndikuar drejtpërdrejt në profesionalizimin e punës së tij në sektorin e artit, duke i dhënë njohuri praktike për menaxhimin e galerive dhe projekteve artistike.

Gazmend Spahiu Foto: Ridvan Slivova

“Ky trajnim ka pas shumë efekt… Hapja e një galerie ka fillu më shumë si pasion, po tash po shndërrohet në profesion”, tha ai.

Ai shtoi se përmes këtij programi pjesëmarrësit kanë mësuar bazat e funksionimit të galerive komerciale në Evropë dhe në botë, duke përfshirë menaxhimin e projekteve, fondeve dhe përfaqësimin profesional të artistëve.

“Kur thamë në profesion, kuptohet që kemi mësu bazën e galerive komerciale se qysh përfaqësohen nëpër Evropë, botë dhe njëherit menaxhimi i projekteve, fondeve edhe përfaqësimi dinjitoz i artistëve”, theksoi ai.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Proshtinës, Përparim Rama vlerësoi bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rëndësinë e zhvillimit të galerive komerciale për ekosistemin kulturor dhe kreativ.

P\u00ebrparim Rama, kryetar i Komun\u00ebs s\u00eb Prishtin\u00ebs Foto: Ridvan Slivova

“Jam shumë i lumtur për këtë bashkëpunim, për këtë iniciativë të re… duhet të kemi përveç galerive që subvencionohen prej kryeqytetit edhe galeri komerciale”, u shpreh ai.

Sipas tij, arti dhe kreativiteti luajnë rol kyç në zhvillimin e qyteteve dhe në krijimin e hapësirave ku njerëzit dëshirojnë të jetojnë dhe të punojnë.

“Arti e përmbush shpirtin, kreativiteti e përmbush shpirtin, i krijon qytetet, vendet ku ne dëshirojmë me jetu, me punu edhe me kalu kohën tonë”, tha ai.

Foto: Ridvan Slivova

Ai shtoi se zhvillimi i tregut të artit duhet të mbështetet dhe të zhvillohet më tej, duke krijuar mundësi edhe për përfitime ekonomike pa cenuar vlerat artistike.

“Duhet me e mbrojtë edhe me shty përpara këtë proces edhe me tregu qysh mundemi edhe me përfitu në aspektin komercial, pa e mbyt shpirtin artistik dhe kreativ”, theksoi ai.

Projekti “Bridging Creatives” synon të forcojë lidhjet mes sektorëve kreativë të Kosovës, Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke ndihmuar artistët dhe profesionistët e industrisë kreative të zhvillojnë aftësi të reja, të krijojnë rrjete bashkëpunimi dhe të rrisin prezencën e tyre në tregun ndërkombëtar të artit. /Telegrafi/

Foto: Ridvan Slivova