“Njeriu kuletë” dhe tempujt e konsumit

Nga: Gëzim Tushi
Është fare evidente që shoqëria shqiptare në mënyrë të pashmangshme gati me një “fatalitet social” do të përfshihej në mënyrë spontane në valët e furishme të shoqërisë së konsumit. Një realitet social dinamik e kakofonik i shoqëruar nga zgjerimi i pakontrolluar e voluntarist të “kufijve” të dëshirave të shumta, të larmishme individuale, e shoqëruar me rritjen e intensitetit social të manierave të njeriut të obseduar nga materialiteti, variacionet e pafundme të modës, atraksioneve të luksit dhe konsumit, që tashmë ka dalë nga normat klasike të utilitetit biologjik e social të kontrolluar duke u kthyer në prirje të përgjithshme sociale dhe si qëllim në vetvete.
Shoqëria shqiptare tashmë është plotësisht në shinat e modernitetit, në të cilën duket qartë se lidhjet midis qytetarit dhe konsumizmit nuk është as rastësor, as thjesht individual. Përkundrazi, jetojmë në kohën kur ky “ekuacion” është jo vetëm gjithëpërfshirës, por ai është kthyer në një domosdoshmëri evidente në përmasat e kushtëzimit social total. Në këto kushte, kur raportet e sendeve të përdorimit me njeriun si përdorues e konsumator, kanë krijuar një realitet social në të cilin, si shoqëri por edhe individualisht, e ndjejmë jo vetëm si fenomen të shfaqur tashmë hapur dhe në mënyrë paradigmatike, peshën deformuese të ndikimit dhe shfaqjes së sindromës sociale, aq shumë të përhapur dhe empirikisht të prekshme, të vartësisë të njeriut konsumistik nga sendet e përdorimit.
Një fenomen social i panjohur në shoqërinë e dikurshme shqiptare me natyrë totalitare, egalitariste dhe e zhytur në “kënetën” e përbashkët të varfërisë dhe konsumit të determinuar e të racionuar. Tani jemi në kushte të reja socialekonomike kur ka një reduktim të peshës së njeriut si qenie sociale, në favor të qytetarit të kapluar nga konsumizmi. Në mënyrë metaforike, mund të themi se kemi një shoqëri të rrethuar nga sendet e konsumit si paradigmë sociale, në e cila shfaqet në dimensionin e lidhjes “fatale” midis “njeriut kuletë” dhe marrëdhënieve patologjike, të “madhësisë së kuletës” me dimensionet dhe ofertat e pambarimta të “tempujve të konsumit”.
Kaq shumë e ngjeshur është kjo marrëdhënie në kohën e sotme, sa që sipas sociologëve të postmodernitetit, ajo ka krijuar kushtet e një shoqërie që “mendon dhe flet si shoqëri konsumi”. Problemi nuk është i thjeshtë. Përkundrazi ky ekuacion midis njeriut që ka marrë formën e “kuletës me dy këmbë” dhe vartësisë së tij nga marrëdhëniet fizike dhe metafizike me “tempujt e konsumit”, nuk është dukuri rastësore, apo shfaqje e tekave ekzibicionale individuale, që vijnë vetëm nga presioni i modës.
Në vlerësimin sociologjik, kemi të kristalizuar në mënyrë të qartë dhe të shfaqur në përmasa të zgjeruara, një patologji sociale në zgjerim të marrëdhënies toksike “njeri-send”, e cila në mënyrë të heshtur, të pakuptuar, të panjohur për efektet negative apo subjektivisht e papranuar, ka sjellë në jetën tonë të përditshme, shfaqjen e species së individit konsumistik, me vartësi nga sendet e përdorimit të panevojshëm, të “njeriut të verbuar” nga larmia dhe pesha e sendeve të përdorimit. Është e vërtetë që jeta konsumistike në shoqërinë shqiptare është bërë dinamike, e gjerë, e diversifikuar, e personalizuar, intensive, e ndërlikuar në “kanalet e bollshme”, duke përzierë nevojat reale, utilitare, të domosdoshme dhe në rritje të vazhduar të “njeriut kuletë” me “kazanin e konsumizmit”. Kjo tendencë është reduktuar në shfaqjen e fenomenit të lidhjes së determinuar, shpesh në mënyrë irracionale, jashtë kufijve të konsumit human (të domosdoshëm) midis “njeriut me sy, veshë e dorë tek kuleta”, nga njëra anë dhe labirinteve të pafundme të “tempujve të konsumit”.
