"Nuk jemi miq, por ti je luftëtari më i mirë në historinë e UFC-së" - Khabib me dedikim për Jones që u pensionua

Divizioni i peshave të rënda në UFC ka hyrë në një epokë të re. Jon Jones, i konsideruar nga shumë si luftëtari më i madh në histori të MMA-së, është tërhequr zyrtarisht nga sporti.
Me këtë veprim, britaniku Tom Aspinall është shpallur kampioni i padiskutueshëm i UFC-së në këtë kategori, pa arritur të ketë përballjen ëndërruar ndaj Jones.
“Jon Jones na telefonoi dhe na njoftoi se është në pension. Ai nuk do të rikthehet më, dhe Tom Aspinall është tani kampioni i padiskutueshëm i peshave të rënda”, konfirmoi Dana White, presidenti i UFC-së.
Jones largohet me një trashëgimi të jashtëzakonshme: tituj në dy divizione të ndryshme dhe dominim të padiskutueshëm në oktagon.
Megjithatë, karriera e tij ka qenë gjithashtu e mbushur me polemika, skandale dhe probleme jashtë ringut. Vetëm disa ditë para vendimit për pension, ai u përfshi në një aksident me makinë, çka nxit spekulime se një tjetër skandal mund të ketë ndikuar në tërheqjen e tij.
Pavarësisht gjithçkaje, emra të mëdhenj të këtij sporti i kanë dhënë nderime Jones-it, përfshirë edhe legjendën nga Dagestani, Khabib Nurmagomedov.
“Urime, legjendë. Edhe pse nuk jemi miq, ti je luftëtari më i mirë në historinë e UFC-së. Ke frymëzuar miliona njerëz. Nuk ke më asgjë për të provuar në këtë sport", shkroi Khabib, i cili vetë u pensionua në vitin 2021 me një rekord perfekt 29-0. /Telegrafi/






















































