Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, mbrëmjen e sotme nga Antalya e Turqisë njoftoi se Republika e Kosovës është njohur edhe nga Sudani.

Pas bërjes publike të lajmit për njohjen nga Sudani nga presidentja, i menjëhershëm ka qenë reagimi i liderëve dhe përfaqësuesve të partive politike opozitare.


Ata e kanë përshëndetur njohjen e Kosovës nga shteti afrikan.

Mirëpo, ende nuk ka reagime nga Qeveria në detyrë.

Për njohjen e Kosovës nga Sudani nuk ka reaguar as kryeministri Kurti e as Ministrja e Jashtme në detyrë Donika Gërvalla.

Njohja nga Sudani është e dyta brenda javësh për Kosovën, pasi një shtet tjetër afrikan, Kenia e njohu atë në fund të marsit.

Njohjet nga Kenia dhe Sudani vijnë pas një rënie të ritmit të njohjeve të Kosovës në vitet e fundit. Para tyre, shteti i fundit që e njohu atë ishte Izraeli në vitin 2021.

Sudani është bërë tani shteti i 119-të që e njeh Kosovën, një vendim që pritet ta zemërojë Serbinë, e cila e lufton vazhdimisht pavarësinë e fqinjit të vet. /Telegrafi/