Për tre muaj 21 të arrestuar në rajonin e Gjilanit për vepra të ndryshme penale

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, duke vepruar në bazë të autorizimeve ligjore, ka formuar një task forcë të veçantë me fokus arrestimin e personave të kërkuar nga organet e drejtësisë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se gjatë periudhës 13.05.2025 deri më 13.08.2025, përmes veprimeve operative të planifikuara dhe të koordinuara në terren, janë realizuar disa operacione policore, të cilat kanë rezultuar me lokalizimin dhe arrestimin e njëzet e një (21) personave të shpallur në kërkim nga gjykatat kompetente.
"Personat e arrestuar kanë qenë të dënuar me masa burgimi nga një deri në pesë vite e gjashtë muaj, për vepra të ndryshme penale, përfshirë: Vrasje në tentativë, trafikim me njerëz, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, bashkësi jashtëmartesore me person nën moshën 16 vjeç, vjedhje e vjedhje të rënda, si dhe vepra të tjera penale".
Tutje në njoftim thuhet se pas përfundimit së procedurave ligjore, të gjithë të arrestuarit janë dërguar për vuajtje të dënimit.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan vazhdon me përkushtim në zbatimin e ligjit, duke ndërmarrë veprime të vazhdueshme për lokalizimin dhe arrestimin e personave që ende nuk i janë përgjigjur thirrjes së gjykatave. /Telegrafi/



















































