Akoma nuk është shuar zhurma për skandalin që Cristiano Ronaldo bëri ndaj trajnerit Erik ten Haag dhe tifozëve të Manchester United dhe një rast i tillë nuk është i pari që i ndodh trajneri holandez.
Ronaldo refuzoi të hynte në lojë në derbin mes Manchester United dhe Tottenham, dhe më pas u largua para përfundimit të ndeshjes dhe nuk festoi me shokët e tij një fitore të madhe dhe të rëndësishme.
Ndaj ai u ndëshkua duke u përjashtuar nga skuadra për ndeshjen e radhës kundër Chelseat. Është interesant fakti se nuk është hera e parë që një lojtar refuzon të hyjë në lojë me Erik ten Haag.
Eksperti holandez tregoi se ka karakter të fortë dhe metoda strikte, ndaj e përjashtoi Ronaldon nga skuadra dhe mbetet për t’u parë nëse do të bëjë njësoj siç bëri te Ajax kur i ndodhi e njëjta gjë.
Në sezonin 2017/2018, futbollisti gjerman Amin Younes refuzoi të hynte në lojë në fund të ndeshjes në të cilën Ajaxi i tij fitonte me rezultat 4-1 kundër Heerenveen.
Menjëherë pas kësaj, Ten Hag ka reaguar me shpejtësi dhe ka përjashtuar Younes nga skuadra. Në takim ai i tha se ka nevojë për lojtarë të motivuar maksimalisht dhe se mund ta vazhdojë karrierën në një tjetër.
Karriera e Younes filloi me një rënie të shpejtë. Edhe pse kaloi disa kohë në Napoli, ai nuk arriti të zë vend dhe shkoi te Arab Al-Ettifaq.
Ai as aty nuk ia arriti të luajë në nivel, ndaj pak javë më parë mbërriti në Utrecht të Holandës, ku do të tentojë ta startojë nga e para. Edhe pse ai është në vitet e tij më të mira (29 vjeç), për shkak të asaj lëvizjeje në Ajax dhe padisiplinës, ai sot po paguan çmimin. /Telegrafi/