Telegrafi

Osmani me një video-mesazh për mërgimtarët: Dyert, zemrat dhe shtëpitë tona janë të hapura, sepse ju i jepni shpirt Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani përmes një video-mesazhi thotë se këto ditë, Kosova frymon me mërgatën e dashur.

Osmani duke iu uruar mirëseardhje mërgimtarëve ka pohuar se dyert, zemrat dhe shtëpitë tona janë të hapura për ta, pasi që ata i japin shpirt Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Mërgatë e dashur, motra dhe vëllezër. Sa herë ktheheni në atdheun tuaj, ju ktheheni te familjet tuaja, te të dashurit tuaj, te kujtimet e tuaja, te toka juaj. Kthimi juaj është ritakim dhe ribashkim, që kapërcen distancën dhe kohën”, ka theksuar ajo.

Tutje, presidentja ka pohuar se bujaria dhe përkushtimi i mërgimtarëve për të mbajtur të fortë lidhjen me atdheun është i jashtëzakonshëm.

“Malli për Kosovën është një lidhje që na bashkon, kudo që të na çojë jeta. Kthimi juaj këtu forcon identitetin tonë kolektiv dhe na kujton shpirtin e qëndrueshëm të popullit tonë. Kosova tani më shumë se kurrë ka nevojë për ju. Përvojat, aftësitë dhe perspektivat tuaja janë tejet të çmueshme, ndërsa ne vazhdojmë ta ndërtojmë një të ardhme më të ndritshme për atdheun tonë të dashur. Ju ktheheni në vatrat tuaja. Ju ktheheni në Kosovën tuaj, atdheun tuaj shpirtëror. Dyert, zemrat dhe shtëpitë tona janë të hapura sepse ju jeni zemra dhe shpirti i Kosovës”, ka deklaruar Osmani.

Ndryshe, një numër i madh i mërgimtarëve kanë filluar të vijnë në Kosovë për të kaluar pushimet verore./Telegrafi/