Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka emëruar tre klerikë të lartë si kandidatë për ta pasuar atë nëse ai vritet, raporton The New York Times, duke cituar tre zyrtarë iranianë të njohur me çështjen.

Në rast se një udhëheqës suprem vdes, kushtetuta e Iranit kërkon që Asambleja e Ekspertëve, një organ klerikal me 88 anëtarë, të zgjedhë një pasardhës.


Procesi është përdorur vetëm një herë që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, kur vetë Khamenei u zgjodh në vitin 1989.

Siç raporton Times, Khamenei dëshiron të sigurojë një tranzicion të shpejtë dhe të rregullt në rast të vdekjes së ti.

Pasi thuhet se hodhi poshtë një plan izraelit për të vrarë Khamenein, presidenti i SHBA-së Donald Trump deklaroi këtë javë se udhëheqësi suprem i Iranit është një "objektiv i lehtë".

"Ne e dimë saktësisht se ku fshihet i ashtuquajturi 'Udhëheqës Suprem'", tha Trump.

"Ai është një objektiv i lehtë, por është i sigurt atje - Ne nuk do ta vrasim!, të paktën jo për momentin."

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk e ka përjashtuar mundësinë e shënjestrimit të Khameneit, duke thënë se vdekja e udhëheqësit suprem nuk do ta “përshkallëzonte konfliktin, por do t’i jepte fund konfliktit”.

Të enjten, Ministri i Mbrojtjes Israel Katz shkoi më tej, duke deklaruar se Khameneit nuk mund t’i lejohet “të vazhdojë të ekzistojë” pasi një raketë iraniane goditi një spital në Izrael. /Telegrafi/