Një marrëdhënie që orientohet, herë për nevoja jetike, të dobishme, utilitare apo edhe për sende luksi, konsumi të tepërt, të panevojshëm, të padobishëm. Herë si qëllim në vetvete por shumë herë edhe si tregues të shfaqjeve të ekzagjëruara e banale të egoizmit konsumistik, për të pasur sa më shumë konsum, si tregues të statusit social të evidentuar shoqërisht. Në këto rrethana sipas mendimit tim, nuk është as “letërsi”, as optikë sociologjizante fakti që tashmë në mënyrë të sintetizuar, mund të flasim për shfaqjen e fenomenit të kthyer në sindromë sociale, të njeriut që ecën dhe përfshihet në shoqëri si “kuletë me dy këmbë”, kuintesenca e të cilit shprehet në konceptin ekzibicional të barazimit të vlerës së jetës, në reduktimin e kuptimit të saj në nivelin e asaj që hamë, pimë, veshim, që konsumojmë për qëllime bazike apo hedonistike të personalizuara apo si qëllim në vetvete.
“Njeriu i kuletës” është vazhdimisht në lëvizje, alert ndaj stratagjemave të tregut, në vartësi permanente ndaj tekave të modës dhe konsumit si qëllim në vetvete. Shfaqja e kësaj tendence sociale, është e lidhur me faktin se jetojmë në kohën kur për “njeriun kuletë” “lista e pazarit nuk ka fund. Sërish, sado e gjatë lista, ajo nuk e përmban mënyrën për të shpëtuar nga blerjet dhe kompetenca më e nevojshme, në botën tonë të synimeve, në dukje të pambarueshme, është ajo e blerësit të talentuar e të palodhur”.
Prania e zgjeruar e “njeriut kuletë” në jetën e shoqërisë shqiptare, është reflektim adekuat i faktit që tashmë jetojmë plotësisht të integruar në shoqërinë e zgjeruar të konsumit individual, e cila është shprehje autentike e të vërtetës së tipologjisë së jetës së sotme, thelbësisht të orientuar nga konsumerizmi.
Një tendencë që thellon prirjet izoluese e individualizuese të jetës të lidhur, të determinuar nga qëllimet e konsumit vetjak. Padyshim, analiza e këtij realiteti dihet bërë me kujdes, madje duke mos dashur të cenojmë të drejtën private të njeriut, për konsum të personalizuar, sipas mundësive financiare e shijeve estetike të tij (të drejta legjitime e të pacenuara nga askush) sepse në mënyrë të padyshimtë jetojmë në një shoqëri në të cilën “konsumi është një aktivitet i vetmuar, endemikisht dhe pakthyeshmërisht i vetmuar”. Por, duhet parë edhe ana tjetër e këtij ekuacioni, që është me natyrë sociale, lidhur me konceptimin e duhur të problemit të lidhjes determinante të “njeriut kuletë” me determinimet e ngutshme dhe tendencat frenetike konsumistike, për të kuptuar se problemi nuk është aq shumë i lidhur vetëm me konsistencën dhe sasitë materiale të konsumit.
