Pas lirimit nga pozita e kapitenit, Argjent Gashi, komandant i Policisë së Kosovës në Lipjan, në këtë pozitë është emëruar kapiteni Brahim Shatrolli.

Lajmi për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.


Sipas tij, kapiteni Argjent Gashi ka kërkuar lirimin nga pozita e komandatit pas rastit të fundit në Lipjan, ku mbeti pa shenja jete i ri Agon Zejnullahu.

“Pas rastit të fundit i cili ka ndodhur në Lipjan, komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Kapiten Argjend Gashi ka kërkuar lirim nga pozita e Komandantit të Stacionit dhe kërkesa e tij është aprovuar. Në pozitën e Komandantit të Stacionit Policor ne Lipjan, është emëruar Kapiten Brahim Shatrolli”, ka thënë Kelani.

Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës, dega në Lipjan, ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj pesë zyrtarëve policorë, të dyshuar për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” në rastin e vdekjes së një të riu nga Lipjani.

Në komunikatën për media të gjykatës thuhet se masa është caktuar ndaj të pandehurve E.B., L.RR., A.K., A.R. dhe I.N., pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate në këtë fazë të procedurës dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale,” thuhet në komunikatë.

Sipas gjykatës, të pesë zyrtarët dyshohen se më 7 korrik 2025, rreth orës 00:10, në rrugën “Hajredin Bajrami” në Lipjan, duke vepruar në bashkëkryerje dhe nga pakujdesia, kanë privuar nga jeta 27-vjeçarin A.Z.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime për përdorimin e forcës nga ana e Policisë së Kosovës gjatë ndërhyrjeve në terren. Autoritetet kanë premtuar një hetim të plotë dhe të paanshëm për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së të riut.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. Hetimet për rastin janë ende në zhvillim. /Telegrafi/