Pas 20 vitesh, Interpoli zgjidh misterin - identifikon "Gruan në rozë"

Një grua, trupi i së cilës u zbulua në Spanjë më shumë se 20 vjet më parë, është identifikuar përmes një fushate policore ndërkombëtare.
Gruaja u identifikua si shtetasja 31-vjeçare ruse Liudmila Zavada.
Ajo është personi i tretë që identifikohet përmes iniciativës Operation Identify Me, e cila u lansua nga policia në vitin 2023 në një përpjekje për të gjetur emrat e grave që ishin vrarë ose kishin vdekur në rrethana të dyshimta ose të pashpjegueshme në Evropë.
Rasti i parë ishte një grua britanike e vrarë në Belgjikë, familja e së cilës e identifikoi atë pasi pa një fotografi të tatuazhit të saj në një raport të BBC News.
Valdecy Urquiza, sekretare e përgjithshme e agjencisë ndërkombëtare të policisë Interpol, e cila drejton fushatën, tha se identifikimi i fundit do t'u jepte "shpresë të re familjeve dhe miqve të personave të zhdukur" dhe "pista të reja" hetuesve.
"Pas 20 vjetësh, një gruaje të panjohur i është kthyer emri i saj", tha ai.
Trupi i Zavada u zbulua në korrik 2005 pranë një rruge në provincën e Barcelonës në Spanjën verilindore, shkruan BBC.
Ajo u quajt nga policia si "gruaja në rozë", sepse ishte veshur me një bluzë rozë me lule, pantallona rozë dhe këpucë rozë.
Policia lokale tha se shkaku i vdekjes ishte "i dyshimtë", pasi provat sugjeronin se trupi ishte zhvendosur 12 orë para se të gjendej.
Por hetimet dështuan të zbulonin identitetin e saj.
Vitin e kaluar, rasti iu shtua Operacionit Identify Me, i cili ka parë "njoftime të zeza" të Interpolit - që kërkojnë informacion në lidhje me trupa të paidentifikuar - të publikuara për herë të parë, dhe të dhëna të tilla si gjurmët e gishtërinjve të ndara me forcat policore në të gjithë botën.
Ndryshe, më parë këtë vit, policia turke kontrolloi gjurmët e gishtërinjve në një bazë të dhënash kombëtare, duke zbuluar identitetin Zavada.
Më pas u krijua një përputhje e ADN-së me një të afërm të ngushtë në Rusi.
Tani hetimet policore për vdekjen e Zavada dhe rrethanat rreth saj po vazhdojnë. /Telegrafi/

















































