Një aeroplan pasagjerësh nga Turqia për në Spanjë thuhet se u shoqërua nga avionë luftarakë pasi shpalli një “situatë emergjence”.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, aeroplai i Turkish Airlines ishte në rrugë nga Stambolli për në Barcelonë kur pilotët njoftuan kontrollorët e trafikut ajror.


Aeroplani thuhet se mbante 148 pasagjerë dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit – dhe u shoqërua nga aeroplanë luftarakë spanjollë dhe francezë mbi Mesdhe, raporton El Nacional.

Airbus A321 sapo kishte kaluar Sardenjën kur pilotët dërguan një kod emergjence që përdoret shpesh në situata mjekësore ose incidente të tjera që kërkojnë ndihmë të veçantë, tregojnë të dhënat e gjurmimit të fluturimit.

Fluturimi TK1853 bëri tre rrotullime mbi det para se të ulej në Aeroportin El Prat të Barcelonës rreth orës 10 të mëngjesit.

Ai thuhet se u shoqërua në një zonë të sigurt para se pasagjerët të dilnin.

Një pasagjer, i cili ndau imazhe të incidentit në mediat sociale, tha se kapiteni u tha njerëzve të “zbrisnin një nga një sipas numrave të vendeve të tyre”.

Ai e përshkroi atmosferën si “të frikshme” kur aeroplani u rrethua nga “personel i armatosur”.

Qeveria katalanase tha se ka aktivizuar një plan të posaçëm të përdorur për emergjencat aeronautike për të “monitoruar situatën e rrezikut në një aeroplan të ulur në El Prat”. /Telegrafi/