Parkingu nëntokësor në Malishevë sërish i përmbytur pas reshjeve të shiut

Parkingu nëntokësor në Malishevë vazhdon të përballet me probleme serioze të vërshimeve, duke u kthyer në një shqetësim të vazhdueshëm për qytetarët.
Edhe pak ditë pas përurimit të tij, ky parking kishte dalë jashtë funksionit si pasojë e reshjeve të shiut dhe grumbullimit të ujit. Në atë kohë, nga Komuna e Malishevës ishte deklaruar se bllokimi i sistemit të kullimit kishte ndodhur për shkak të veprimeve të qytetarëve të papërgjegjshëm, të cilët dyshohej se kishin penguar daljen e ujit të tepërt.
Megjithatë, kjo situatë duket se nuk është zgjidhur. Sipas pamjeve të publikuara nga qytetarët në rrjetet sociale, reshjet e fundit kanë sjellë sërish përmbytje në parkingun nëntokësor, duke e bërë atë të pakalueshëm për veturat që tentojnë të hyjnë në nënkalim.
Pamjet e shpërndara tregojnë qartë gjendjen aktuale dhe vështirësitë me të cilat po përballen drejtuesit e automjeteve, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të ndërmerren masa afatgjata për zgjidhjen e këtij problemi. /Telegrafi/



































