Në një moment të rëndësishëm për zhvillimin e ambientit të biznesit në vend, OCM International, në partneritet me IWG, lider global në zgjidhjet fleksibile të hapësirave të punës, sjell për herë të parë në Kosovë konceptin Regus.

Qendra e re do të vendoset brenda projektit multifunksional Inter City Prishtina, një zhvillim modern që ndërthur hapësirat e biznesit, retail-it dhe banimit në një destinacion të integruar urban.


Ky bashkëpunim shënon një kapitull të ri për tregun kosovar, duke sjellë standarde ndërkombëtare në mënyrën e organizimit të hapësirave të punës. I konceptuar për t’iu përgjigjur nevojave të bizneseve moderne, sipërmarrësve dhe kompanive globale, qendra Regus do të ofrojë hapësira pune të kompletuara dhe lehtësisht të aksesueshme në një nga zonat më dinamike të Prishtinës.

Përmes rrjetit të saj global, IWG mbështet disa nga kompanitë më të njohura në botë, përfshirë BMW, HP, Dell, Uber, TikTok, Adobe, Samsung, Microsoft dhe shumë të tjera, duke forcuar më tej besueshmërinë dhe rëndësinë e këtij zgjerimi.

Mauro Abruzzese, CEO & Managing Director i Inter City dhe OCM International, theksoi rëndësinë strategjike të këtij partneriteti:

“Ky partneritet me Regus reflekton vizionin e OCM International për të hapur tregun e Kosovës për një korporatë globale të këtij niveli. Jemi shumë të kënaqur që bashkëpunojmë në zhvillimin e këtij aktiviteti të ri brenda Inter City, një nga projektet multifunksionale më inovative në rajon. Integrimi i hapësirave fleksibile të punës është një hap i rëndësishëm në rritjen e vlerës dhe funksionalitetit të projektit, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin e tregut lokal.”

Nga këndvështrimi i investitorit, Bujar Reka, Investitor dhe CEO i Intersteel, vlerësoi rëndësinë e projektit:

“Inter City Prishtina përfaqëson një nga zhvillimet më ambicioze në rajon. Partneriteti me liderë globalë si IWG siguron që ne të sjellim jo vetëm infrastrukturë, por edhe ekspertizë dhe inovacion në treg. Ky është një projekt i ndërtuar për të krijuar vlerë afatgjatë dhe për ta pozicionuar Prishtinën si një qendër konkurruese për biznes dhe investime.”

Në emër të IWG, Fabio Castiglione theksoi strategjinë globale të zgjerimit dhe rëndësinë e hyrjes në tregun kosovar:

“Jemi të kënaqur që hyjmë në Kosovë përmes një partneriteti të fortë me OCM International dhe Inter City. Ky bashkëpunim na mundëson të sjellim eksperiencën tonë globale në një treg në rritje me potencial të madh. Hapësirat fleksibile të punës po bëhen thelbësore për bizneset moderne dhe ne e shohim Prishtinën si një lokacion të rëndësishëm në zgjerimin tonë ndërkombëtar.”

Me një eksperiencë të dëshmuar në zhvillimin, qiradhënien dhe menaxhimin e projekteve komerciale dhe multifunksionale, OCM International vazhdon të luajë një rol kyç në formësimin e së ardhmes së tregut të pasurive të paluajtshme dhe retail-it në Kosovë. Përmes partneriteteve me operatorë ndërkombëtarë si IWG, OCM forconpozicionin e saj si një aktor kryesor në sjelljen e inovacionit, rritjes dhe krijimit të vlerës në të gjitha klasat e aseteve.

Hapja e Regus në Inter City Prishtina nuk është vetëm një zgjerim i ri - është një sinjal i qartë i maturimit të tregut dhe gatishmërisë së tij për të përqafuar standardet globale në hapësirat e punës, zhvillimin urban dhe jetesën e integruar.