Papraniku: East Gate po vjen dhe do të jetë mrekulli në vete
Neptun është një ndër brendet më të mëdha në Maqedoni. Telegrafi Maqedoni dhe OEMVP kanë folur me Arsim Papraniku, Bashkëpronar i SEG dhe Neptun. Përvoja, ndërmarrësia dhe sfidat e të ardhmes janë temat që kemi folur në këtë intervistë me ndërmarrësin Papraniku. Neptun, për disa vite renditet si një ndër brendet më të fuqishme në Maqedoni. Përshkrujeni suksesin tuaj me 3 fjali? Për t'u përshkruar suksesi i Neptunit dhe në nivelin sot që është mbas 21 viteve aktivitet, do të ishte shumë e vështirë të përshkruhet me 3 fjali, por unë do kisha veçuar: përkushtim, energji, vizion dhe ide të reja.
SEG po ndërtohet. Ku janë punët, sa është investimi dhe kur pritet që të hapet? SEG si projekt në përgjithësi kap investime prej më shumë se 300 milion euro që do të realizohet në tre faza. Duhet të theksohet se është investimi më i madh në fushën e patundshmërive në Maqedoninë e Veriut, që është realizuar deri tani dhe ndahet në tre drejtime ose fusha që janë: -"East Gate Mall" - Qendër tregtare me bruto sipërfaqe prej 160.000 m2 ose sipërfaqe për dhënie me qira prej 57.000 m2, e cila është një nga qendrat më të mëdha në rajon me gati 45% brende që do të vijnë për herë të parë në Maqedoni. Ndërtimi është aktualisht në fazë gati 75% i përfunduar dhe mendojmë për hapje në tetor të vitit 2021. -"East Gate Living" - lagje për banime me 1.600 banesa e cila do të jetë një ndër komplekset më moderne për kohën e vet me shumë ambiente dhe gjelbërime shtesë. Fillimi i punimeve është paraparë për shkurt 2021 dhe të përfundojnë në fund të 2023. -"East Gate Office" - zyra afariste me total ndërtim prej 67.000 m2, e ndarë në pesë godina. Fillimi i ndërtimit në prill 2021 dhe përfundimi në vitin 2026.


































