Osmani: Përkrahësit e tregtarëve të kufijve, po gënjejnë e shpifin se babai im ka punuar për serbët

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se një numër i madh shpifjesh, po publikohen e shpërndahen këto ditë, por thotë se kur ato kalojnë çdo kufi dhe tentojnë të cenojnë integritetin familjar, atëherë duhet edhe të reagohet edhe të denoncohen shpifësit e të ndiqen rrugët ligjore.
Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se "përkrahësit e tregtarëve të kufijve paskan gjetur një fotografi të dy policëve serbë dhe pa fije turpi gënjejnë se njëri nga ta në fotografi është babai i saj, Raif Osmani".
"Babai im është larguar nga puna më 15 mars të vitit 1989 duke u bërë kështu ndër shqiptarët e parë që largohen dhunshëm nga puna nga regjimi serb, pikërisht pse ka besuar dhe ka folur publikisht për Kosovën Republikë. Ai në fillim të viteve të 90-ta i është bashkuar përpjekjeve të para të Presidentit Rugova për të ndërtuar shtyllat e mbrojtjes për rajonin e Mitrovicës (në sistemin paralel) dhe për këto përpjekje është burgosur dhe ka përjetuar tortura çnjerëzore në burgjet serbe", ka shkruar Osmani.
Postimi i plotë i Osmanit:"Një numër i madh shpifjesh, ashtu edhe siç pritej, po publikohen e shpërndahen këto ditë, por kur ato kalojnë çdo kufi dhe tentojnë të cenojnë integritetin familjar, atëherë duhet edhe të reagohet edhe të denoncohen shpifësit e të ndjeken rrugët ligjore. Përkrahësit e tregtarëve të kufijve paskan gjetë një fotografi të dy policëve serbë dhe pa fije turpi gënjejnë se njëri nga ta në foto është babai im Raif Osmani. Natyrisht që në atë foto nuk është babai im e natyrisht që edhe gënjeshtra se ai ka punuar për serbët është shpifje e rradhës e atyre që sot e kthyen Kosovën në varësi të Beogradit. Për fatin e keq të vendit tonë, shpifjeve të tilla u shërbejnë edhe disa pseudo-portale të shndërruara në mjete propagandistike të tregtarëve të kufijve. E edhe më fatkeqe është kur shoh disa që e quajnë veten aktivistë të LDK-së tek shpërndajnë shpifje të tilla teksa harrojnë që po këta që po i montojnë këto gënjeshtra sot, dje nga hotele të Shqipërisë përgatisnin komunikata e shpallnin tradhtarë veprimtarët më të mirë të LDK-së.




















































