LAJMI I FUNDIT:

Patriot lindesh, nuk bëhesh më vonë

Patriot lindesh, nuk bëhesh më vonë
22 Nov 2014, Kosovo --- Nov. 22, 2014 - Prishtina, Kosovo - Kosovo's independent political analyst Fadil Lepaja, sitting next to his home library in Pristina, Kosovo's capital city. Lepaja, is one of most active public figures in political and social opinions and analyst in the country's level, his main field of interest depict the national traditional policy making analysis, as well as international relations. (Credit Image: © Vedat Xhymshiti/ZUMA Wire) --- Image by © Vedat Xhymshiti/ZUMA Press/Corbis

Nëse nuk je i lindur në regjion të caktuar, nëse nuk je në parti të caktuar, nëse babai yt e ka valëvitur flamurin me gjashtë yje qysh më 1912, apo flamurin kuqezi qysh përpara Skënderbeut, kot e ke! Nuk je patriot. Nëse je me Ismail Qemalin, me Skënderbeun, me Zahirin, apo nëse je me… prapë ka me u gjet ndonjë gabim! Kot thua nuk jam me askënd, jam me veten, kam dhënë gjak 30 herë, kam punuar për këtë vend, e di himnin përmendësh, paguaj tatim. Nuk je patriot!

Patriotizmi nuk është kategori politike. As ligjore. Më kot i jep zor tej mase kësaj pune. Është diçka që ose je ose nuk je. Është gjenetike. Dhuruesit potencialë të gjakut dhe të spermës, në të ardhmen duhet të specifikojnë edhe këto detaje. Denbabaden patriot. Babë e birë. Gjysh e katragjysh.

Na ruaj o Zot, mundet me ndodhë që nesër krejt paparashikueshëm dikush të votojë në Parlament kundër. Kundër demarkacionit për shembull. Ose mundet edhe të votojë “për”. Të votojë kështu ose ashtu, kundër këtij apo atij, duke injoruar thirrjet e atyre, këndej apo andej, që janë patriotë me pedigre, denbabaden, dhe pastaj analistët e shumtë – të cilët në proporcion të drejtë me krizën shtohen si kërpudhat pas shiut – mund të hutohen dhe të mos e kenë as idenë më të vogël përse ka tradhtuar filani. Kjo do të ishte fatale për kombin. Jo tradhtia vet, sa pamundësia për me e shpjegu se përse dikush mundet me ia leju vetes me qenë ndryshe, e sidomos me mendu ndryshe, dhe përfundimisht është e pafalshme me votu ndryshe. Madje, edhe ndryshe nga baba. Është tradhtar, nuk ka fije dyshimi. Tradhtia brina nuk ka.


Por, diqysh, sa e pafavorshme krejt kjo, në rrethana kur vjen puna te gjykatat, mundet me qenë edhe rrethanë lehtësuese. Sikur droga. Mbrohesh me varësi kronike, të trashëguar madje, e cila të shtyn me ba veprime që nuk do. Edhe tradhtia qenka diçka që ka të bëjë me gjak, me ADN-në. Baba ka faj!

Kështu, dyshimi i parë detyrimisht bie te baba. Në rregull, edhe nëna nuk është krejtësisht e pafajshme, apo thënë ligjërisht krejt e amnistuar, pasi pjesëmarrja e tyre në punët publike të Atdheut tash vonë është e obliguar me 30 për qind!

Ndoshta nuk pajtoheni, të dashur lexues, por krejt logjika e shëndoshë, e pavarur, dhe jozyrtare na çon në atë drejtim. Politika është kontaminua me akuza për pedigre patriotike të paqartë, në fakt të papastër. Kushdo që ka ngecur me argumentime tjera të zakonshme në politikë – si për shembull që mund të jenë (mos)përmbushja e premtimeve paraelektorale, performanca e dobët, apo edhe kapja në shtrat me krimin – pa një pa dy kapet te… baba. Ja përmend babën kundërshtarit politik, i cili e ka marrë guximin me e kritiku publikisht për dështime, krim, korrupsion, apo mungesë vizioni. Për çkado.

Edhe në vend të përgjigjes e shan “me babë”, pra e akuzon publikisht se kundërshtari i tij babën e kishte ashtu ose kështu. Kryesisht, ashtu. Pra, tradhtar, hajn… Por, t’i lëmë të tjerat, se sot bëhet fjalë për çështje kombëtare, për patriotizëm dhe tradhti.

Pra, tradhtia është trashëguese.

Lëre anash faktin se përpos akuzës së vet, patrioti zyrtar nuk ofron asnjë fakt, përpos trashëgimisë, kundërshtari politik neutralizohet pastaj me zhurmën e medias publiko-private. Publike, po se po, por edhe private. Kështu kur ndodh të pasurohesh nga pushteti, pastaj bënë edhe mediat e tua private, e besa edhe personale e je i armatosur për luftë. Për shembull profili në Facebook.

Ka me dhjetëra personalitete publike të cilat rrjetet sociale i kanë shndërruar në armë politike, ku kanë ndjekës dhe lexues më shumë se shumica e mediave. Edhe Qeveri(s)ja është virtualizuar. Edhe opozita. Pra, lere anash arsenalin e armatimit luftarak deri te ato bërthamore, lufta është kallë në internet, me Ad Hominem. Baba i Fisit është tradhtar. Baba i Dastidit paska kënduar për Titon. Baba i Beratit paska (ndoshta ka) ba diçka, se kot s’e kanë futur në bunarë – thonë opozita. Baba i dikujt tjetër të Vetëvendosjes paska dhënë leje për një kishë politike në kompleksin universitar, e cila sot e kësaj dite nuk ka kambanë e as nuk është rrënuar bashkë me politikën që e ngriti kryqin gjigand me helikopter, vetëm pak ditë përpara hyrjes së trupave të NATO-s në Prishtinë. Edhe tash, djali i tij kërkon bashkim kombëtar. Ec e beso. Ka konspiracion këtu?!

Për të qenë korrekt, janë përmendur edhe nënat. Nëna e atij që i ka bajtë bukë UÇK-së, edhe e atij tjetrit e cila nuk ka bajtë bukë për askënd pos për fëmijët e vet. Apo për Policinë serbe. Bukë nuk kishte or vëlla. Pastaj se mos kishte nevojë Policia serbe t’ju sillte bukë dikush nga nënat tona. Ata hanin mish, e populli mbijetonte me flija e me pite.

Nejse… të kthehemi te tema, se na iku vegëza!

Politika kosovare, e edhe ajo shqiptare në përgjithësi, qysh e dimë tashmë të gjithë, më tepër se çështje debatesh në Parlament, argumentimesh apo votimesh pro e kundër, është politikë kafenesh, xhamish, bastoresh, Facebook-u, institucionesh paralele , gjithëpopullore e të ngjashme, ku politikanët shahen, fyhen, grinden, rrihen. E, kur politikanët janë të dehur nga (mos)suksesi apo të frikësuar skajshëm për karriget e tyre, pra edhe privilegjet, ajo shndërrohet në një grindje 18+ ! Përmendet baba, e besa edhe nëna e farefisi i gjerë. Pa e pasur diku një tradhtar është e pamundur. Nuk sundoi perandoria kot 500 vjet e Serbia njëqind të tjera. Me tradhti pra!

Nejse, a është kryer lufta ende? Lufta retorike jo se jo, por po flas për luftën përnjëmend?

Bac, a është krye ende do të pyeste dikush i cili dikur e vizatoi Ademin me mjekër e plis dhe solemnisht deklaroi: U kry!

Këtu filloi gjithçka. U kry, nuk është kry. (Pu)Shteti thotë po, opozita thotë jo. Lufta, ose thënë më saktë luftërat e vjetra, madje edhe nga ato me shekuj të vjetra, ende nuk janë kryer në këto hapësira.

Pretendimet mbeten të njëjta, ashtu si mbeten edhe ëndrrat e njeriut të zakonshëm e të cilat pavarësisht të gjitha lojërave (o)ratorike, janë paqja, begatia dhe liria. Sidomos vendimmarrja e lirë, e cila mund të garantohet veç në një sistem demokratik, ku bëhen edhe debate me argumente të cilat nuk rrënojnë marrëdhëniet bazike në mes të njerëzve, nuk kallin luftëra në çdo qoshe të trurit të stërlodhur kolektiv, duke i ngatërruar hartat në kokat tona të mendjes, paradigmën, duke na bindur se gjithçka është fatalitet, se nuk mund të ndryshohet.

Retorika jonë politike është militarizuar tepër, është mbushur me armiq, me tradhtarë dhe me llogore nga të cilat nuk të lënë të dalësh edhe kur do, sepse sipas disa kokave të krisura të fushatave publike, vendin në llogore e trashëgon. Këta mbijetojnë veç me kriza, me luftë, sepse paqja dhe demokracia i defaktorizon!

As mos u përpiqni, pra! Je ose nuk je! Nuk bëhesh patriot me zor, pa ta skanuar trungun familjar Sidomos babën! Në vend të CV-së tënde bëje gati të babës…!

Në trend

Më shumë
Tre fëmijë humbën jetën – gjithçka që dihet nga tragjedia në Jabllanicë të Gjakovës

Tre fëmijë humbën jetën – gjithçka që dihet nga tragjedia në Jabllanicë të Gjakovës

Lajme
Klajdi përlotet nga pamjet e shtëpisë së tij të rinovuar  nga “Fundjavë Ndryshe”

Klajdi përlotet nga pamjet e shtëpisë së tij të rinovuar nga “Fundjavë Ndryshe”

Magazina
Shembet një objekt në Jabllanicë të Gjakovës, vdesin tre fëmijë

Shembet një objekt në Jabllanicë të Gjakovës, vdesin tre fëmijë

Kronika e Zezë
Jozi befason me përgjigjen kur pyetet për vendin më të çuditshëm ku ka kryer marrëdhënie

Jozi befason me përgjigjen kur pyetet për vendin më të çuditshëm ku ka kryer marrëdhënie

Magazina
Përplasje mes Morgan dhe Carlson për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, reagon ambasadori Meidani: Historia s'do të rishkruhet!

Përplasje mes Morgan dhe Carlson për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, reagon ambasadori Meidani: Historia s'do të rishkruhet!

Lajme
Dosja e Prokurorisë për planin e vrasjes në Pejë, grupi do të paguhej 30 mijë euro për vrasje e 7 mijë për plagosje

Dosja e Prokurorisë për planin e vrasjes në Pejë, grupi do të paguhej 30 mijë euro për vrasje e 7 mijë për plagosje

Drejtësi
Kalo në kategori