Banka Qendrore e Kosovës dhe Banka e Italisë kanë nënshkruar sot letrën e qëllimit për fillimin e projektit për pagesa të shpejta – TIPS Clone.
Banka e Italisë do të ndërtojë sistemin TIPS Clone për të ofruar këtë infrastrukturë edhe për disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. Ky projekt përfaqëson projektin më të rëndësishëm infrastrukturor dhe strategjik të realizuar nga BQK në arritjen e objektivit dhe Planit të saj Strategjik.
BQK thotë se ky partneritet strategjik me Bankën e Italisë shënon një moment historik dhe vendos Kosovën në një nivel ku do të përfitojë nga ekspertiza profesionale dhe teknike, duke marrë një sistem që aktualisht Eurosistemi e përdor.
Përveç të tjerash, çdo zhvillim i ri në sistemin e BE-së pritet të përditësohet në vijimësi edhe për Kosovën ndër vite, duke mbajtur kështu infrastrukturën e pagesave të Kosovës në hap me zhvillimet dhe inovacionet në BE.
Sistemi pritet që brenda 18-muajsh nga nisja e realizimit të jetë i gatshëm. Fillimisht për pagesa lokale ndërmjet ofruesve të shërbimeve të pagesave, të cilat mundësohen përgjatë 24/7, me qëllimin që pas hyrjes në SEPA dhe përfundimisht të ndërlidhet me sistemet e pagesave të Bashkimit Evropian.
Letra e qëllimit u nënshkrua edhe nga banka qendrore e Shqipërisë, ajo e Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës.