LAJMI I FUNDIT:

Para dhe pas divorcit

Para dhe pas divorcit

Nëse keni probleme në çift e nëse merrni vendimin të shkoni drejt divorcit, duhet mbi të gjitha t’u kushtoni më shumë vëmendje fëmijëve. Që ata të kuptojnë dhe të përshtaten me situatën e re familjare.

Lexoni disa nga këshillat sesi t’i shmangni shqetësimet tek fëmijët.

Alketa Berzani, psikologe

Përpara se çifti të vendosë se nuk ka rrugëzgjidhje tjetër përveç divorcit, e gjithë familja përjeton stres të vazhdueshëm. E ndërsa marrëdhënia është në prag të shkatërrimit, fëmija është dëshmitar në debatet dhe zënkat e prindërve, pa pasur mundësi të thotë mendimin e tij dhe pa qenë pjesëmarrës në vendimmarrje. Prindërit janë aq të zënë me njëri­tjetrin sa shpesh nuk arrijnë të shohin sa konfuzë, të pasigurt e të frikësuar janë fëmijët. Prindërit zakonisht nuk u shpjegojnë asgjë fëmijëve se çfarë po ndodh midis tyre dhe as nuk i pyesin se çfarë ndiejnë ata, me arsyetimin se "fëmijët janë të vegjël dhe nuk kuptojnë" .
Gabim! Fëmijët kuptojnë shumë, prandaj ndiqni disa nga këshillat e mëposhtme për të shmangur apo eliminuar shqetësimet tek fëmijët.


Gjatë konfliktit
Shmangni grindjet në sy të fëmijëve. Në rast se kjo është e pamundur, atëherë shpjegojuni atyre se çfarë po ndodh mes jush. Fëmijët nuk arrijnë të kuptojnë arsyet e grindjeve tuaja, nëse ju nuk ua shpjegoni, por sigurisht që ata kuptojnë se ka diçka që nuk funksionon në marrëdhënien tuaj si çift. Ngritja e zërit, ulërimat dhe të qarat, ofendimet dhe akuzat ndaj bashkëshortit/es tuaj, janë sinjale kuptimplota për mosmarrëveshjet midis prindërve.

Mos harroni të plotësoni detyrimet tuaja si prindër!
Pavarësisht nga mosmarrëveshjet midis jush si bashkëshortë, fëmijët vazhdojnë të kenë nevojë për ju. Nëse ju jeni të zemëruar apo të mërzitur me bashkëshortin/en tuaj, nëse jeni të stresuar nga grindjet e vazhdueshme mes jush, mos e shkarkoni këtë energji negative tek fëmijët! Mos i bërtisni fëmijëve, mos i kritikoni, mos i ofendoni, mos i rrihni ata! Fëmijët nuk kanë faj për konfliktet tuaja.
Nëse grindjet tuaja janë ashpërsuar aq shumë sa keni ndërprerë edhe komunikimin me njëri-tjetrin, atëherë mos i shfrytëzoni fëmijët si korrierë, që çojnë e marrin mesazhe mes jush. Kjo gjë e lëndon edhe më shumë fëmijën.

Kur të merrni vendimin për t’u ndarë, bëjani të ditur fëmijës këtë vendim tuajin dhe arsyet e ndarjes. Duhet t’ia thoni këtë vendim së bashku, pa akuzuar njëri-tjetrin, sepse ky vendim që keni marrë, prek edhe fëmijët. Sigurojeni fëmijën që, pavarësisht ndarjes tuaj, ju do të jeni prindërit e tyre gjatë gjithë jetës.

