Nxënësit e IAAP në Shtime shkëlqejnë në premierën e dramës “Flamur n’Stuhi”

Në ambientet e Shtëpisë së Kulturës u shfaq sot premiera e dramës shkollore “Flamur n’Stuhi”, e realizuar nga nxënësit e IAAP Shtime nën udhëheqjen artistike të Florie Jahiri Ademaj dhe Skender Asllani, ndërsa koreografia u përgatit nga Selatin Rizani.
Shfaqja u ndoq nga një numër i madh pjesëmarrësish, mes tyre edhe zyrtarë komunalë: Lulzim Sahiti, shef i sektorit të arsimit; Tringa Xhelili, zyrtare në DKA; si dhe Labinot Rexha, drejtor i IAAP Shtime.
Nxënësit sollën një interpretim të përkushtuar dhe emocional, duke krijuar një atmosferë mbresëlënëse që u shpërblye me duartrokitje të gjata nga publiku. Me energji, talent d he disiplinë, ata arritën të sjellin në skenë një rrëfim të fuqishëm dhe aktual, përcjell Telegrafi.
Drama trajtoi një prej kapitujve më të rëndësishëm të historisë shqiptare: festat e Nëntorit dhe epokën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes skenave artistike, u përcollën mesazhe të forta për sakrificën, lirinë dhe krenarinë kombëtare, duke e shndërruar shfaqjen në një udhëtim emocional për publikun. /Telegrafi/







































