Ndonëse në votim ishin 35 vota për dhe 35 vota kundër, pa kartelë ishte edhe një votë për, por që kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi konsideroi se nuk janë miratuar këto rekomandime. Pas kësaj kanë bërë që të reagojnë partitë opozitare, duke e vlerësuar si një gjë të pakuptueshme.

Kryetari Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se ajo çfarë ndodhi në seancë nuk ka lidhje as me demokraci dhe është një turp si përfundoi seanca.


“Mënyra se si është interpretuar në rast kur 35 me 35 është votimi për edhe kundër dhe dy abstenime. Vendos edhe vota e atyre që nuk ishin me elektronik dhe deputeti Imri Ahmeti që gjithmonë deklaronte që nuk ishte me kartelë që ishte vota e 36, fatkeqësisht unë habitem që zotëri Krasniqi, nuk e kuptoj arsye pse nuk e pranoi atë votë, duke thënë se është dashur me u lajmëruar më herët. Po ku është ajo logjikë që ne një javë më përpara me treguar që m'ka hup kartela ose një ditë më përpara. Kjo është non sens dhe e pakuptueshme”, ka theksuar Beqiri.

Ai ka paralajmëruar se do të bashkëveproj në bashkëpunim me dy grupe parlamentare opozitare për mbledhjen e 40 nënshkrime për formimin e Komisionit hetimor.

Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka thënë se duhet të formohet komisioni, në mënyrë që të hetohet procesi i privatizimit dhe shkeljet e mundshme procedurale, rregullave dhe ligjeve tjera që kanë ndodhur të këtij procesi.

Duke folur për votimin e sotshëm, ai ka thënë se po ndodh shpesh që mos të merret parasysh vota e deputetit.

“Ne konsiderojmë që ishte shumë situatë e qartë dhe ky komision kaloi me një votë më shumë që votuam për. Mirëpo, kjo votë nuk u pranua dhe nuk i dimë arsyet dhe nuk është hera e parë dhe prej se jemi në Kuvend për çdo seancë dhe ligj ka pasur deputet që kanë votuar pa kartelë dhe përherë këto vota janë numëruar si për, ose kundër varësisht qysh kanë qenë. Kjo është hera e parë që një deputet që dëshmohet që nuk e ka kartelën dhe voton për një çështje të caktuar të mos i merret parasysh vota. Konsideroj që Kuvendi duhet të vendos një parim të cilin nuk e shkel më ose do t'i pranojnë ata që kanë kartela ose nuk do t'i pranojnë kurrë”, ka thënë Ymeri.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Burim Ramadani ka thënë se nuk ka qenë vetëm një deputet pa kartelë, por dy, ndërsa votat e tyre nuk janë numëruar.

“Besoj se është e kuptueshme se jo vetëm një deputet ka qenë pa kartelë, edhe një deputete e AAK-së ka qenë pa kartelë dhe nuk është lejuar të votojë. Prandaj jo 36, por kanë qenë 37 minimalisht”, ka deklaruar Ramadani. Më tej ai ka shtuar se është nevoja të ketë një komision nga Kuvendi i Kosovës që të trajtojë çështjen e ngritjes dhe fryrjen e faturave të energjisë elektrike.

Sipas tij janë dy arsye kryesore që qytetarët janë në hall të ngritjes së këtyre faturave dhe e dyta që Qeveria po tenton të fsheh dorën e vet në përcaktimin e çmimit të faturave të energjisë elektrike./Telegrafi/