Osmani: Projektet me të cilat shkëmbehet dija e ndihmojnë Kosovën

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani u takua me zëvendës presidentin e Parlamentit Evropian Rainer Wieland, i shoqëruar nga disa kryetarë komunash e biznesesh gjermane.
Osmani i ka thënë zëvendës presidentit të Parlamentit Evropian se synon ta fuqizojë edhe më tej rolin e Kuvendit dhe ta rrisë mbikëqyrjen efektive ndaj Qeverisë.
Në këtë kontekst, ajo ka potencuar se sikurse në Gjermani, Kuvendi i Kosovës po përpiqet ta reduktojë përdorimin e letrës, duke i dhënë një fokus të veçantë zhvillimit të politikave mjedisore.
Ndërsa zëvendës presidenti i PE-së, Wieland ka shprehur interesimin që të vazhdojë projekti i shkëmbimit të nxënësve me komunat gjermane.
Në të njëjtën kohë, ai ka ftuar për vizitë në Baden-Württemberg, një delegacion nga Kosova, në funksion të shkëmbimit të përvojës parlamentare dhe asaj nga pushteti lokal. Në diskutimin e tij, Wieland ka potencuar rëndësinë e politikave arsimore dhe luftës kundër korrupsionit.
Ndërkaq kryekuvendarja Osmani e ka cilësuar korrupsionin pengesë kryesore për investitorët dhe të njëjtën kohë ka thënë se institucionet e tashme të Kosovës e kanë prioritet luftën ndaj kësaj dukurie.
Ajo ka falënderuar Wieland për mbështetjen e deritashme dhe ka thënë se projektet me të cilat shkëmbehet dija, e ndihmojnë fuqishëm Kosovën. /Telegrafi/



















































