LAJMI I FUNDIT:

“Oeneum”: 10 vite në shërbim të kulturës dhe letërsisë shqiptare

“Oeneum”: 10 vite në shërbim të kulturës dhe letërsisë shqiptare

Më 23 janar 2025, Shoqata e Shkrimtarëve “Oeneum”, nën drejtimin e diplomatit dhe poetit Daim Ilazi, festoi me solemnitet 10-vjetorin e saj në Pallatin e Kulturës në Tetovë

Shkruan: Abdirahim Idrizi


Ky përvjetor shënoi një dekadë suksesi, pasioni dhe përkushtimi ndaj artit poetik dhe letrar, duke e bërë këtë shoqatë një nga zërat më autentikë të kulturës shqiptare.

“Oeneum” është shoqata e vetme poetike dhe letrare në Tetovë që ka qëndruar larg ndikimeve politike dhe interesave karrieriste, duke ruajtur identitetin e saj të pastër dhe misionin për t’i shërbyer artit dhe kulturës. Përmes kësaj përkushtimi, ajo ka arritur të përhapë poezinë dhe prozën e saj në trojet shqiptare: Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, dhe më gjerë.

Gjatë këtyre dhjetë viteve, anëtarët e shoqatës kanë shkëlqyer në konkurse poetike dhe prozaike, duke fituar çmime të para, të dyta dhe të treta në qytete si Tirana, Durrësi, Korça, Kukësi, Prishtina, Peja, Gjilani, Shkupi, Tetova, Presheva, dhe të tjera. “Oeneum” është bërë shembull suksesi, duke përfaqësuar me dinjitet kulturën dhe letërsinë e Tetovës, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Shqipëri dhe Kosovë.

Atmosfera festive u pasurua nga recitimet emocionuese të poetëve tetovarë, të cilët sollën mesazhe të fuqishme dhe të ndjera, si dhe nga interpretimet e të rinjve të shoqatës, të cilët i dhanë freski dhe energji aktivitetit. Tingujt e kitarës së mjeshtrit Miftar Mehmeti krijuan një sfond harmonik, duke i bërë recitimet edhe më të magjishme.

Në kuadër të kësaj ngjarjeje të veçantë, u ndanë mirënjohje për individë që kanë dhënë kontribut të çmuar në fushën e letërsisë dhe kulturës, duke dëshmuar vlerësimin për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre ndaj shoqatës.

Megjithatë, ishte e vështirë të mos vihej re mungesa e përfaqësuesve nga Komuna e Tetovës dhe e mediave, një neglizhencë që sfidoi rëndësinë e këtij jubileu. Një ngjarje e tillë, që promovon artin dhe kulturën, meriton më shumë vëmendje dhe përkrahje nga institucionet vendore dhe mediat.

Shoqata e Shkrimtarëve “OENEUM” meriton gjithë respektin dhe admirimin për udhëtimin e saj dhjetëvjeçar të suksesshëm. Akademia Solemne dhe Gala Ora Poetike ishin dëshmi e qartë e përkushtimit, pasionit dhe punës së palodhur të anëtarëve të saj.

Urime për këtë jubile të shënuar dhe faleminderit që pasuroni kulturën shqiptare me veprat tuaja! Qofshi gjithmonë një frymëzim për brezat e ardhshëm! /Telegrafi/