LAJMI I FUNDIT:

Për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë e kundër shqiptarit të arnuar

Për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë e kundër shqiptarit të arnuar

Flitet se pas vitit 1948 – pas prishjes së raporteve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, kur kryeqyteti i Kosovës nuk ishte më Prizreni – caktohet një arkitekt bjellorus, që kishte ikur nga Revolucioni komunist i Tetorit 1917, që ta bëjë planin urbanistik të Prishtinës. Sipas një rrëfimi, ai kishte parashikuar parqe, sheshe, rrugë e bulevarde të gjera. Por, komunistët shqiptarë e refuzuan shpejtë projektin e tij, me një përgjigje diçka si kjo: cili njeri normal e jep tokën e bukës për rrugë!?

Për këtë rrëfim nuk ka dëshmi të shkruara. Por, ajo që dihet është se Prishtina, si kryeqytet, u zhvillua në mënyrë kaotike e pa plan. Prandaj, në shumë portale e media të huaja njihet si kryeqyteti më i shëmtuar në Evropë (e madje edhe në botë). Apo, siç Deborah Huso ka shkruar vitin e kaluar për BBC-në: “Në Prishtinë bukuria fshihet nen beton dhe e sfidon domethënien e së bukurës.”

Për të gjetur fajtorin, duhet t’i kthehemi thënies së Platonit: “Ky qytet është ai që është, sepse qytetarët tanë janë ata që janë.”


Se kush janë qytetarët shqiptarë, kjo zbërthehet mirë me kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. Lumi Vardar ndan Shkupin në dy pjesë: anën lindore me shumicë shqiptare dhe tjetrën perëndimore me shumicë maqedono-veriore. Por, kjo ndarje ka edhe konotacione tjera, pos atij etnik. Dallimet janë edhe të aspektit kulturor e estetik. Kështu, Ura e Gurit nuk është veç strukturë që lidhë këto dy anë të një qyteti. Është edhe simboli i kalimit nga një botë në botë tjetër… nga rendi në kaos dhe anasjelltas! Fatkeqësisht, për rend nuk shquhen shqiptarët që ndërtojnë lagje dosido e ngrehina pa shije, kuazi-perëndimore e kuazi-lindore.

Nëse dikush gjen arsyetime për rolet e të tjerëve (joshqiptarë), dikur apo sot, në Prishtinë apo në Shkup, çfarë mund të thuhet për Tiranën 100 vjet kryeqytet? Si nuk ia doli Shqipëria ta ndërtojë një kryeqytet funksional?

Fajtorin edhe në këtë rast duhet kërkuar tek shumica e qytetarëve që nuk mendojnë për mirëqenin e përgjithshme; tek ata që as shtetin nuk e konceptojnë si sistem që duhet t’ju shërbejë trashëgimtarëve të tyre; tek ata që nuk e kuptojnë se e nesërmja varet nga veprat e sotme… Prandaj, arkitekti dhe mjeshtri i enterierit, Ilir Llonçari, shprehet se sipas standardeve të shteteve normale, shqiptarët nuk kanë kryeqytete; se Prishtina e Tirana nuk janë gjë tjetër pos qytetet më të mëdha në Kosovë e në Shqipëri. Asgjë më shumë. Sipas tij, gjithçka ka nisë mbrapshtë, ndërsa arnat e arnimi janë mënyra e vetme e shqiptarëve për të krijuar iluzionin e veprimit dhe për të kamufluar cullakun – mungesën e madhe të së bukurës dhe funksionales.

Sot u dha lajmi se do të shembet godina e Teatrit Kombëtar, në qendër të Tiranës, i projektuar më 1938 nga Giulio Berte. Toka ku u ndërtua i takonte familjes Libohova, që e shiti me kushtin që aty të mos ndërtohet asnjë objekt që nuk ka lidhje me art e kulturë. Duhet cekur se ishin pikërisht arkitektët italianë – Berte, Florestano Di Fausto, Vittorio Ballio Morpugo, Armando Brasini, Gherardo Bosio etj. – që projektuan planin e parë të duhur urbanistik të Tiranës. Ndërtimet e tyre – që nga Sheshi “Skenderbej” e deri te Universiteti i Arteve – janë dëshmitë më të mira të tendencës që Tirana të bëhet kryeqytet me shije e funksional. Ky plan u ndërpre nga komunistët e u degradua nga demokracia. Në këtë aspekt, Llonçari e përmend faktorin “imago mundi”, sepse me degradimin e qytetit e pësojnë njerëzit. “Qytetet ndërtohen për të ndjerë siguri, e siguria vjen nga gjerat e njohura. Me shkatërrimin e tyre rrezikohen edhe njerëzit”, thotë ai.

Nëse letërsia është si reflektim i jetës së individit dhe botëkuptimeve të shoqërisë, qyteti është pasqyra e kulturës, e kualitetit të jetesës, harmonisë dhe komunikimit ndërnjerëzor. Misioni i çdo vendbanimi është të jetë në shërbim të banorëve. Por, kujt i shërbejnë Prishtina e Tirana? U shërbejnë njerëzve për të cilët arti, kultura e trashëgimia nuk kanë rëndësi. Rëndësi ka veç toka dhe profitet që ajo i sjell. E, në këtë marsh kaosi, aleatët gjenden kudo, madje tek “ndërtimtarët”, “inxhinierët” e “artistët”… Sepse, shumica e popullit hesht. E gjitha kjo vërtetohet me historinë e planeve për shembjen e objektit të Teatrit Kombëtar në Tiranë, ku aleatët e së ligës u afruan ngado, nga Kosova e nga Maqedonia e Veriut, të tillë që madje thoshin se rrënimi s’është gjë meqë kujtesa kolektive mund të reduktohet në një maket miniaturë!?

Në anën tjetër të kësaj historie është grupi i njohur si Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në një betejë të vështirë. Por, me kauzë të drejtë, sepse po mbrohet një vatër e artit; respekti për vlerën; kujtesa për ata nuk janë e që nuk duhet harruar! Po luftohet një kontratë nga e cila fiton regjimi kleptokrat e kakistokrat dhe bashkëpunëtorët e tij, e po demaskohen të tjerët që zënë vend në media për kinse art, por që artin e përdorin si trampolinë për përfitime personale. Por, po ashtu po tregojnë se në Shqipëri ka njerëz me kurriz që janë kundër arnimeve… Ndaj, duhet të mbështetur këtë Aleancë, sepse triumfi i individëve ndaj një shoqërie të tërë do të jetë ogur i zi për të gjithë shqiptarët, kudo ku janë. Atëherë jo veç arti e arkitektura, por edhe shqiptari rrezikon të bëhet qenie e arnuar!

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Kombëtarja e Shqipërisë
Kalo në kategori