Pas kësaj dukjeje fshihet një patologji, e cila në thelb është krejt e kundërt me atë që duket në madhësinë dhe labilitetin e konsumit empirik të individit. Epidemia e konsumit si qëllim në vetvete, i kthyer në qëllim gati supraorganik e përtej individual, është tregues i faktit, që duke jetuar në situatën e një “pasigurie shoqërore”, të cilën nëse shikojmë jo si shfaqje por në thelb, e nxit “njeriun kuletë” të jetë i stacionuar pa limit në labirintet e ndërlikuara e toksike të “tempujve të konsumit”, të jetë i varur dhe në mënyrë të determinuar, madje të orientohet nga perceptimi semplist i jetës personale, me qëllime të reduktuara duke e trajtuar veten jo si qenie sociale me interesa të shumëfishta, por si një “agregat produktesh për konsum të menjëhershëm”, apo sikurse thotë z. Bauman i zhytur në një “pishinë me sende konsumi”. Njeriu me kuletë në dorë, është bërë vasal i bindut i “tempujve të konsumit” dhe që e trajton veten thjesht si “objekt me dëshira të pangopura”.
Fenomeni nga përmasat nuk është i padukshëm apo statistikisht në minorancë sociale. Përkundrazi, është dhe duhet vlerësuar si anomali me dimension social patologjik, fakti që në shoqërinë shqiptare po kristalizohet një grup individësh, madje e kristalizuar në përmasat e një shtresë sociale të konsoliduar, e kapur për fyti nga pandemia konsumistike, e përbërë nga “njeriu kuletë”, që e mat vlerën e vetes me “trashësinë e portofolit”, që bën shpenzime të tepërta, herë si qëllim në vetvete apo të panevojshme, për dukje, për të treguar “status social”.
Sociologjikisht dhe psikologisht duhet të jemi të shqetësuar dhe duhet të bëjmë atë që duhet, për të kuptuar parazitizmin, cinizmin e shpenzimeve të dhe bravurat sociale për konsum të panevojshëm, të tepërt apo për status e dukje publike, me “peshën e portofolit”, që sjell konsum pa hesap, spektakolar, duke e konsideruar veten në si “hero të konsumit”. Tendencë e cila në mënyrë të pakuptuar po shfaqet si anomali, si “një lloj marrëzie e keqfunksionimi të instinktit”, duke e kthyer mitin e pushtetit të konsumit në prirje irracionale. Duke vlerësuar këtë situatë, duket se po përballemi me një realitet social, në të cilin konsumi dhe ndjenja e konsumizmit po bëhet degradues, dhe që për fat të keq është një tendencë që ka marrë përmasat e “detyrimit të përditshëm”, një grackë sociale, gropë thithëse që po tërheq njeriun në botën e rrëmujshme të sendeve të panevojshme, konsumit parazitar në formën e banalitetit të përditshëm.
Në esencë të krijohet përshtypja sikur po ndryshojnë raportet dhe me sa duket, ka një tendencë regresive nga pikëpamja sociale, nga që po zmadhohet rreziku që “njeriu kuletë” si konsumator këmbëngulës të zëvendësojë thelbin human të “njeriut qytetar”. Por, jo vetëm kaq, tendencat e shfrenuara konsumeriste po zgjerojnë kufijtë e fenomeneve sociale toksike dhe gradualisht po bëhet një nga faktorët material që ndikon në shpërbërjen e humanizmit dhe socialitetit në lidhjet njerëzore. Sepse “Të gjitha shoqëritë gjithmonë kanë shpenzuar pa hesap dhe kanë konsumuar përtej nevojës strikte, për arsyen e thjeshtë se në konsumin e një teprice, si individi ashtu dhe shoqëria ndjehen që jo vetëm ekzistojnë por dhe jetojnë”. Jean Baudrillard, “Shoqëria e konsumit”. Këtë prirje sociologët e konsiderojnë me fjalët sintetike si nevojë dhe koeficient për prestigj dhe mode, si “tepricë shpenzimi të padobishëm, kotësi rituale apo shpenzim për asgjë”. Në fund të fundit, njeriu duhet të jetë aq racional, sa të dijë jo vetëm sa dëshiron të konsumojë, por dhe cilat janë zgjedhjet normale, burimet dhe mundësitë e tij.




















































