LAJMI I FUNDIT:

Pence dhe Harris përplasen për coronavirusin – dhe jo vetëm – në debatin për postin e nënpresidentit

Pence dhe Harris përplasen për coronavirusin – dhe jo vetëm – në debatin për postin e nënpresidentit

Nënpresidenti Mike Pence mbrojti mënyrën e menaxhimit nga ana e administratës së presidentit Donald Trump të pandemisë së coronavirusit që ka shkaktuar vdekjen e mbi 210,000 amerikanëve, ndërsa rivalja e tij demokrate, Kamala Harris, dënoi atë që e quajti “dështimin më të madh të një administrate presidenciale” gjatë një debati kryesisht civil të mërkurën mbrëma, që u mbizotërua nga tema e COVID-19.

Ndërsa Presidenti Trump vazhdon të jetë i infektuar nga virusi në Uashington, senatorja Harris deklaroi se nuk do të merrte një vaksinë nëse presidenti republikan e miratonte atë pa mbështetjen e profesionistëve të mjekësisë.

Nënpresidenti Pence, i cili drejton grupin e posaçëm të punës për coronavirusin në Shtëpinë e Bardhë, e pranoi se “vendi ka kaluar një periudhë shumë të vështirë këtë vit”.


Por ai shtoi se “Unë dua që populli amerikan ta dijë, se që nga dita e parë, ka vënë shëndetin e popullit amerikan në plan të parë”, tha zoti Pence, duke premtuar miliona doza të një trajtimi ende të panjohur para fundit të vitit.

Ai gjithashtu dënoi mosbesimin e senatores Harris për vaksinat e mundshme për të cilat është mburrur presidenti: “Senatore, ju kërkoj që të mos bëni politikë me jetën e njerëzve”.

Që nga fillimi pati shkëmbime të nxehta, por në përgjithësi ishte një atmosferë shumë më e respektueshme sesa debati i parë presidencial para tetë ditësh.

Ndërsa në atë debat me ish-nënpresidentin Biden, presidenti Trump ishte më agresiv, duke ndërprerë dhe pothuajse duke bërtitur, zoti Pence shfaqi më shumë disiplinë.

Kandidatët debatuan në një auditor ku çdo të ftuari që refuzonte të mbante maskë do t’i kërkohej të largohej, një sfond i pazakontë për debatin e vetëm për kandidatët për nënpresident në vitin 2020.

Në thelb, debati paraqiste një shans për votuesit që të vendosnin nëse nënpresidenti Pence apo Senatorja Harris, do të ishin të përgatitur të merrnin kompetencat e presidencës përpara fundit të mandatit të ardhshëm.

Dhe pyetja nuk është edhe aq teorike: Presidenti Donald Trump, 74 vjeç, po merr veten nga coronavirusi dhe 77-vjeçari Joe Biden nuk është infektuar por do të ishte presidenti më i vjetër ndonjëherë nëse zgjidhet.

Për këto arsye dhe të tjera, debati në Universitetin e Jutas në Salt Lake City, ishte ndoshta debati më i rëndësishëm për postin e nënpresidentit, prej dekadash.

Dhe vjen në një moment pasigurie në veçanti për republikanët, me shqetësimin në rritje se pozitat e Presidentit Trump po dobësohen pasi pothuajse 20 zyrtarësh të lartë në Shtëpinë e Bardhë, Pentagon dhe brenda fushatës së tij janë infektuar me virusin ose në karantinë.

Duke pasur parasysh se sipas sondazheve, presidenti Trump dhe nënpresidenti Pence janë prapa, ata nuk kanë kohë për të humbur; Kanë mbetur më pak se katër javë deri në zgjedhje dhe miliona amerikanë tashmë po i hedhin votat.

Edhe para se të fillonte të fliste, zonja Harris hyri në histori duke u bërë gruaja e parë afrikano-amerikane në një skenë debati për nënpresidente.

