Nuk e ndalë as lufta për të lënë gjurmë, shpërthimi i Ermir Rashicës në Ukrainë

Pavarësisht sfidave që sjell jeta në një vend të goditur nga lufta, Ermir Rashica po tregon se asgjë nuk mund ta ndalë një lojtar të përkushtuar për të lënë gjurmë.
Mes tymit të luftës dhe tensioneve të përditshme në Ukrainë, sulmuesi vushtrrias po shkëlqen me fanellën e Metalist 1925 Kharkiv, ku vetëm në pak muaj ka arritur të bëhet lider në fushë dhe lojtar kyç në ngjitjen e klubit drejt elitës së futbollit ukrainas.
Në 10 ndeshje, ai kontribuoi me 3 gola dhe 4 asistime, duke u shpallur lojtari më i mirë i sezonit për skuadrën e tij.
Rashica, i cili nisi rrugëtimin e tij në Vushtrri, vazhdoi të rritej profesionalisht te Trepça ’89 dhe më pas te Skënderbeu në Shqipëri, për t’u transferuar në janar te Metalist për 300 mijë euro.
Përkushtimi i tij ka bërë që të jetë jo vetëm një emër i rëndësishëm në klub, por edhe kapiten i Kombëtares U21 të Shqipërisë.
Historia e tij është një shembull i fortë se si talenti, puna dhe vendosmëria mund të triumfojnë mbi çdo pengesë, madje edhe në një zonë konflikti.
Në një intervistë për Telegrafin, sulmuesi anësorë ka folur për të gjitha, nga fillimet e karrierës së tij deri te shpërthimi në Shqipëri dhe Ukrainë.
Nga Trepça ’89 te Skënderbeu, fillimisht a e prisje shpërthimin tënd në Shqipëri?
Ermir Rashica: Gjithmonë kam besuar në punën time dhe kam pasur synime të qarta. E dija që me përkushtim dhe durim do të vinte momenti im. Kalimi te Skënderbeu ishte një hap i rëndësishëm dhe më dha hapësirën për t’u shprehur në fushë.
Pas shkëlqimit në Shqipëri erdhi transferimi te Metalist 1925 në Ukrainë. Kishe oferta të tjera? Pse zgjodhe pikërisht këtë skuadër?
Ermir Rashica: Po, kishte disa oferta, por projekti i Metalist 1925 më bindi më shumë. Ishte një klub serioz, me objektiva të qarta dhe një ambient ku mund të rritesha si lojtar.
Si ka qenë pritja që të është bërë në klubin e ri?
Ermir Rashica: Pritja ka qenë shumë e mirë. Jam ndier i mirëpritur që në ditët e para dhe kjo më ka ndihmuar të përshtatem shpejt, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë njerëzor
Arrite një sukses të madh me klubin, duke siguruar inkuadrimin në elitën e futbollit ukrainas?
Ermir Rashica: Është një ndjenjë e veçantë të jesh pjesë e një skuadre që arrin objektiva kaq të rëndësishëm. Ngjitja në elitë është një shpërblim i madh për gjithë punën që kemi bërë si grup.
Ke shkëlqyer me paraqitje të mira, gola dhe asistime, por sa je i kënaqur me paraqitjet e tua?
Ermir Rashica: Jam i kënaqur, por jo i ngopur. Gjithmonë ka vend për përmirësim dhe ambicia ime është të rritem çdo sezon dhe të jap më shumë për skuadrën.
Pas shkëlqimit të Milotit me mbiemrin Rashica, a je ti pasardhësi i denjë për të lënë gjurmë të reja në futbollin evropian?
Ermir Rashica: Miloti është një shembull për t’u ndjekur. Më nderon që bartim të njëjtin mbiemër, por secili ka rrugën e vet. Unë synoj të lë gjurmët e mia përmes punës, karakterit dhe përkushtimit në çdo ndeshje.
Je pjesë e Kombëtares U21 të Shqipërisë, kur mund ta shohim Ermirin në Kombëtaren A?
Ermir Rashica: Kombëtarja A e Shqipërisë është një ëndërr dhe objektiv i imi. Çdo paraqitje ime në klub është një mundësi për t’iu afruar atij momenti. Kam besim që nëse vazhdoj kështu, do të vijë edhe ftesa nga Kombëtarja A.
Çfarë duhet të presim nga e ardhmja? Cilat janë objektivat e tua personale dhe ato me klubin?
Ermir Rashica: Synimi im është të jap gjithmonë maksimumin dhe të jem pjesë e sukseseve të ekipit. Objektivi personal është të rritem si lojtar dhe të luaj në nivelet më të larta të futbollit evropian. Me klubin, duam të bëjmë një sezon të fortë në elitë dhe të tregojmë vlerat tona. /Telegrafi/





















































