Nga: Ditorja sarajevase “Oslobođenje”, 1 prill 1995
Përkthimi: Telegrafi.com

Zbulim i pabesueshëm nga shtypi italian: “Safari me snajper” në Sarajevë


Dëshmitë e tmerrshme për turizmin e luftës, u konfirmuan para “Gjykatës së popullit” në Trent ● Një oficer serb i ofroi një gazetari italian mundësinë për të qëlluar me snajper mbi një plakë afër “Holiday Inn”-it ● Preferojnë të qëllojnë mbi fëmijë

Gazetat italiane kanë zbuluar dhe ekspozuar një lloj të pabesueshëm të “turizmit” të luftës, të organizuar nga kriminelët çetnikë dhe nga disa ndërmjetës, të paemëruar, të bashkuar në vrasjen e organizuar të sarajevasve!

Gazeta “Vjesnik” e Zagrebit, ka publikuar në numrin e djeshëm - përmes korrespondentit të saj të përhershëm në Romë, Inoslav Bešker - një raport për atë se si nga aeroportet evropiane ngrihen aeroplanët për ekskursione të veçanta të fundjavës në Bosnje. Në këtë raport, të bazuar në shkrimet e shtypit italian, nuk përcaktohet se nga cilat vende ngrihen dhe ku aterrojnë këta aeroplanë.

Bëhet fjalë për një turizëm lufte të llojit më të ri dhe, për momentin, më të çoroditur. Nuk shkohet më vetëm për të “nuhatur barutin”, duke iu ekspozuar kështu kënaqësisë perverse të rrezikut, por për të marrë pjesë në një “safari” autentik “me snajper” - në pozicionet mbi Sarajevë, ku, për valutë të huaj, fitohet e drejta për të qëlluar mbi fëmijë, pleq dhe gra, me fjalë të tjera mbi civilë që ecin të pambrojtur në rrezen e armës në “pritën” kodrinore.

Ky pohim, i pabesueshëm në gjithë tmerrin e tij, i paraqitur para “Gjykatës së popullit” në Trent, është transmetuar të enjten në faqet e para të pothuajse të gjitha gazetave më të njohura italiane - me tituj pak a shumë të njëjtë: “Fundjavë lufte në Sarajevë”.

Pikërisht në ditën kur Papa Gjon Pali II shpalli thirrjen për mbrojtjen e jetës, që është thelbi i enciklikës së tij 𝘌𝑣𝘢𝑛𝘨𝑒𝘭𝑖𝘶𝑚 𝑣𝘪𝑡𝘢𝑒, nga Trenti - selia historike e koncilit kundër reformacionit - në faqet e para të gazetave italiane, siç shkruan “Vjesnik”-u i Zagrebit, arritën rrëfimet e tmerrshme për dy forma çnjerëzore të turizmit që po përhapen kohët e fundit: turizmi seksual, sidomos ai pedofil në vendet më të varfra të botës, dhe “safari me snajper” - deri tani i padëgjuar - mbi njerëz të gjallë, të pafajshëm.

Gazeta e Torinos, “La Stampa”, si shtesë ndaj këtij lajmi të tmerrshëm solli një dëshmi autentike të gazetarit të saj. Giuseppe Zaccaria shkruan se, në Pale, para një apo dy vjetësh, një “zotëri me uniformë të ushtrisë serbe” e çoi në fund të kopshtit të tij, pranë një barake, pak më e madhe se një kasolle qeni. Në tokë ishte një dyshek gome. Në murin përballë, një dritare e vogël, ku ishte vendosur një pushkë snajperi. “Shiko!”, i tha “zotëria”. Përmes dylbisë dukeshin qartë personat që po kalonin nëpër “rrugicën e snajperëve” midis “Holiday Inn”-it dhe skeletit të ndërtesës që dikur ishte hoteli “Bristol”. Në shënjestër u shfaq një grua e moshuar.

“Do të qëllosh?” “Zotëria” serb u tërhoq bujarisht nga “kënaqësia” e vet për t’ia ofruar atë gazetarit, shkruan “Vjesnik”-u.

Pas këtij zbulimi para “Gjykatës së popullit” në Trent - dhe të tjerëve që botuan gazetat italiane - tani del se shumë vetë po heqin dorë, dhe kjo shkaku i parasë. Megjithatë, ka edhe të tillë që nuk janë lakmitarë, siç shkruan “Vjesnik”-u, të cilët sakrifikojnë paratë për kënaqësinë e tyre personale. Dhe lavdi!

Këto ditë kemi lexuar se snajperistët, në Sarajevë, preferojnë të qëllojnë mbi fëmijë. Pse? Sepse vetëm kjo, këto ditë, përbën lajm në gazetat dhe në ekranet televizive në të gjithë Evropën! /Telegrafi/

Ballina e ditores “Oslobođenje”, Nr. 16 881, 1 prill 1995