Ministria e Mbrojtjes ka përfunduar procedurat për blerjen e pajisjeve anti-tank nga Gjermania për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Lajmi është konfirmuar për The GeoPost nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.


Armët PANZERFAUST 3 pritet t’i dorëzohen së shpejti FSK-së, duke rritur ndjeshëm kapacitetet e saj mbrojtëse kundër mjeteve të blinduara.

Paralelisht, Kosova ka nënshkruar edhe një marrëveshje me prodhuesin amerikan të industrisë ushtarake AM General për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë së lëvizshme HUMVEE Hawkeye 105 mm.

Përveç sistemeve të artilerisë Hawkeye, kontrata trivjeçare parasheh edhe furnizimin e FSK-së me ambulanca, kamionë për komandim dhe kontroll, si dhe mjete të tjera mbështetëse, të nevojshme për funksionimin e një baterie të plotë artilerie dhe zhvillimin e kapaciteteve të qitjes indirekte.

Nga AM General, zëvendëspresidenti ekzekutiv për Zhvillim Biznesi, John Chadbourne, deklaroi se shitja e sistemit HUMVEE Hawkeye për Kosovën është dëshmi e përkushtimit të kompanisë për të ofruar zgjidhje të avancuara për nevojat moderne ushtarake. /Telegrafi/