Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që dënon Hungarinë

Parlamenti Evropian (PE) miratoi sot një rezolutë që dënon "përpjekjet e qëllimshme dhe sistematike" të Hungarisë për të minuar vlerat e Bashkimit Evropian (BE).
PE shprehu shqetësimin me faktin se presidencën e ardhshme të Unionit do ta merr shteti hungarez në vitin 2024.
Në rezolutën e miratuar me 442 vota “pro”, 144 “kundër” dhe 33 abstenime, ligjvënësit e BE-së vunë në pikëpyetje besueshmërinë e Hungarisë për të përmbushur rolin e presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian në gjysmën e dytë të 2024-s.
Anëtarët e Parlamentit Evropian theksuan rëndësinë e rolit të kryetarit të Këshillit në "përmirësimin e punës së Këshillit në legjislacionin e BE-së, sigurimin e vazhdimësisë së agjendës së BE-së dhe përfaqësimin e Këshillit në marrëdhëniet me institucionet e tjera të BE-së".
Parlamenti Evropian “ngre pyetjen se si Hungaria do të jetë në gjendje të përmbushë me besueshmëri këtë detyrë në vitin 2024, duke pasur parasysh mospërputhjen e saj me ligjin dhe vlerat evropiane, si dhe parimin e bashkëpunimit të sinqertë”, thuhet në rezolutë.
Prandaj, eurodeputetët i kërkojnë Këshillit të BE-së "të gjejë një zgjidhje të përshtatshme sa më shpejt të jetë e mundur" dhe vërejnë se PE "mund të marrë masat e duhura nëse një zgjidhje e tillë nuk gjendet".
Ligjvënësit evropianë shprehin gjithashtu shqetësimin për situatën në të cilën vlerat evropiane në Hungari vazhdojnë të shemben, pavarësisht aktivizimit të nenit 7 të Kushtetutës së BE-së kundër atij vendi.
Rezoluta e miratuar dënon "fushatat komunikuese të qeverisë kundër BE-së", për të cilat PE tha se janë "pjesë e strategjisë së qeverisë për të larguar vëmendjen nga mospërputhja e saj me vlerat e përfshira në nenin 2 të Kushtetutës së BE-së dhe korrupsionin e saj sistemik".
Dokumenti tërheq vëmendjen për "raportet e metodave të frikësimit, të tilla si vizitat e policisë sekrete në zyrat e disa kompanive dhe forma të tjera presioni të përdorura nga persona të caktuar të njohur si të lidhur me rrethin e ngushtë ose zyrën e kryeministrit Victor Orban".
Pretendohet se këto kërcënime kishin për qëllim "vënien nën kontrollin e tyre të atyre pjesëve të industrisë hungareze që konsiderohen të një rëndësie strategjike".
Parlamenti Evropian shprehu gjithashtu shqetësim për fondet e ngrira të BE-së dhe vonesën e reformave përkatëse në Hungari. /Telegrafi/




















































