LAJMI I FUNDIT:

Njëri shkëlqen në fushë e tjetri jashtë saj, vëllezërit Bytyqi të lidhur ngushtë me futbollin

Njëri shkëlqen në fushë e tjetri jashtë saj, vëllezërit Bytyqi të lidhur ngushtë me futbollin

Zymer Bytyqi është njëri nga futbollistët më të njohur shqiptar, ku tani e disa vite po luan me mjaftë sukses në arenën evropiane.

Sulmuesi i Kosovës në moshën 15-vjeçare ishte transferuar te gjiganti austriak Red Bull Salzburg, por pastaj u rikthye në Norvegji përsëri për të shkëlqyer te Viking.

Aktualisht Bytyqi luan në elitën e futbollit turk te Konyaspor, ku është njëri nga sulmuesit anësorë më të mirë në Superligën e Turqisë.


Por përderisa Zymeri po shkëlqen në fushë, vëllai i tij i vogël Ardoni ka filluar tani e një kohë të merret me futbollin, por jashtë fushave duke ushtruar profesionin e agjentit.

Ardoni është vetëm 19-vjeçar dhe edhe ai më parë është marrë me futboll ku ka qenë pjesë e akademisë së Red Bull Salzburg, por pastaj nuk vazhdoi me futbollin dhe gjithë fokusin e ka tani te kontratat e futbollistëve.

Vëllai i vogël i Zymer Bytyqi është duke punuar për njërin nga agjentët më të mëdhenj që ka pasur Norvegjia, Jim Solbakken, një agjent i jashtëzakonshëm që ka nën menaxhim mbi 50 futbollistë të ndryshëm, por edhe trajnerë.

Agjensioni i Jim Solbakken ku aktualisht po punon edhe Ardoni ka nën menaxhim edhe Zymer Bytyqin si dhe emra të tjerë të futbollit si Fredrik Aursnes (Benfica), Kristian Thorstvedt (Sassuolo), Leo Ostigard (Napoli), Emil Bohinen dhe Erik Botheim (Salernitana), Veton Berisha (Hammarby) apo ish-trajnerin e Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer.

Qëllimi është t’i largojë talentet e rinj nga Kosova për një karrierë në Evropë

Edhe pse i lindur dhe rritur në Norvegji, Ardoni ka arritur të depërtoj shumë mirë në industrinë e futbollit si një agjent i ri dhe me perspektivë.

19-vjeçari flet rrjedhshëm gjuhen shqipe, atë angleze dhe norvegjeze gjë që i ndihmon shumë në profesionin e tij.

Zymer dhe Ardon Bytyqi

Tani e disa javë Ardoni ndodhet në Kosovë, ku po bredh nga një stadium në tjetrin me të vetmin qëllim që të gjejë futbollistë të rinj të talentuar dhe t’i dërgojë ata në Evropë, ku gjasat më të mira janë në Norvegji.

Në një prononcim për Telegrafin, Ardoni ka thënë se dëshiron që të largojë sa më shumë talent të rinj nga Kosova dhe t’i transferojë në Evropë.

“Futbollin e dua shumë dhe pasi nuk kam mundur të bëhem një futbollist kam vendosur të merrem me futbollistët, por tani si një agjent”.

“Ka disa vite që jam në këtë profesion ku kam dhjetëra futbollistë nën kontratë, derisa së fundmi kam filluar bashkëpunimin me agjentin e madh Jim Solbakken, që është njëri nga menaxherët më të mirë në Skandinavi, por edhe shumë i respektuar në shumë vende si Anglia, Italia, Spanja, Franca, Gjermania, Turqia”, tha Ardon Bytyqi për Telegrafin.

Ardoni tregon qëllimin në këtë profesion që është futur.

“Normalisht kam dëshirë të bëjë gjëra të mira për vendin tim Kosovën. Kohëve të fundit kam ardhur përkohësisht në Kosovë ku po shikoj shumë ndeshje nëpër stadiume të ndryshme të Kosovës për të parë lojtarë potencial që t’i dërgojë në Norvegji”.

“Marrëdhëniet më të mira i kemi me klubet norvegjeze dhe mendoj që futbollistët nga vendi ynë përshtaten shumë mirë me futbollin skandinav”.

“Kam parë disa lojtarë që nuk po i përmendi me emra, por që besoj që shumë lehtë mund të luajnë në 11she të para të klubeve norvegjeze. Qëllimi im është që të dërgojë sa më shumë futbollistë nga Kosova në Evropë dhe besoj se do t’ia dalë pasi këtu kam edhe bashkëpunëtorë që po më ndihmojnë duke më propozuar futbollistë të ndryshëm”, vazhdoi tutje Bytyqi, duke treguar edhe moshën e futbollistëve që i ka në ‘llupën’ e tij.