Pas divorcit
Pasi gjithçka është zgjidhur: çifti është divorcuar, fëmijët i janë lënë për kujdestari njërës palë, pasuria është ndarë, të gjithë – të rritur dhe fëmijë – duhet të fillojnë dhe të përshtaten me stilin e ri të jetës. Ndryshimi i rutinës është një ngjarje stresante për të gjithë, por në mënyrë të veçantë për fëmijët. Prindërit duhet t’u kushtojnë vëmendje dhe rëndësi të madhe fëmijëve që ata ta kuptojnë dhe të përshtaten me situatën e re familjare.
Informojini fëmijët për vendimin që ka marrë gjykata! Tregojuni atyre me fjalë të thjeshta dhe me fakte konkrete me cilin prej prindërve do të jetojnë, sa herë do të mund ta takojnë prindin tjetër etj. Mundohuni që jeta e përditshme e fëmijëve të mos ndryshojë shumë. Për fëmijët është e rëndësishme të kenë rutinën e përhershme ditore, të kenë shkollën dhe shokët e tyre. Përpiquni të ruani oraret e zakonshme të fëmijës për ushqim, fjetje, argëtim. Nëse keni ndryshuar vendbanim, përpiquni të gjeni një mënyrë se si fëmijët tuaj të vazhdojnë kontaktin me miqtë e vjetër. Mundohuni të mos pranoni çdo kërkesë apo tekë të fëmijëve. Përpiquni të kuptoni se kur kërkesa e tyre është një nevojë e vërtetë, kur është një dëshirë e pranueshme dhe kur është thjesht një “lojë”. Fëmijët mund të fitojnë nga dobësia juaj momentale ose duan të kompensojnë "dashurinë" tuaj me gjëra materiale (lodra, veshje, ushqime etj.).

Mësojini fëmijët të respektojnë edhe jetën tuaj të re! Nëse ju ndryshoni rutinën tuaj, krijoni miqësi apo lidhje të reja, tregohuni të sinqertë dhe të hapur me fëmijët.
Pavarësisht nga divorci, pavarësisht se ju mund të jetoni qytete a shtete larg, pavarësisht se ju mund të rimartoheni, tregojuni fëmijëve tuaj se do të jeni të gatshëm t’i ndihmoni, mbështesni apo mbroni sa herë ata kanë nevojë.

Mos u përpiqni të kontrolloni aktivitetet e fëmijës me prindin tjetër. Nëse ju përpiqeni të "spiunoni" jetën e fëmijës me prindin tjetër, nëse ju përpiqeni të manipuloni fëmijën për t’i mësuar si të sillet me prindin tjetër, vetëm i krijoni ankth fëmijës. Gjithashtu, humbisni besimin dhe respektin e tyre.
Shmangni akuzat dhe grindjet tuaja për fëmijët. Me këtë sjellje, ju i lëndoni fëmijët, sepse sërish i ndani ata përgjysmë. Nuk është e drejtë t’u kërkoni fëmijëve të marrin anë, pasi ata ju duan njëlloj të dyve si prindër.
Mos i mbroni më tepër seç duhet meqë janë fëmijë që u mungon familja tipike me dy prindër së bashku, pasi kjo do të bëjë që ata të ndihen si viktima.

Mësojini fëmijët të kuptojnë dhe pranojnë se ndarja është një ndodhi e zakonshme në jetën e njerëzve, sikurse martesa. Shpjegojuni fëmijëve se kur dashuria mes dy njerëzve mbaron, është më mirë që ata të jetojnë të veçuar, sesa të jetojnë së bashku dhe të grinden vazhdimisht.

Nuk duhet të zgjedhë fëmija
Të gjendur përballë një rasti divorci, pyetja për të cilën të gjithë shqetësohen është: “Me kë do të jetojë fëmija”. Shpesh për ta zgjidhur “më drejt” këtë çështje, prindërit, avokatët apo gjykatësit u kërkojnë fëmijëve të vendosin se me cilin prej prindërve dëshirojnë të rrinë pas ndarjes së tyre. Kjo kërkesë është krejtësisht e papërshtatshme dhe tepër e dëmshme për fëmijën.

1 Fëmijët do donin të rrinin me të dy prindërit.
2 Kjo pyetje i vendos ata përballë një zgjedhjeje, e cila është "thikë me dy presa", barra e së cilës është shumë e rëndë për çdo fëmijë dhe që do t’i peshojë gjatë gjithë jetës.
Veçanërisht e dëmshme kjo pyetje është për fëmijët e moshës 5-12 vjeç, të cilët besojnë se ata janë shkaku i ndarjes së prindërve, ndaj edhe ndihen fajtorë dhe fatkeq. Kjo ndodh pasi fëmijët në këtë moshë nuk arrijnë ta bëjnë dallimin e plotë midis realitetit dhe imagjinatës. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Plaga e hapur në lukth: Të gjitha simptomat e të thatit dhe si t’i zbusim vështirësitë e pakëndshme!

Plaga e hapur në lukth: Të gjitha simptomat e të thatit dhe si t’i zbusim vështirësitë e pakëndshme!

Shëndetësi
Kalo në kategori