Nga: Át Anton Harapi (fragment nga libri Vlerë shpirtërore)
Në mes të këtij tufani të tmerrshëm qi po e trandë anekand jetën shqiptare, ndërsa shoh qui pacem dicunt et desolationem faciunt, ata qi n’emën t’idealit e të kombsisë nuk po lanë gja pa përmbysë, rrij e përgjoj e me kënaqësi të madhe ndiej nji za zemre, gjamën e shpirtit të disa shqiptarëve vërtet fisnikë, të cilët tue u naltue mbi këtë shëmtim, mbërrijnë aty ku janë vlerat e visaret e jetës njerëzore e shqiptare, dhe me të tana ndiesitë nuk flasin, por si vigaj ulurojnë; zani i tyne asht kushtimi për kulturën e shpirtit shqiptar.
Njimend se këta janë pak, krahasue me faktorët e shkretnimit, por mjaftojnë me krijue në Shqipni nji rrymë jete shpirtnore.
Ju qi e dini mirëfilli se jeta shqiptare pa faktorin shpirtnuer nuk ka si me qenë, as pse me qenë; ju udhëhjeksa t’idesë e bashkëpunëtorë të mi, ju kam grishë këtu të prekeni e të rrëmbeheni nga kjo ushtimë shpirti e, ma me të dhanun se faktorët e rrënimit, t’i përveshemi punës për rindërtimin shpirtnuer në vendin tonë.
Vallë, pse tash tridhetë e sa vjet të pamvarësisë, me të gjitha përpjekjet për kulturë, erdhëm e u vorfnuem shpirtnisht? Ky problem i madh, për mue, ka nji shkak të vetëm, nji spjegim të thjeshtë: rreziku i ynë pse vumë leskër kulture d.m.th. nuk morëm kulturën vetë, por morëm format e përftimet e kulturës dhe i përshtatëm; shndërruem vlerat objektive me vlerat relative; përparuem për dukë, ndërsa realisht në shpirt borëm shumë, mbetëm mbrapa; u dhamë randësi të parë mjeteve e harruem qëllimin; tue kërkue ta bajm jetë sa ma të lehtë, shvleftësuem jetën vetë. Lavrimi i mendjes, trajtimin e vullndesës, ndiesitë e nalta shpirtnore i qitëm e i lamë në vend të dytë e të tretë. Faktori shpirtnor nuk pati vendin e vet, vendin e parë. Ja, sot në Shqipni nuk të pyetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don të dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në Bankë. Nuk po lypet të jesh i dijshëm, as i aftë, mjaft të dijsh me u mbajtë dhe me u dukë i tillë.
Ja, misioni i parë i këtij organi kulture shqiptare: me e vu në vendin e vet faktorin shpirtnor. Landa e veprimit tonë, pra, synon naltësimin e jetës njerëzore e shqiptare ndër gurrat e faktorët e vërtetë.
Si e dini mirë, ligjet nga burojën ndikimet e shpirtit të njeriut janë tri: e vërteta, e mira dhe e bukura. Sado i vojtun keq e i dobësuem të jetë nji njeri apo nji popull, ai për nevojë të mbrendshme dhe të domosdoshme nuk mund t’u ikë këtyne imperativave e, mjaft qi t’i shfaqen kjartë, përshtatshëm, të gjallë e të prekshëm, se ai për nji ligjë të pashlyeshme mbetet preja e këtyne idealeve. Arsyeja asht se njeriu nuk asht vetëm planc për t’u ushqye, as vetëm trup për t’u veshë me mundafsh, as vetëm organizëm për të veprue në mënyrë automatike pa nji shkas t’arsyeshëm, pa nji qëllim të menduem. Njeriu, derisa të jetë njeri, porsi drita diellin, kërkon e ndjekë të vërtetën; ashtu edhe, në sajë t’asaj shkëndije hyjnore qi asht liria, priret fuqishëm drejt së mirës morale. Prapë mandej njeriu nuk ndien vetëm si shtasët; ai provon në vete të vërtetën e të mirën, dhe ndien nevojën ta shprehë: kjartësia e së vërtetës dhe e së mirës objektive, e ndieme në shpirt dhe e shprehun me format e veprat ma të plotat, kjo asht bukuria.
Ky, shkurtazi, asht programi ynë vetjak e kolektiv si pjesëtarë të këtij Instituti: lavrimi i mendjes, i vullndesës dhe i ndjesive ndër lamije të së vërtetës, të së mirës dhe të së bukurës. Kur ta bajmë shqiptarin t’aftë qi vetë ta kërkojë, vetë ta gjejë dhe vetë ta shfaqë të vërtetën, kemi ba shkencëtarin; kur ta bajmë të zotin qi ai vetë t’i vendojë parimet e drejta të jetës dhe këtyne t’u rrijë me dijtë ç’me dijtë, e kemi çue shqiptarin në kulmin e mirësisë: kemi ba fatosin, qi me fuqin e vullndesës përfton vepra morale të rendit botnor. Tue ia mprehë shqiptarit ndjesitë, e bajmë të mbërrijë me ndie në shpirt shfaqjet e së vërtetës dhe të mirësisë, atëherë ai përket, tërhiqet, rrëmbehet, atëherë shpirti i tij jipet, përpiqet, as nuk pushon derisa të gjejë format e mjaftueshme për t’i shprehë ato madhni, ato ideale fisnike për të cilat rron. Dhe ja, kemi ba artistin.
Kjo asht kultura e shpirtit, kultura e vërtetë. Fjala latine colere, prej së cilës rrjedh fjala kulturë, na tregon haptas se n’atë mënyrë si toka, sado e çmueshme të jetë, po u la djerrë, nuk jep fryt, ashtu edhe shpirti i shqiptarit, sado të ngrehet ndër automobila, sado të veshet me petka të bukura e me ar, sado të kërtyllet me pare e pasuni, sado t’i ngjeshë vetes forma të hijshme dhe të kandshme, ka për të mbetun djerrë, ka për të mbetun i egër, barbar, i paaftë për fryte njerëzore, në qoftë’ se nuk lëvrohet ndër fuqitë e mendjes, të vullndesës e të ndjesive, në qoftë se nuk bahet i aftë për vepra të mëdha ditunie, morali dhe arti. Për këtë arsye, unë tanë veprën e kësaj organizate shqiptare due ta përmbledh e ta shpreh me nji fjalë të vetme: pro cultura.
Fruer 1944
Lexo po ashtu: Fjala e fundit në gjyq e Anton Harapit: Kam derdhë djersë me ba Shqipninë
Lexo po ashtu: Proza e Anton Harapit
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje