LAJMI I FUNDIT:

“O popull i parehatuar”!

Qesëndisje me Qeverinë

Për besë ky popull s’është në terezi! Nuk e rehaton Zoti me kurrgjë, bash me kurrgjë! Qysh me e quajt ndryshe-përveçse popull i çuar peshë! Dhe për çka në pyetshi, veçse prej të mirave e ka! E duroi turkun 500 vjet e nuk iu ndie zëri. E duroi serbin 100 vjet dhe shukati si të mos ishte i gjallë. E tash kur nuk e ka as turkun as serbin mbi krye, të cilët ia hoqëm me shumë sakrifica, shkelmon dhe s’lë gjë të keqe pa thënë për këtë shtet e për këtë qeveri. Sepse dihet kush ia solli lirinë. Po kur e ka pasur ky popull më mirë pash nderin? Në cilën kohë e ka pasur jetën më të sigurt se sot? Presidentin-shqiptar, kryeministrin-shqiptar, kryeparlamentarin-shqiptar, thuaja të gjithë ministrat-shqiptarë!…


Kosova-shtet i pavarur-po, i njohur ndërkombëtarisht prej afër 100 shteteve-po, policinë e vet-po, ushtrinë e vet-po, Amerikën (që ka qenë ëndërr e këtij populli) mik-po, KFOR-in si garantues të paqes dhe të tërësisë territoriale-po, mbikëqyrës të drejtësisë EULEX-in-po… E për çka hamamin gjithë kjo pakënaqësi e tij?! Mos nuk po i pritet që të bëhemi edhe anëtare e NATO-s dhe BE-së?! Hajt se i vjen rendi së shpejti edhe kësaj! Nuk mbërrihen të gjitha për një ditë! Ja, vërtet në hall me këtë popull! Nuk ke si i thua ndryshe, veçse popull i pa bamë rehat!
Ndal pak, ka edhe më, nuk mbarojnë të mirat e këtij shteti dhe të kësaj qeverie veç me kaq, ka po deshët me qindra të tjera! Po për katër vjet në pavarësi sa është zhvilluar dhe sa ka mbërri shteti ynë, rrallë shtet tjetër ka mundur të arrijë kaq shumë dhe kaq shpejt! Po ndaluni njëherë e numëroni sa universitete kemi, sa studentë kemi, sa doktorë e magjistra kemi dhe sa dalin vetëm brenda një viti; sa klinika mjekësore kemi, sa rrugë të reja dhe të asfaltuara kemi (ani sa të përfundojë ‘rruga e kombit’ që do të na lidhë me të gjitha kontinentet!,) sa sheshe të rregulluara kemi, sa përmendore e monumente kemi?… A po bindeni që vërtet diçka me këtë popull nuk është në rregull!

Qytetarët nuk hanë lesh

Jo ne qytetarët jemi plotësisht në terezi. Zoti na rehaton kollaj, por s’po doni dhe nuk keni vullnet që të na rehatoni ju or të dalldisur. Bile veç që s’mundeni, se edhe Zotit iu kishit përzije në punët e tij… S’është e vërtetë se nga të mirat e kemi dhe jemi popull i pa rehatuar dhe i çuar peshë, siç thoni ju; po siç duket këto ju kanë çuar juve peshë. Por vjen një ditë e do t’ua thyejnë qafën. Sa për turkun dhe serbin që i paskemi duruar me shekuj, kjo është tjetër këngë dhe tjetër kohë, kur dihet se nga i huaji s’është pritur më mirë, por si t’ia bëjmë me ju që askush s’e ka pritur se do të vini në këtë derexhe!

Jo, nuk po shkelmojmë prej të mirave. Nuk është e vërtetë që kundër turkut e serbit populli ynë nuk ka çuar krye asnjëherë, madje shumë herë, por çka të bëhet me juve që iu kemi përkëdhelur pak si shumë. Mirëpo mos pritni se do t’iu përkëdhelim deri në pakufi e do të heshtim sikur mumie, sepse me sa po kuptojmë, ju nuk e keni ndërmend që të ndryshoni dhe të vetëdijesoheni për të gjitha të mbrapshtat që i keni bërë dhe jeni duke i bërë.

Sa për atë që thoni ju, se kur e ka pasur ky popull ndonjëherë më mirë, mbase është e vërtetë që për diçka s’e ka pasur asnjëherë, por kurrë nuk ka pritur që nuk do ta ketë shumë më mirë! Sidomos kur këtë qeveri, fatlumnisht, po na e udhëheqin shumica e djemve të luftës dhe të lirisë!… Po, e vërtetë, presidentë, kryeparlamentarë, kryeministra, zëvendëskryeministra, ministra, mbi 99% janë shqiptarë, mirëpo sjelljet dhe veprimet e tyre janë për çdo kritikë dhe lënë shumë për të dëshiruar, lënë përshtypjen sikur të ishin nga ndonjë shtet i huaj apo planet tjetër, e jo të kësaj toke!…

Fjala korrupsion (vjedhje-hajni) është bërë aq e ‘popullarizuar’, sa që as fjalët bukë dhe ujë nuk zënë më shumë vend në zhargonin e përditshëm…
Po thoni që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, e njohur prej afër 100 shteteve. Po si mund të quhet një shtet sovran, kur nuk mund ta kontrollojë një pjesë të mirë të territorit të vet dhe kur banorët serbë të asaj pjese as që duan t’ia varin këtij shteti?! Ata s’janë kah ia varin madje as KFOR-it e as EULEX-it, e le më kësaj qeverie!…

Na këshilloni që t’i numërojmë sa universitete kemi, sa studentë, sa magjistra e sa doktorë kemi. Po, vërtet në numër janë shumë, por pse nuk thoni asgjë për cilësinë e punës që bëjnë; për diplomat e blera me para, ku plot studentë diplomohen pa i merituar ato diploma, për të mos thënë që ka ndonjë prej tyre që diplomën ia dërgojnë të gatshme në shtëpi, sepse nuk mund të ndihet mirë kur ta shohin studentët e tjerë gjithë atë alamet figure publike duke u sorollatur nëpër korridoret e fakultetit!…

Po, vërtet na e keni ‘hijeshuar’ shtetin me rrugë të asfaltuara, sidomos me këtë ‘rrugën e kombit’ në ndërtim, siç po i thoni, por kush nga qytetarët nuk e ka marrë vesh se ju para se të mendonit se sa do të ‘hijeshohet’ ky vend me këso rrugësh, më parë llogaritë i keni bërë për hijeshimin e oborreve dhe pallateve tuaja, për xhepat tuaj dhe për plotësimin e orekseve tuaja të pangopshme. Kjo vërehet ashiqare nga mostransparenca juaj për çmimet marramendëse të kostos. Kjo s’do koment.

Po, ua kemi ndierë “lezetin” edhe punës së klinikave mjekësore, ku dominojnë më shumicë ato private, por kjo s’është meritë e juaja, dhe do të bëni shumë mirë sikur t’i hetoni marifetllëqet që bëhen brenda tyre në bashkëpunim me klinikat e shtetit, duke ua dërguar pacientët për shërim atyre private. Po, sepse janë po ata mjekë që sapo i përfundojnë vizitat në klinikat e shtetit, kohën tjetër ua kushtojnë klinikave private, duke u marrë me të sëmurët që i kanë sjellë vetë aty. E dihet fare mirë sa kushton operacioni më i thjeshtë në krahasim me të njëjtin që kryhet në klinikat e shtetit…

A mos dëshironi t’ua numërojmë edhe shumë “të arritura” të tjera për të cilat në çdo mëngjes u dashka të lutemi për ju që të keni ymër sa më të gjatë, se pas jush jeta jonë do të ishte krejtësisht ndryshe… Po, vërtet ndryshe!…