Pas lirimit të Arben Frrokut, flet bashkëshortja e kryekomisarit

Në fund, ai u shpall i pafajshëm nga shkalla e parë, ndërsa Anila Lamaj thotë se nuk do të dorëzohet. Nëpërmjet një statusi në Facebook, ajo thotë se do të vijë edhe dita e saj e fitores.
“Kam pyetje për të cilat nuk kam përgjigje, por unë jam këtu pasi jeta ime nuk ka përfunduar ende dhe herët a vonë do vijë dhe dita ime e fitores, sepse unë nuk dorëzohem kurrë”, shkruan në rrjetet sociale Anila, e cila ka qenë tepër fjalëpakë pas ngjarjes së 24 shkurtit 2013, kur një breshëri kallashnikovi i mori jetën njeriut të saj të zemrës.
Anila nuk ka preferuar të ndajë opinionet e saj me median, edhe gjatë kohës që ka qenë çështja nën hetim, duke shpresuar se do të ketë drejtësi. Ajo ka dëshmuar edhe në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku ka konfirmuar se bashkëshorti i saj, Dritani, ka pasur konflikte vetëm me Arben Frrokun dhe me askënd tjetër. Megjithatë, duke qenë se ka qenë në gjendje jo të mirë shëndetësore, Dritan Lamaj nuk i ka treguar për problemet në punë.
“Ka pasur shqetësime thjesht për lëvizje nga puna dhe shqetësime të tjera nuk më tregonte, pasi unë jam e sëmurë, e operuar nga zemra dhe nuk m’i thoshte fare problemet e punës e të tjera, pavarësisht se unë mund ta pyesja. Më thoshte s’ka ç’të duhet për probleme pune”, ka dëshmuar Anila para gjykatës.
Ajo ka thënë se ngjarjen e ka dëgjuar vetë.
“Nga ora gjashtë e njëzet, gjashtë e njëzet e pesë kam dëgjuar një breshëri më të shkurtër dhe më pas një breshëri më të gjatë dhe kam dalë në ballkon, pasi ballkoni ynë shikon aty, është goxha afër. I bie telefonit dhe telefoni nuk hapej dhe mendova se Dritani, duke qenë oficer policie, do të ishte në ndonjë problem, pasi u mor vesh që ishin krisma automatiku. I ra goca telefonit dhe dëgjoi njerëz të tjerë që thanë ‘Tani mbahu’ dhe pastaj e pashë personin, ishte me bluzë rozë, e pashë që u ngrit në këmbë, shumë larg si vegim. Pastaj e hapa televizorin dhe e pashë ngjarjen nga televizori. Më erdhën komshinjtë dhe më thanë është plagosur Dritani. Instiktivisht lajmërova disa njerëz të mi në telefon dhe u thashë që mendoj se ka ndodhur diçka. Përderisa dëgjova ‘Tani mbahu’ më shkoi mendja”, ka thënë bashkëshortja.
Më tej shtoi se ka ditur se Dritani kishte procese gjyqësore të hapura, për shkak të detyrës, që ka pasur konflikte me personin në fjalë.
Ndërsa Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka postuar një status në Facebook, pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’i dhënë pafajësi Arben Frrokut.
“Reforma dhe dekriminalizimi i drejtësisë është rruga që kemi nisur e që duhet të vazhdojmë bashkë, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë sistematike. Kjo është e qartë sot, shumë më shumë se dje. Emërimet partiake në gjyqësor, sponsorizimet politike dhe korrupsioni skandaloz në dy dekada, e akoma më shumë 8 vitet e fundit, ka shkatërruar integritetin e drejtësisë”, shkruan ministri Tahiri.
Në fund, ka shtuar se: Shpresoj të mos jetë thënë ende fjala e fundit! Por përtej fakteve konkrete, mungesa e besimit publik te drejtësia është më evidente se kurrë. Dhe aspak rastësisht! E as gabimisht!”, thotë ai.





















































