Nuk e meritojnë Nobelin!

Kështu të paktën konsiderojnë analistët në Kosovë e Maqedoni. Sipas tyre, kryeministri serb nuk e meriton sepse buron nga “zgjedha” e Slobodan Milosevicit, ndërsa nëse do t’i ndahej kryeministrit Thaçi, atëherë do të duhej t’i ndahej në emër të gjeneratave që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës, shkruan “Zëri”.
Publicisti Kim Mehmeti ka deklaruar se donte që Hashim Thaçit t’i jepet Çmimi Nobel, por në emër dhe si përfaqësues i gjeneratave që flijuan gjithçka për lirinë e Kosovës. Ndryshe, sipas tij, nominimi i Thaçit për këtë çmim si politikan, do të na krijojë vështirësi kur të vijë koha nipërve tanë t’ua shpjegojmë vlerat politike të kryeministrit të shtetit më të korruptuar, më të varfër e më të mbyllur në Evropë.
Mehmeti ka thënë se kur t’i ndahet ky çmim një figure, nuk duhet të ketë nevojë që të jepen sqarime se pse i është ndarë atij personi. E kjo, sipas tij, nuk mund të thuhet në rastin e Dacicit.
“Kur përmendni, për shembull, emrin e Mandelës, nuk keni nevojë për shpjegime plotësuese pse i është dhënë Çmimi Nobel për Paqe. Por edhe pas shumë shpjegimeve, nuk do mund të jeni i logjikshëm në arsyetimin pse, për shembull Dacicit i është ndarë ky çmim”, ka theksuar ai.
Mehmeti ka dhënë vlerësime edhe për mesazhet që do të mundë të merreshin në rast se këto figura nderohen me këtë çmim. “Nuk e di si do të ndikojë në imazhin e Kosovës, por mund ta imagjinoj si do të ndikojë në imazhin e Çmimit Nobel!
Nëse ndodh ta marrë këtë çmim edhe Dacici, atëherë ne do ta kuptojmë mirë porosinë që na përcillet: Nuk është me rëndësi çka ke bërë dhe cili ke qenë dikur, por sa i dëgjueshëm ke qenë kur të kanë detyruar të bëhesh i mirë”, ka thënë ai.
Ndërsa, analisti Fadil Lepaja ka thënë se ky nominim nuk është premtues që këtyre tri figurave do t’u ndahet Çmimi Nobel për Paqe. “Nominimi nuk është kushedi se sa premtues duke marrë parasysh se gatishmëria serbe për të zbatuar marrëveshjet nuk po duket bindëse, ndërkohë që forcat që e kundërshtojnë kryeministrin Thaçi dhe qeverinë e tij, janë po ashtu në rritje”, ka thënë Lepaja.
Ai më tej duke mos u shprehur shumë optimist për suksesin e bisedimeve ka bërë një krahasim në mes të marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë - Serbi me angazhimin izraelito-palestinez për paqe që u shpërblye me Nobel në vitin 1994.
“Në vitin 1994 Kryetari i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Jaser Arafat, Ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Shimon Peres dhe Kryeministri izraelit, Yitzhak Rabin, morën Çmimin Nobel për Paqe, për përpjekjet e tyre për të krijuar paqe në Lindjen e Afërme. Si e dini sot e kësaj dite, Palestina ende nuk është shtet i lirë dhe nuk është krijuar paqja në Lindjen e Afërme”, ka deklaruar Lepaja.
Në anën tjetër drejtori i Grupit të Politikave për Ballkan, Naim Rashiti, këtë nominim e ka vlerësuar si shpërblim për angazhimit në bisedime të këtyre tri figurave.
Ky nominim është një mirënjohje për punën e kryeministrave dhe baroneshës Ashton. Megjithatë interpretimi që faktori ndërkombëtar po i bën suksesit të dialogut është shumë më i avancuar sesa në realitet është. Kosova dhe Serbia ende nuk kanë bërë paqe”, ka deklaruar Rashiti.
Ndërsa pas marrjes së lajmit për nominim për Çmimin Nobel për Paqe, kryeministri Hashim Thaçi përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka theksuar se pavarësisht çka ndodh tutje, Nobelin për Paqe, heroizëm, qëndresë e pjekuri, më shumë se kushdo tjetër e meritojnë qytetarët e Kosovës.
“Çdo vendim politik që kam marrë në jetë, sado i vështirë e jopopullor të ketë qenë ai në momente të caktuara, e kam marrë duke pasur parasysh interesat e Kosovës dhe të kombit tim”, thuhet në reagimin e kryeministrit Thaçi. /Zëri/





















