Ardon dhe Zymer Bytyqi disa vite më parë, kur ylli i Kosovës luante për Vikingun në Norvegji

“Normalisht futbollistët që po i shikojë janë të moshave të reja. Kam parë ndeshje edhe të 15 vjeçarëve edhe të juniorëve, por edhe në Superligë. Lojtarët që mund të transferohen jashtë Kosovës janë nga mosha 13 deri më 21 vjeç”, u shpreh Ardon Bytyqi.

Zymeri i lumtur që ka vëllanë agjentë të futbollistëve

Zymer Bytyqi është i lumtur që ka vëllanë agjentë të futbollistëve, por edhe një krah të djathtë jo vetëm në jetë, por edhe në karrierën e tij.

Sulmuesi anësorë ka thënë për Telegrafin se vëllai i tij Ardoni ka njohuri të mëdha për futbollin dhe beson se do të arrijë shumë në këtë profesion.

“Ari është një njeri që e ka pasion futbollin, por edhe e njeh jashtëzakonisht mirë. Unë nuk marrë asnjë vendim pa u konsultuar me të dhe vërtetë jam i lumtur që e kam vëlla”.

“Për mua si një futbollist profesionist është një plus i madh që vëllai im është agjent dhe bashkëpunëtorë i agjentit tim Jim Solbakken”.

“Duke parë vullnetin, pasionin dhe vendosmërinë e tij, jam i bindur se do të ketë një karrierë shumë të madhe si agjent futbollistësh”, u shpreh Zymer Bytyqi për Telegrafin.

26-vjeçari thotë për vëllanë e tij se duke pasur afër një agjent të madh si Jim Solbakken do të mësojë shumë.

“Jim është një agjent jashtëzakonisht i madh dhe një njeri i mirë. Unë e kam agjent nga mosha 15-vjeçare dhe më ka ndihmuar shumë. Gjithsesi mendoj se edhe Ardoni do të mësojë shumë nga Jim”, u shpreh Zymer Bytyqi.

Kush është Jim Solbakken, agjenti që menaxhon futbollistë dhe trajnerë të mëdhenj

Jim Solbakken është njëri nga agjentët më të mëdhenj në Skandinavi dhe ai ka vite të tëra që është në këtë profesion.

Norvegjezi ka nën menaxhim tani ish-trajneri e Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer, derisa e menaxhonte edhe sa ishte ai futbollist.

Solbakken ka emra të mëdhenj nën menaxhim derisa ai ka afruar afër vetës edhe Ardon Bytyqin duke parë njohuritë e kosovarit në fushën e futbollit dhe menaxhimit.

Agjensioni i tij ‘Jim Solbakken/Player Solution’ ka 59 futbollistë nën menaxhim, derisa pesë prej tyre janë pjesë e kampionatit italian Serie A, një në atë portugez, dy në Superligën e Turqisë e kampionate të tjera.

Solbaken është agjenti që transferoi Zymer Bytyqin në Red Bull Salzburg, ndërsa në vitin e ardhshëm mund ta dërgojë yllin e Kosovës në një kampionat shumë më të fortë se ai turk.

Vlen të theksohet se sot njëri nga sulmuesit më të mirë në botën e futbollit, Erling Haaland ka qenë nën menaxhimin e Salbokken, i cili e transferoi fillimisht te Molde e pastaj nga gjiganti norvegjez në Red Bull Salzburg.

Për Ardonin është një përparësi e madhe të ketë afër vetës një agjent si Jim Solbakken ku nga ai mund të mësojë shumë për të ardhmen. /Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Cristiano Ronaldo mund të kthehet në Evropë, trajneri i njohur tashmë e ka telefonuar

Cristiano Ronaldo mund të kthehet në Evropë, trajneri i njohur tashmë e ka telefonuar

Ligat tjera
Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Kombëtarja e Shqipërisë
Haaland merr ofertën më të madhe ndonjëherë, por ka vetëm një “frenim”

Haaland merr ofertën më të madhe ndonjëherë, por ka vetëm një “frenim”

Premier League
“Nuk ishte për një klub të madh” - ish skauti i Barcelonës tregon se pse nuk e rekomandoi blerjen e Tchouamenit

“Nuk ishte për një klub të madh” - ish skauti i Barcelonës tregon se pse nuk e rekomandoi blerjen e Tchouamenit

La Liga
Ronaldo: Do ​​të jetoj 100 vjet

Ronaldo: Do ​​të jetoj 100 vjet

Ligat tjera
Achraf Hakimi nuk do të kthehet te Real Madridi, ai nënshkruan kontratën e re me PSG-në

Achraf Hakimi nuk do të kthehet te Real Madridi, ai nënshkruan kontratën e re me PSG-në

Ligue 1
Kalo në kategori