Pabarazia gjinore vazhdon të sfidojë sportin e vajzave në Kosovë

Sporti i grave në Kosovë vazhdon të përballet me sfida financiare dhe pabarazi gjinore.
Klube të ndryshme po luftojnë çdo ditë për mbështetje dhe përkrahje, ndërsa arritjet e tyre shpesh mbeten të nënvlerësuara.
Erina Berisha, presidentja e klubit të vajzave “Peja 03”, tha për Telegrafin se është shumë e vështirë të grumbullojnë mjete financiare, pasi barrierat dhe sfidat janë shumë të mëdha.
“Çka mundem me thënë është që ndoshta kur shkon me ju afru ndonjë sponsori eventual dhe i thu që je për ekipin e femrave, gjithmonë e ka atë hezitimin, madje kemi shumë sponsore që nuk e dinë as në cilin sport jemi të destinum”, tha ajo.
“Por, kemi pas një përkrahje të hatashme. Jemi ekipi që e ka vendin e parë në Superligën e Femrave e kemi pas vendin e parë në Ligën Unike, vetëm me një humbje kemi marrë pjesë në Euro Cup Women, ku e kemi pasur fitoren historike të Kosovës, e cila s'ka ndodh deri më tash, për gjithë angazhimin në basketboll dhe kemi jemi aktualisht fitues të Superkupës femra, kështu që angazhimi e bën veten, normalisht barrierat dhe sfidat janë gjithmonë sa i përket buxhetit ose mbështetjes financiare nga bizneset, nga institucionet, por kryesisht mund të them që me punë të fortë mund të arrihet gjithçka”.
Armenda Filipaj, themeluesja e klubit KFV Prishtina, bëri të ditur se hendeku gjinor në Kosovë ekzsiton në shumë disiplina, derisa shpreson që përmes ligjit të sponsorizimit, të forcohen klubet e femrave.
“Hendeku gjinor në Kosovë ekziston në të gjitha disiplinat edhe në të gjitha drejtimet, në të gjitha fushat, po njëkohësisht i njëjtë edhe në futboll”, potencoi ajo.
“Vajzat dhe klubet, domethënë për dallim prej ekipeve të djemve, të cilat gjenerojnë të hyra nga bileta, nga regjistrimi i fëmijëve, ekipet e vajzave nuk kanë të hyra fare, domethënë e gjithë ekzistenca e klubeve varet nga grantet nga projektet të cilat i implementon klubi edhe nga ligji i sponsorizimit”.
“Faktikisht po urojmë që ky ligj i sponsorizimit të përdoret pak më shumë edhe për vajza. Prej një hulumtimit të vitit të kaluar që e kam pa, në 2024 vetëm pesë për qind i kompletë të të hyrave pra i ligjit të sponsorizimit, që kanë marrë klubet vetëm pesë për qind janë nda për vajza”, tha mes tjerash Filipaj.
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës, Xhenet Syka-Kelmendi ka thënë se si komunë kanë zero taksa ndaj të gjitha klubeve, derisa po luftojnë stigmën që sipas saj ende ka nevojë që të diskutohet në Ballkanin Perëndimor.
“Disa nga shtetet evropiane, mbase ka kohë ose dekadë që e kanë kaluar stigmën dhe sfidën e stigmës, që vajzat janë pjesë e barabartë e të gjitha sporteve dhe sportet e talenti nuk njohin gjininë. Në Ballkanin Perëndimor akoma ka nevojë të bisedohet, akoma ka nevojë të diskutohet”, deklaron Syka-Kelmendi.
“E thashë publikisht, do të vazhdoj ta them kemi zero taksa për gjithë infrastrukturën sportive për sa u përket klubeve të Pejës, përfshirë edhe klubin e vajzave, do t'i vëmi përmes Drejtoratit Komunal për Arsim, të gjitha shkollat dhe infrastrukturën në dispozicion dhe do t'i supurtojmë përmes subvencioneve dhe kërkesave të tjera për t'i plasuar në majat e suksesit”, bëri të ditur ajo.
Mbështetja për vajzat në sport është thelbësore për barazi dhe zhvillim. Pa investime dhe përkujdesje reale, talentet nuk do të arrijnë majat që meritojnë. /Telegrafi/

















































