Site icon Telegrafi

Krasniqi nuk ndryshon qëndrim as pas takimit me Lajçakun: Marrëveshja e 27 shkurtit e pamjaftueshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas takimit me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka ftuar mbledhjen e Kryesisë së partisë, ku është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.

Sipas njoftimit të PDK-së, Krasniqi ka njoftuar Kryesinë për takimet dhe komunikimet e ditëve të fundit që ka pasur me akterë të ndryshëm, vendorë dhe ndërkombëtarë, pas dakordimit të kryeministrit Albin Kurti për Propozimin evropian.

Lexo po ashtu Lajçak optimist se opozita nuk do ta kundërshtojë Propozimin evropian

“Gjatë këtij takimi, Kryetari Krasniqi i informoi anëtarët e Kryesisë edhe për takimin me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, të cilin e priti sot në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, PDK-ja ka thënë se qëndrimi i saj mbetet i konsistent dhe i pandryshueshëm në raport me këtë marrëveshje, “e cila është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për një progres final, të cilin e kanë pritur të gjithë qytetarët e Kosovës”.

“Kjo marrëveshje, heqë dorë prej arritjes së njohjes së ndërsjellë. Kryeministri Kurti e ka keqpërdorur legjitimitetin qytetar për t’i bërë një dëm afatgjatë Kosovës, duke ia zvarritur në pafundësi konfliktin e ngrirë me Serbinë”.

“Në fund të këtij takimi, u dakordua që javën e ardhshme të ftohet edhe mbledhja e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit. /Telegrafi/

Exit mobile version