Mbrëmja e së mërkurës i ofroi asaj një shans për të mobilizuar votuesit e mundshëm të cilët kanë treguar vetëm entuziazëm modest për Biden, një politikan me përvojë me një histori të përzier qëndrimesh ndaj races mbi dhe drejtësisë penale, veçanërisht në vitet e tij të hershme në Senat.

Zonja Harris, 55 vjeç, është vajza e një babai xhamaikian dhe një nëne Indiane.

Ajo është gjithashtu një ish-prokurore, e cila është bërë një yll mes demokratëve, pjesërisht falë pyetjeve të mprehta ndaj kandidatëve të emëruar nga presidenti Trump për gjykata dhe poste të tjera.

Zoti Pence është një ish-guvernator 61-vjeçar nga Indiana dhe ish-drejtues radioje, një i krishterë evangjelist, i njohur për natyrën e tij popullore dhe besnikërinë e tij të palëkundur ndaj zotit Trump.

Dhe ndërsa ai është mbrojtësi më i fortë publik i presidentit Trump, nënpresidenti nuk ka të njëjtin ton të ashpër apo stilin e presidentit.

Kandidatët gjithashtu u përplasën për taksat – më konkretisht, për refuzimin e Presidentit Trump për të bërë publik informacionin për taksat që ai ka paguar, katër vjet pasi kishte premtuar vazhdimisht ta bëjë një gjë të tillë.

New York Times raportoi muajin e kaluar se presidenti paguan shumë pak taksa mbi të ardhurat por ka qindra miliona dollarë borxh.

“Do të ishte vërtet mirë të dinim se kujt i detyrohet presidenti para”, tha Harris.

“Një gjë që dimë për (ish-nënpresidentin) Joe është se ai i nxjerr të gjitha informacionet hapur. Ai është i sinqertë, është i çiltër”, shtoi ajo. “Donald Trump, nga ana tjetër, mbulon gjithçka”.

Zot Pence e mbrojti Presidentin Trump për hapjen e vendeve të punës, i cili ka paguar një sasi të madhe taksash dhe e zhvendosi temën tek zoti Biden: “Që ditën e parë, Joe Biden do të rrisë taksat tuaja”.

Ndërsa debati përfshinte një sërë temash, virusi ishte në plan të parë.

Presidenti Trump bëri publike një video vetëm tre orë para debatit duke e quajtur diagnozën e tij “një bekim i fshehur” sepse sipas tij ajo hodhi dritë mbi një kombinim eksperimental antitrupash të cilit ai i atribuoi meritën për përmirësimin e gjendjes së tij – megjithëse as ai dhe as mjekët e tij nuk mund ta dinë nëse ilaçi pati atë efekt.

Zoti Pence është kreu i grupit të punës së presidentit për coronavirusin, i cili nuk ka arritur të zbatojë një strategji gjithëpërfshirëse kombëtare, në një kohë kur vetë presidenti Trump është infektuar nga virusi dhe numri i të vdekurve në shkallë vendi ka kapërcyer shifrën 210,000 dhe vazhdon të rritet. /VOA/

Në trend Botë

Më shumë
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë

Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë

Evropa
Brenda fabrikës së armëve të Koresë së Jugut që mund ta furnizojë Ukrainën

Brenda fabrikës së armëve të Koresë së Jugut që mund ta furnizojë Ukrainën

Azia
Publikohet një dokument prej 1000 faqesh që detajon planet e Gjermanisë në rast të një lufte në Evropë

Publikohet një dokument prej 1000 faqesh që detajon planet e Gjermanisë në rast të një lufte në Evropë

Evropa
Shtetet evropiane zotohen se do ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare - Netanyahu do të arrestohet

Shtetet evropiane zotohen se do ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare - Netanyahu do të arrestohet

Evropa
Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Evropa
Shtatë vendet me ajrin më të pastër në botë

Shtatë vendet me ajrin më të pastër në botë

Botë
Kalo në kategori