Paraburgim ndaj E.I, dyshohet se dhunoi seksualisht një të mitur

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.I., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhunimi.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda Habib Zeqiri, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se gjatë muajit janar 2025, në kohë të pacaktuar, në një fshat të komunës së Ferizajt, përkatësisht brenda veturës së markës “Golf VI”, i pandehuri e ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën e mitur e moshës 15 vjeçare, në atë mënyrë që i pandehuri fillimisht e kishte marrë të dëmtuarën e mitur në veturën e tij tek parku i qytetit dhe gjatë shëtitjes i ofron substancë narkotike në formë të cigares.
“Pasi bindet se e njëjta nuk është plotësisht e vetëdijshme e shfrytëzon rastin dhe e ndalon veturën kinse për të pushuar dhe i jep përsëri edhe një cigare me marihuanë, ashtu që përkundër kundërshtimit të të miturës, i pandehuri me veprimet e tij të vazhdueshme pa dashjen e saj, dhe me forcë dyshohet se ka kryer akt seksual, me ç` rast e dëmtuara ka pasur frikë, ankth, shqetësim emocional dhe gjendet në një gjendje të vazhdueshme të rënduar psiqike për të cilën e dëmtuar ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./Telegrafi/

















































